Berisha: Do të nisim revoltat, ka një gatishmëri dhe vendosmëri që kjo parti nuk e ka pasur më parë
Kryetari i PD, Sali Berisha, ka deklaruar se PD ka marrë vendimin për të nisur një fazë të re përballjeje politike, të cilën ai e përkufizoi si “revolta” kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Berisha u shpreh se, pas tre mbledhjeve të kryesisë, Grupit Parlamentar dhe sot të Këshillit Kombëtar, në radhët e Partisë Demokratike ekziston një gatishmëri dhe vendosmëri e paprecedentë për veprim, duke shtuar se këto lëvizje do të ndërpriten vetëm me largimin e regjimit aktual nga pushteti.
Prononcimi i kreut të PD, Berisha
Diskutuam për të startuar revoltat e PD-së, të cilat do ti japin përgjigjen përfundimtare kësaj kalbësirë që kundërmon në të 4-anët e Shqipërisë dhe botës, vjedhje, drogë, drogë dhe vjedhje.
Kjo është mbledhja e tretë e forumeve të PD-së, kryesia, grupi parlamentar dhe Këshilli Kombëtar që shkojnë në një linjë e cila shënon vendimin e kësaj force politike për fillimin e revoltave të cilat do të ndërpriten vetëm kur ky regjim të arkivohet në banesën e turpit të historisë.
Pyetje: Zoti Berisha, a po ju vlon gjaku demokratëve me aq sa pe sot për të protestuar?
Sali Berisha: Me aq sa pashë sot, jashtë mase. Një gatishmëri që ju nuk e imagjinoni dot. Jua them unë. Një vendosmëri e atillë që kjo parti nuk e ka patur ndonjëherë.
Pra, është një zhvillim, një ndërgjegjësim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe pozitiv.
Natyrisht, pavarësisht se po shkërmoqet, pavarësisht se është në agoni, pavarësisht se po projekton grusht shteti, përsëri duhet që populli ta kërrejë dhe populli shqiptar do ta kërrejë Edi Ramën, pengu i Lubi Ballukut, i Ergys Agasit.
E morët vesh ju apo jo? Ergys Pengmarrësit. Ergys Pengmarrësit, njeriut që merr peng, peng në emër të baxhanakut.
Pyetje: Zoti Berisha, vetëm pak minuta më parë gjatë mbledhjes së kryesisë Salianji …
Sali Berisha: Edhe njëherë… edhe njëherë, besoj se unë jam shprehur përfundimisht sot në konferencën e shtypit.
Pyetje: Zoti Ervin Salianji deklaron se nëse është vije e kuqe bashkëpunimi me krimin, atëherë ju kujton emërimin apo vendosjen tuaj në lista të zotit Arian Doja i cili po ashtu akuzohet për lidhje me krimin.
Sali Berisha: Edhe njëherë, edhe njëherë. Gjithçka kam patur unë për këtë çështje, e kam shprehur si kryetar i Partisë Demokratike dhe atë ju garantoj që nuk e lëviz dot aspak.
Pyetje: A do përjashtohet Salianji?
Sali Berisha: Asgjë nuk lëviz atje.
Pyetje: A do përjashtohet?
Sali Berisha: Qëndrimi, edhe njëherë, qëndrimi absolut i kësaj force politike është, vija absolute e kuqe është, janë bandat dhe krimi.
Pyetje: Përjashtohet kush shkel vijën e kuqe?
Sali Berisha: Shih statutin.
Pyetje: Pra mund të përjashtohet? Ju keni thënë në fillim të foltores që nuk do ketë përjashtime. Kur erdhët në krye të PD thatë që s’do ketë përjashtime.
Sali Berisha: Jo jo, nuk kam thënë që s’ka vetëpërjashtime.
Pyetje: Protesta do të jenë të qëndrueshme?
Sali Berisha: Protestat, absolutisht vetëm protesta. Revoltë jo protesta.
Pyetje: Do të qëndroni në shesh apo …
Sali Berisha: Ato do ti mësoni që të gjitha. Do ti mësoni se janë sekrete të organizatorëve.









