Qosja: Kavaja, djepi i lirisë dhe themeli i demokracisë, ka qenë dhe do të mbetet bastion i PD

Qosja: Kavaja, djepi i lirisë dhe themeli i demokracisë, ka qenë dhe do të mbetet bastion i PD
Kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja në një fjalim të mbajtur para qytetarëve në Kavajës në 35 vjetorin e themelimit të degës së PD në këtë qytet, ka rikthyer në vëmendje rolin historik të qytetit në rrëzimin e regjimit komunist dhe lindjen e demokracisë.

Kreu i bashkisë e cilësoi Kavajën si djepin e lëvizjes antikomuniste dhe një bastion themelor për Partinë Demokratike, duke theksuar se guximi i kavajasve parandaloi një përpjekje të armatosur për të rikthyer regjimin e vjetër.

Duke evokuar ngjarjet e Marsit 1991, Qosja përkujtoi kryengritjen paqësore, por të fuqishme, që e shndërroi Kavajën në qytetin e parë të lirë të Shqipërisë. Ai nderoi sakrificën e Josif Budës, i cilësuar si “heroi i parë i demokracisë shqiptare”. Demonstratat e asaj kohe, ku qytetarët sulmuan komisariatin e policisë dhe shkatërruan simbolet e diktaturës, ai i përshkroi si një “legjendë” që frymëzoi mbarë vendin.

Fjala e kryebashkiakut Fisnik Qosja

Të nderuar demokrate dhe demokrate,

Të nderuar qytetarë të Kavajës,

I nderuar Profesor Doktor Sali Berisja

Gëzuar nga zemra të gjithve 35 vjetorin e Partisë Demokratike.

Sot jemi këtu, në Sheshin Demokracia, për të nderuar shpirtin e qytetarëve të kavajës që ishte dhe është më i madh se frika. Prandaj Partia Demokratike, kur lindi, gjeti këtu tokën pjellore për vlerat e saj: për dinjitetin, për lirinë, për besimin në zot, për demokracinë.

Ka qytete që thjesht ekzistojnë në kohë.

Dhe ka qytete që kohën e kthejnë në histori! Kavaja është një prej tyre.

Kavaja, nuk mund të jetojë ndryshe përveç se duke qenë protagoniste e historisë. Ka qenë e tillë përgjatë vitit 1912 në shpalljen e pavarësisë, e tillë në vitin 1990 në kthesën historike të Shqipërisë, e tillë në luftën e Kosovës dhe me gjasë e tillë është edhe sot.

Në të gjitha këto kohë, spikat një veçori e komunitetit Kavajas, një vlerë e mrekullueshme që ndriçon identitetin tonë; e cila nuk ka shpjegim të mirëfilltë, por që jeton gjithmonë në mes nesh si diçka e shenjtë, e që është: dashuria jonë për lirinë

Liria nuk është vetëm një e drejtë, është një gjendje e shpirtit për kavajasit.

Ajo lind kur njeriu nuk pranon të jetojë i përkulur dhe vdes kur frika bëhet zakon. Liria është fuqia e jashtëzakonshme e vlerave të larta, e normave që i mbajnë njerëzit të bashkuar, e talentit, e kurajos, e respektit dhe e dinjitetit.

Dhe liria, ka qenë gjithmonë një zgjedhje morale për ne: të rrezikosh sot, që fëmijët të mos kenë frikë nesër, që fëmijët të mos jenë të shtrënguar nesër, si një shprehje e jashtëzakonshme e dashurisë për familjen, dashurisë për Kavajën, dashurisë për Shqipërinë.

Këto janë vlerat që e nderojnë Kavajën.

Motra dhe vëllezër,

Viti1990 ishte padiskutim, një ndër momentet më të ndritura dhe më të lavdishme të kohës sonë, të historisë sonë.

Dua të ndalem një moment dhe të përulem me mirënjohjen më të thellë për popullin e Kavajës, për të gjithë ata burra e gra që u bashkuan bashkë duke thyer frikën për t’i hapur rrugën Shqipërisë.

Faleminderit nga zemra për të gjithë ata që manifestuan në Janar 1990, për të gjithë burrat dhe gratë që vranë frikën në 25-26 mars, për familjen Budo që humbi djalin e saj në lule rë moshës si dëshmor i parë i demokracisë, për qytetarët e Kavajës, për djemtë dhe vajzat që dolën masivisht të protestonin për vrasjen e Josifit duke e kthyer Kavajën në një tokë të lirë pas 45 vitesh,

si dhe padiskutim, për të gjithë ata që këtë vokacion, e formësuan si një lëvizje poltike me krijimin e partisë tonë, Partisë Demokratike. Më të bukurës dhe më të hijshmes.

Partia Demokratike është partia e dashurisë për Shqipërinë dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pas themelimit të saj, Dega e parë e saj do të ishte Kavaja.

Ndaj në këtë rrugëtim 35-vjeçar, sot është moment të përulemi me respekt përpara themeluesve, anëtarëve, mbështetësve tanë, kontributorëve ndër vite: burrave dhe grave që udhëhoqën fitoret toma por dhe ata që mbajtën gjallë Partinë Demokratike në kohë të vështira.

Sot është gjithashtu një moment për të kujtuar ata që nuk janë më mes nesh që i kemi përcjelle me dhimbje, por qe do të kujtohen gjithmonë për veprën e tyre.

I paharruar qoftë kujtimi i tyre.

Të nderuar miq,

Partia Demokratike u ndërtua për t’i dhënë fund frikës. Ajo u ndërtua për të rikthyer pronën, për të hapur kufijtë dhe mendjet, për të vendosur themelet e shtetit të së drejtës dhe për ta lidhur fatin e Shqipërisë me Evropën.

Të gjithë ne këtu e kemi kokën lart pasi përfaqësojmë një formacion politik që ka ndërtuar themelet e Shqipërisë, që i ka dhënë Shqipërisë shpresë dhe zhvillim.

Përfaqësojm një formacion politik patriotësh që duan të punojnë për Shqipërinë dhe ta shohin atë të shkëlqejë.

Dhe duket se koha po na thërret edhe një herë. Momenti ka ardhur dhe është data 22 dhjetor 2025.

Kemi nevojë të përveshim mëngët dhe ta bëjmë Partinë Demokratike fituese në të gjithë Shqipërinë. Të trokasim në çdo derë dhe të jemi të qartë me njerëzit. T’i ftojmë ata në shesh si një e drejtë e shenjtë, si një detyrim ndaj vendit dhe ta bëjmë Bulevardin “Deshmoret e Kombit” që të kumbojë për t’ hapur rrugë kohës së re të shqiptarëve. Dhe Kavaja do të jetë aty, në krye të sheshit.

Për ta mbyllur,

Le ta marrim forcën nga shpirti i madh i Kavajës, nga themeluesit, nga drejtuesit nder vite; nga tradita e saj për të mos u përkulur, nga guximi i saj për të mos heshtur, nga historia e saj për të qenë gjithmonë në anën e drejtë dhe të ecim përpara për një Shqipëri më të mirë për të ardhmen, për fëmijët tanë, për familjen tonë të madhe që është Shqipëria, pasi vetëm Partia Demokratike ka fuqinë për ta bërë këtë.

Nderim dhe mirënjohje të thellë për të gjithë anëtarët dhe të gjithë demokratë!

Gëzuar 35-vjetorin, Partia Demokratike Kavajë!

Gëzuar, Kavajë e shpirtit të madh!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Share it :