Gjoba, taksa!!!! Buxheti 2026 i Bashkisë Tiranë, mbi 400 milionë euro në dispozicion, konkurron edhe me ministritë

Gjoba, taksa!!!! Buxheti 2026 i Bashkisë Tiranë, mbi 400 milionë euro në dispozicion, konkurron edhe me ministritë

Mbi 39 miliardë lekë apo rreth 400 milionë euro. Kaq do të jetë buxheti i Bashkisë Tiranë për vitin e ardhshëm. Në raport me 2025-n, buxheti 2026 i kryeqytetit do të jetë 4.6 miliardë lekë apo 13.4 për qind më i madh. Edhe më e fortë rezulton rritja nëse ai krahasohet me vitin 2024.

Buxheti i Bashkisë Tiranë për vitin që vjen është ndër më të lartët edhe nëse krahasohet me institucionet e tjera, shkruan A2 CNN. Ajo renditet pas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë, Arsimit, Mbrojtjes dhe Ekonomisë e Inovacionit.

Pjesa më e madhe e buxhetit të vitit të ardhshëm të Tiranës janë para nga burimet e veta të bashkisë… mbi 21 miliardë lekë. Një në tre lekë të arkëtuara vijnë nga ndërtimet e reja ku përfshihen ato për qëllim banimi apo tregtare. Pjesa tjetër, 11 miliardë lekë janë të trashëguara, para të pashpenzuara ndër vite. Treguesi i cili lidhet me mosrealizimin e planeve të investimeve u ngrit si shqetësim edhe nga Erion Veliaj në letrën drejtuar Këshillit Bashkiak ku kërkoi që buxheti 2026 i Bashkisë Tiranë të mos miratohej pa praninë e tij. Rreth 121 milionë lekë ndërkohë janë financim i huaj dhe 8.2 milionë donacione. Pjesa tjetër e parave janë nga qeveria në formën e transferta të pakushtëzuara dhe kushtëzuara.

Në 365 ditët e vitit të ardhshëm Bashkia Tiranë ranë ka planifikuar mbi 12.5 miliardë lekë shpenzime për investime. Shpenzimet operative përllogariten në 10.3 miliardë lekë. Mbi 1.3 miliardë shkojnë për inceneratorin e pa-ndërtuar. Për pagat dhe sigurimet shoqërore të punonjësve janë planifikuar mbi 10.5 miliardë lekë.

Bashkia Tiranë është ndër institucionet me numrin më të lartë të punonjësve edhe krahasuar me ministritë. Në krye renditet Ministria e Arsimit me 30 mijë e 883 punonjës, ajo e Brendshme me 15 mijë e 791 dhe Mbrojtja me 9 mijë e 299 të punësuar. Tirana për vitin e ardhshëm planifikon të ketë 9 mijë e 167 punonjës duke lënë pas Ministrinë e Drejtësisë, Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale she atë të Financave

Share it :