Nesër mbledhja e Këshillit për Ballukun/ Zbulohen prokurorët që do jenë të pranishëm

Nesër mbledhja e Këshillit për Ballukun/ Zbulohen prokurorët që do jenë të pranishëm

Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, pritet të mblidhet ditën e nesërme (19 dhjetor 2025) për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe autorizimin për arrestimin e saj.

Burime për mediat bëjnë me dije se në mbledhjen e nesërme krahas prokurorit të çështjes Dritan Prençi në krah të tij pritet të jetë edhe kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, bashkë me prokuroren Dorina Bejko.

Pasditen e së martës, (16 nëntor 2025) Prokuroria e Posaçme (SPAK), i kërkoi Kuvendit, heqjen e imunitetit dhe marrjen e autorizimit për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku e cila akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike”.

Ndërkohë provat e SPAK për Ballukun të depozituara në një USB në Kuvend, nuk iu janë vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit.

Materialet që përmban USB-ja janë konsideruar sekret hetimor nga Peleshi dhe janë kyçur në kasafortën e protokollit, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se në mbledhjen që do të mbahet nesër do të diskutohet në prani të prokurorëve të SPAK nëse materiali sekret do t’iu vendoset në dispozicion deputetëve.

Ndërkohë sipas rregullores së Kuvendit pasi Këshilli i Mandateve të ketë shqyrtuar dokumentat dhe provat e paraqitura nga prokuroria, do të dalë me një raport dhe do t’ia paraqesë Kuvendit në seancë të hapur për votim.

Më pas imuniteti i Ballukut do të votohet nga mazhoranca dhe opozita, të cilat deri tani kanë shfaqur qëndrime të kundërta. Mazhoranca ka deklaruar se do të votojë kundër heqjes së imunitetit të Ballukut, ndërsa opozita pro. Mbetet për tu parë se si do të vendoset fati i numrit dy të qeverisë Rama, nesër.

Share it :