Belinda Balluku mund t’i ketë bërë Dritan Prençit një dhuratë të çmuar nëse vërtet e ka kërcënuar vartësen e saj Mirzeta Kashnica. Të paktën kështu pretendon SPAK në dosjen që kërkon arrestimin e Ballukut, sipas provave të siguruara me “metoda speciale”
Teksa politika merr vëmëndjen kryesore me zhurmën publike për fatin e Belinda Ballukut, në prapaskenë hetimi penal ka vijuar në heshtje, larg kamerave dhe pa deklarata bombastike. Prokurori i SPAK, Dritan Prençi nuk e ka ndalur punën hetimore edhe pas datës 31 tetor, ditën kur zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u shfaq në hyrje të SPAK për t’u marrë zyrtarisht e pandehur.
Një fletë tjetër nga dosja hetimore, e publikuar nga Gazment Bardhi, nxjerr në dritë një provë që mund të rezultojë vendimtare përpara Gjykatës së Posaçme të Apelit, në përpjekjen për të rënduar masën e sigurisë ndaj Ballukut.
Paralelisht me kërkesën drejtuar Kuvendit për autorizimin e një mase arresti më të rëndë, prokurori Prençi paraqitet këtë të enjte përpara trupës gjykuese me elementë të rinj. (Shiko foton më poshtë)

Në dosje, Prençi shkruan tekstualisht se “në vijim të hetimit, nga përdorimi i metodave speciale, kanë rezultuar të dhëna se nga ana e të pandehurës Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo ishte njohur me akuzën nga organi procedues dhe ushtronte detyrën si zëvendëskryeministre e Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion me forma të ndryshme,ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M.K. (vartëse e saj).”
Nëse ky pretendim, për kërcënimin e një vartëseje në Ministrinë e Energjisë që përfshihet në dosjen e tenderit të tunelit të Llogarasë ka ndodhur vërtetë, atëherë rrethanat e Ballukut përballë gjykatës bëhen shumë më serioze.
Në lojë është posti i saj i zv.kryeministre dhe Ministres së Energjisë për të cilin ajo dhe Rama po përpiqen ta mbajnë me thonj. Dhe në këtë situatë, nëse prokurori i çështjes ka arritur të vërtetojë presionet e Ballukut për punonjësit e ministrisë, atëherë kjo gafë e Ballukut mund të justifikojnë jo vetëm largimin e saj nga detyra, por edhe vendosjen e një mase sigurie më të ashpër, si arresti në shtëpi apo arresti në burg.
Burime të Lapsi.al bëjnë me dije se personi me inicialet M.K, i përmendur në dosje, është Mirzeta Kashnica, anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e tunelit të Llogarasë. Kashnica nuk rezultonte të kishte një rol qendror në dosjen fillestare për manipulimin e dokumentacionit, por sipas SPAK, ajo është vënë nën presion nga Balluku “në forma të ndryshme”, një formulim që sugjeron ndërhyrje të përsëritura dhe të qëllimshme.
Rasti të kujton episodet e intimidimit të dëshmitarëve në dosjen Veliaj, veçanërisht historinë e Ina Goxhajt, e cila u vu nën presion për të mos bashkëpunuar me SPAK, iu ndërrua telefoni dhe u orientua të mos tregonte të vërtetën. Dallimi është se Goxhaj u rikthye në Prokurorinë e Posaçme për të rrëfyer publikisht presionet dhe për të akuzuar ish deputeten e PS, Klotilda Bushka, ndërsa në rastin Balluku, prokuroria pretendon se ka zbuluar presionin ndaj Mirzeta Kashnicës përmes “metodave speciale”, çka nënkupton përgjime telefonike ose ambientale.
Pas marrjes së Ballukut si e pandehur, SPAK ka zhvilluar kontrolle në banesat e disa bashkëpunëtorëve të saj, si dhe në zyra të ndryshme ku dyshohet se mund të gjenden materiale që i shërbejnë hetimit. Ajo akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në aferën e tunelit të Llogarasë, pasi anuloi një procedurë dhe hapi një garë të re fiktive me rreth 50 milion euro më shumë.
Po ashtu, Balluku është nën hetim për shtatë lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, ku sipas SPAK fituesit dyshohet se ishin të paracaktuar.
Roli i saj në këto procedura është zbuluar përmes celularëve të ish drejtorit të ARRSH, Ervis Berberi, i cili kishte ruajtur komunikime konfidenciale me Ballukun.
Ndërkohë, prokurori Prençi i është drejtuar Kuvendit për autorizimin e arrestimit të Ballukut, ndërsa këtë të enjte, trupa gjykuese e Apelit të Posaçëm, e kryesuar nga Miliana Muça, shqyrton ankimin për pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës.
Kësisoj pretendimi i prokurorit Dritan Prençi, nëse rezulton i provuar do të ishte treguesi më i qartë se Belinda Balluku e ka humbur gjakftohtësinë për shkak të presionit personal dhe politik dhe në këtë gjendje, duket se ka bërë pikërisht atë që nuk duhej: një hap fals që mund t’i kthehet kundër në gjykatë./Lapsi.al









