SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, reagon Rama: Këtë herë do veprojmë ndryshe

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, reagon Rama: Këtë herë do veprojmë ndryshe/
SPAK ka paraqitur ditën e sotme (16 dhjetor) kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin e Belinda Ballukut.

Menjëherë pas këtij lajmi ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Ai ka theksuar se mazhoranca do të mbajë një qëndrim “të drejtë, të qartë dhe të denjë”.

Rama kritikoi fenomenin e përdorimit të masave të paraburgimit në Shqipëri, duke e quajtur “modë të vrazhdë” dhe duke nënvizuar se vendi ka më shumë të paraburgosur se të dënuar.

Reagimi i Ramës:

Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.

Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.

Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.

Share it :