Unaza e Re si skenë krimi, 7 tenderat u paracaktuan nga Balluku – Berberi. 4 A-M mori lotin 2…
Elton Qyno – Syri.net/
E gjitha Unaza e Re është një skenë krimi, pasi prokuroria e posaçme SPAK gjatë hetimeve të kryera ka konstatuar se të gjithë kompanitë e shpallura fituese, janë paracaktuar më parë nga dyshja Evis Berberi dhe Belinda Balluku, ku njëri drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe tjetra Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës.
Tashmë të dy janë marrë të pandehur dhe pritet të përballen me masa të reja arresti në gjykatën e posaçme, pasi përmes komunikimeve në telefon “çifti” i zyrtarëve Balluku-Berberi, kanë paracaktuar të gjithë fituesit.
Madje në disa tendera, sipas bisedave të shkëmbyera përmes mesazheve telefonike, dukshëm sipas Berberit dhe Ballukut, konstatohet dhe interesi i kryeministrit Edi Rama, për firmat e parapëlqyera se kush do fitojë.
Të gjitha praktikat kanë dalë me Flamur të Kuq, ndërsa SPAK ka depërtuar në telefonat e Evis Berberit, duke nxjerrë në sipërfaqe të gjithë prapaskenën e paracaktimin të parave publike se kush duhet ti fitonte.
Disa kompani si “Alb-Star”, e Sadik Ismailaj, apo “G.P.G. COMPANY” e Gëzim Dani dhe Paqsor Buzi dhe “SENKA” e Ylli Senka, janë me pronarë nga Fieri, qarkun në të cilin Belinda Balluku, e ktheu në masakër elektorale, ku PS fitoi 12 mandate deputeti.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se tenderi i parë që është paracaktuar nga dyshja Berberi-Balluku është ai që kishte si synim për plotësimin, rakordimin dhe vazhdimin e punimeve tek Sheshi “Shqiponja” Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe ndërtimin e Qëndrës së Monitorimit të Trafikut.
Këtë tender sipas SPAK është paracaktuar nga zyrtarët e ministrisë dhe ARRSH dhe e ka fituar kompania “Salillari”, e biznesmenit Pëllumb Salillari, duke ofruar vlerën ekonomike prej 2 miliard e 283 milion lekë. Ndërsa është skualifikuar kompania e “Gener 2” e Bashkim Ulaj.
Ndërsa tenderin për ndërtimin e Qendrës së Monitorimit të Trafikut e ka fituar Bashkimi i Operatorëve Ekonomike “Mc Networking”, “Intetra Elektronik Sanayi Anonim Sirk” dhe “Gjoka Konstruksion”, të cilët ofruan tek Balluku vlerën 21 milionë euro për kryerjen e këtij shërbimi.
Praktikën tjetër me objekt “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2”, e ka fituar Bashkimi i Operatorëve “4 A-M” e Ardit Metaliaj, “ED KONSTRUKSION” me pronarë Alfred Ibrahimi, Eduart Ibrahimi, Jorgjie Ibrahimi, Ramadan Ibrahimi si dhe “I.D.K – KONSTRUKSION” e Bajram Dalipaj, në vlerën prej 2 miliard e 485 milion lekë.
Tenderin tjetër të Unazës së Re me objekt “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana është paracaktuar tek kompania tjetër “ALB-STAR” e Sadik Ismailaj, i cili ka ofruar vlerën prej 2 miliard e 559 milion lekë të vjetra.
Praktikën tjetër e për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4 e kanë paracaktuar tek “EUROTEOREMA PEQIN” dhe “PE-VLA-KU” e Kujtim Arifaj, Vladimir Pjetergjokaj si dhe “NOVA Construction 2012” e Ilir Shtufit, të cilët ofruan vlerën 2 miliard e 96 milion lekë.
Gjithashtu tenderi tjetër për “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5, sipas dosjes së SPAK është paracaktuar tek Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “G.P.G. COMPANY” në pronësi të Gëzim Dani dhe Paqsor Buzi nga Fieri dhe “SENKA” e Ylli Senka nga Fieri me vlerë 1 miliard e 802 milion lekë.
Njëherësh e paracaktuar ka qënë dhe gara për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6, ku sipas SPAK është paracaktuar kompania e “Gjoka Konstruksion” e Rrok Gjokës, të cilën kanë ofruar vlerën prej 1 miliard e 716 milion lekë.
Po ashtu sipas SPAK e paracaktuar dhe gara për tenderin e ndërtimt të Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7, ku Bashkimi i Operatorëve Ekonomik, “ALKO-IMPEX General Construcion” e Arbër Abazit dhe “2-T” Artan Sakos dhe Dritan Troksi, është zgjedhur fitues nga Belinda Balluku dhe Evis Berberi, në vlerën 2 miliard e 353 milion lekë reja.
Lista 7 tenderat dhe Fituesit
1 – Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT
“Salillari” me vlerë 2 miliard e 283 milion lekë të reja fituesi
Skualifikohet “Gener 2” i Bashkim Ulaj
2- “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2”
“4 A-M dhe “ED KONSTRUKSION” dhe “I.D.K – KONSTRUKSION” me vlerë 2 miliard e 485 milion lekë
3- Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana
“ALB-STAR” me vlerë 2 miliard e 559 milion lekë të vjetra
4- Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4
“EUROTEOREMA PEQIN” dhe “PE-VLA-KU” si dhe “NOVA Construction 2012” me vlerë 1 miliard e 991 milion lekë.
5 – “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5
BASHKIMIT TË OPERATORIT EKONOMIKË
“G.P.G. COMPANY dhe SENKA” me vlerë 1 miliard e 802 milion
6- Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6
“Gjoka Kontruksion” me vlerë 1 miliard e 716 milion lekë
7- Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7
BASHKIMIT TË OPERATORËVE EKONOMIKË “ALKO-IMPEX General Construcion” e Arbër Abazit dhe “2-T” Artan Sakos me vlerë 2 miliard e 353 milion lekë reja









