Hetimet e SPAK, Kalaja: Në tjetërsimin me pronat në Himarë i përfshirë Rama dhe zyrtarë të lartë

Hetimet e SPAK, Kalaja: Në tjetërsimin me pronat në Himarë i përfshirë Rama dhe zyrtarë të lartë

Avokatja Adriana Kalaja është paraqitur ditën e sotme në SPAK, ku është marrë në pyetje në cilësinë e kallëzueses për një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit, atë të abuzimeve me pronat në bregdetin e Himarës.

Në një prononcim për mediat, Kalaja zbuloi se është thirrur në lidhje me një nga 86 kallëzimet që ka depozituar, i cili ka në fokus abuzimet me pronat publike në Bashkinë e Himarës. Ajo ka bërë akuza të forta, duke deklaruar se në këtë aferë janë të përfshirë emra të njohur të politikës, duke nisur nga Kryeministri Edi Rama, zyrtarë të tjerë të lartë, si dhe ish-drejtuesi i Kadastrës, i cili aktualisht mban mandatin e deputetit.

Sipas Kalajës, çështja nuk përfshin vetëm tjetërsimin e paligjshëm të pronave përgjatë gjithë vijës bregdetare të Himarës, por edhe implikimin e institucioneve ligjzbatuese. Ajo theksoi se në kallëzim është përfshirë edhe Policia e Vlorës, duke e konsideruar të gjithë skemën si një “grup të strukturuar kriminal”. Sipas saj, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, drejtues të Bashkisë së Himarës dhe efektivë të policisë kanë luajtur një rol kyç në këtë “grabitje pronash”.

Adriana Kalaja: Atëherë, së pari unë, meqenëse ndodhi dhe marrja ime në pyetje apo dhënia e deklaratës, me cilësinë e kallëzueses, me ditën e parë të punës të zotit Braho, i uroj suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme dhe uroj dhe besoj që këto vite të drejtimit të SPAK-ut, të jenë vite ku të zbatohet ligji dhe kushtetuta.

Unë si kallëzuese, po besoj dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, kërkojmë që të intensifikohet puna e SPAK-ut në drejtim të evidentimit të korrupsionit megaloman deri më sot dhe mbi të gjitha të lidhjes që ka ky korrupsion, zyrtarët e lartë që kryejnë vepra korruptive me krimin e organizuar.

Së dyti, unë jam thirrur me cilësinë e kallëzueses për një nga 86 kallëzimet që kam bërë. Bëhet fjalë për abuzimet me pronat publike në zonën që i korrespondon Bashkisë Himarë dhe siç e dini ju, në këtë zonë, jo vetëm ka abuzime me pronat publike, por mbi të gjitha, personat e përfshirë janë që nga kryeministri Rama, bashkë me zyrtarë të tjerë të lartë dhe përfshirë këtu edhe ish-drejtuesin e arkivës që sot gëzon mandatin e deputetit.

Pra, është një kallëzim i imi i bërë në korrik të 2024-ës, kam referuar dhe kallëzime të tjera shtesë në raport me këtë kallëzim. Prokurori ka evidentuar për interes të kësaj çështje t’i bashkojë të gjitha kallëzimet në një kallëzim të vetëm dhe në funksion të ruajtjes së sekretit hetimor, unë do rezervoj të drejtën për të dhënë detaje të mëtejshme rreth kësaj çështje. Shumë shpejt do njiheni edhe me rezultatet konkrete të kësaj çështje dhe me vendimarrjen që do marri SPAK-u.

Kështu që unë jam besimplotë që SPAK-u do ta intensifikojë punën e tij në aspekt të zbardhjes së të gjithë dosjeve që janë atje. Fatkeqësisht nga shumë prokurorë akoma të pavëna në lëvizje, por besoj që viti 2026 do t’i gjejë dhe prokurorët e SPAK-ut më të entuziazmuar për të për të bërë detyrën e vet në fakt deri në fund.

Pyetje: Pra bëhet fjalë për çështje që kanë të bëjnë me marrjen në pyetje më herët të ish-kryebashkiakut, deputetit Tërmet Peçi dhe i referohen edhe kallëzimit që keni bërë ju?

Adriana Kalaja: Jo, jo, kjo nuk kishte lidhje me kallëzimin e Tërmet Peçit. Jam thirrur për një kallëzim tjetër dhe siç ju thashë, pra është subjekt tjetër, është për Bashkinë Himarë, pra si subjekt, për tjetërsime pronash në mënyrë të kundraligjshme. Bëhet fjalë për gjithë bregdetin e Himarës dhe mbi të gjitha subjektet e kallëzuar janë dhe policia e Vlorës, pra ne e kemi konsideruar si grup të strukturuar kriminal, sepse me veprimet dhe mosveprimet e veta, në të gjithë këto tjetërsime apo grabitje të pronës, kanë një rol shumë kryesor drejtuesit e Bashkisë Himarë, policia e Vlorës, policia bashkiake dhe IMT e bashkisë Himarë, kadastra dhe siç e thashë ish drejtuesi i Arkivës së Shtetit.

Share it :