Berisha: Ishte sakrifica, burrëria, trimëria e qytetarëve të Kavajës që hodhën themelet e pluralizmit
Kryetari i PD, Sali Berisha në takimin me demokratët në Kavajë vlerësoi rolin vendimtar të këtij qyteti në rrëzimin e diktaturës dhe në lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri.
Duke e cilësuar Kavajën si qytet simbol të lirisë, burrërisë dhe sakrificës qytetare, Berisha theksoi se ishte qëndresa e qytetarëve dhe grupeve antikomuniste të Kavajës që hodhi themelet e demokracisë, duke u bërë frymëzim për lëvizjen studentore dhe për themelimin e Partisë Demokratike, 35 vite më parë.
Berisha: Të dashur qytetarë dhe qytetare të këtij qyteti të bekuar, kavajas dhe kavajase kudo që jeni sonte, në Kavajë, në Shqipëri dhe në katër anët e dheut.
Mirënjohjen më të pakufijshme, nderimin më të madh, ndaj jush, burra dhe gra, djem dhe vajza, me një shpirt dhe një raport me lirinë ndër më të përkryerit që mund të ketë njeriu i civilizuar, njeriu i qytetëruar.
Kavaja është simboli i njerëzve të lirë, i njerëzve që besojnë në vlerat më të larta, hyjnore dhe njerëzore, tek liria, Zoti, familja, Shqipëria. Ne mblidhemi sot në 35 vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike Kavajë.
Në të vërtetë, Partia Demokratike degë dega Kavajë formalisht u themelua nga me datën 17 dhjetor 1990 në darkë vonë, duke u gdhirë 18.
Por e vërteta është se ishte Kavaja, ishte sakrifica, burrëria, trimëria e qytetarëve të Kavajës dhe grupeve antikomuniste të saj që u hodhën themelet e pluralizmit, që u bënë inspirim për lëvizjen studentore.
Pra, në këtë kontekst, mund të themi se Partia Demokratike e Shqipërisë aq sa u themelua në qytetin studenti, po aq u themelua në qytetin e Kavajës.









