Hoxha zbulon skemën e korrupsionit: Politika, biznesi dhe krimi organizuar abuzuan 1.2 mld euro, SPAK vonoi…
Akuzat e bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj po vërtetohen, duke zbuluar konturet e një skeme gjigante korrupsioni që kap shifrën e 1.2 miliardë eurove vetëm në njërin prej rasteve të hetuara. Hoxha tregon se nuk bëhet fjalë për një “varkë që fut ujë”, por për një “kroçer” të mirëfilltë, një makineri industriale e ndërtuar mbi ndërthurjen e botës së politikës, biznesit dhe krimit të organizuar.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, gazetari investigativ Artan Hoxha denoncoi funksionimin e një makinerie korrupsioni në nivel të lartë, që ka prodhuar abuzime financiare në shkallë miliardash. Ai theksoi se heshtja dhe vonesat e institucioneve ligjzbatuese, përfshirë SPAK-un, kanë lejuar që ky rrjet të operojë pa pengesa, duke cenuar interesin publik dhe duke rrezikuar të drejtën e qytetarëve për llogaridhënie.
Hoxha bëri të qartë se çdo ditë që kalon, abuzimet bëhen më të mëdha dhe potencialisht kërcënojnë stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit.
Pjesë nga deklarata:
Në fakt, sot ndodhemi para një të vërtete, e cila tashmë është provuar 100%. Kam parasysh edhe reagimin që pati kreu i SPAK-ut në atë kohë, i cili tha se zoti Ahmetaj mund t’ua jepte deklarimet e tij për prokurorët e SPAK-ut dhe mund të bashkëpunonte me SPAK-un. Ligji e ka të përcaktuar qartë: nëse prokuroria bie në dijeni të një fakti publik i cili deklarohet në media, mund të nisë menjëherë hetimet kryesisht. Pra, nuk është hera e parë; e kanë bërë me qindra, madje me mijëra herë këtë gjë. Në rastin konkret, të ish-zëvendëskryeministrit, e kishin edhe më të lehtë ta bënin, sepse ai i detajoi dhe argumentoi mirë, një nga një, të gjitha shkeljet dhe abuzimet.
Ti e quaje në fillim kur e nise: varka e qeverisë po fut ujë. Në fakt, nuk është varkë, është kroçer. Kroçera, shiko, vetëm Balluku deri tani, sepse do të shikosh më tej, por deri tani akuzohet për abuzime me 1.2 miliardë euro. Nuk ka varkë. As ato varkat që nisin nga Venezuela për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i mbyt flota amerikane në oqeanin Atlantik apo Paqësor, s’mund t’i mbajnë dot kaq shumë para. Dhe ky, siç thashë, është vetëm fillimi.
Në këto kushte, dhe për më tepër të thëna nga numri dy i qeverisë, patjetër që këto duhet të ishin vlerësuar maksimalisht dhe situata të ishte reaguar në kohë sapo foli zoti Ahmetaj. Të paktën ne do të kishim pasur një zhvillim tjetër politik, ose nuk do të kishim këtë rezultat të zgjedhjeve të vitit të kaluar. Imagjinoni, po të ndërhynte SPAK-u që në intervistën e parë të zotit Ahmetaj, ne nuk do të kishim rezultatin në qarkun e Fierit, që nuk ka ndodhur as në ’97-ën: 12 mandate. Pra, nuk do të kishim Zenjën në Parlament, minimumi, do na e kishin kursyer këtë gjë.
Gjithsesi, tashmë e kemi të qartë se si piramida e pushtetit ka funksionuar dhe kemi të lidhur mirë se si bota politike, bota e biznesit dhe bota e ndërthurur me krimin e organizuar kanë funksionuar si një ingranazh i tërë për të krijuar këtë valencë pushteti, e cila ka çuar peshoren krejtësisht në njërin krah, duke dëmtuar në mënyrë të pariparueshme. Besoj se do ta vuajmë këtë gjë për dekada me radhë, për shkak të keq-qeverisjes dhe abuzimit në përmasa të frikshme. Çdo ditë që hapen petët e, po i quaj lakror, çdo ditë del abuzimi është i frikshëm. Imagjinoni, s’jemi akoma te tigrat, te 90.000 euro në ditë qira, vetëm qira, pa llogaritur 500 ton mazut në ditë që…
Aty çfarë nuk ka ndodhur! Mos harro, është shpallur non grata nga Departamenti i Thesarit familja Hysa, të cilën nuk e njihnim në publik deri sa e pamë duke dalë nga kryeministria. Pra, deri në këto nivele është çuar. Nuk di ku ta kapësh. Fut dorën ku të duash, mos bëj fare dallim. Mos i favorizo askund. Shtrije dorën në çdo projekt, çdo investim, çdo infrastrukturë.
Arben Ahmetaj denoncoi një tunel dhe pamë që atij tunelit i mungonin të dyja urat, në hyrje dhe dalje, dhe pastaj deklarata e atij inxhinieri grek të kompanisë së supervizionit, Janis Kekenedis, i cili tha: fut ndonjë fije hekuri, sepse kjo nuk është thjesht një vrimë, është një tunel. Pra, përveç abuzimit të frikshëm, jemi para një fenomeni tjetër, i cili mund të rrezikojë, ose më saktë rrezikon, jetë të tjera qytetarësh të pafajshëm.
Edhe pse nuk ka rënë akoma, po pikërisht jemi akoma. Do të shikosh ku do të çojmë më tej, por deri tani kjo lloj skeme dukej tre hapa para, sepse ai kontrollonte çdo gjë. Mjaftonte vetëm një dalje e vogël nga rreshti që të shpërfaqte skemën dhe të tregonte se çfarë po ndodh në të vërtetë. Kjo është diçka që e dinim, sepse shikonim se sa më shumë skandale dilnin, aq më thellë fitonte mazhoranca. Pra kishte një logjikë të pallogjikshme: sa më shumë kapej në korrupsion, sa më i madh të ishte korrupsioni, aq më i thellë ishte rezultati elektoral.
Atëherë diçka nuk shkonte dhe nuk shkonte kaq keq sa dukej e pabesueshme. Ku të përsëriteshin zgjedhjet, rezultati vazhdonte të thellohej. Dhe ne thoshim: si ka mundësi që populli është atrofizuar dhe i ka humbur nervi? Ndërkohë kishim përballë një makineri industriale të vajisur me miliarda të korrupsionit, e cila nuk kishte nevojë fare që qytetarët të votonin, sepse e kishin realizuar projektin e tyre që pa filluar votimi.
A i mbani mend takimet në Kuç që bënte Rama? Rezultati dilte fiks, sepse ingranazhi i korrupsionit e kishte përcaktuar qartë ku dhe si do të gjendeshin votat. Kur morën Shkodrën, edhe për moral e kishin lënë sikur në vend ekziston demokracia. Por kur u ngjitën në veri, duke marrë një nga një qarqet: Dibrën, Kukësin, Lezhën dhe në fund Shkodrën, ata dëshmuan se mund të merrnin gjithçka.
Pyetja lindte: si e arrijnë këta? Kur shikon se me çfarë emrash përfaqësohesh në kuvend, duket si spektakli “Portokalli”. Kaq humoristike e bëjnë, por pasojat janë shumë të rënda dhe do t’i vuajmë me dekada. Për zonjën Balluku, deri tani janë vetëm 11 tenderë. Kur të shkojmë më thellë, do të shikosh se si media, pushteti i katërt, është vënë në shërbim për të ndryshuar perceptimin publik, duke bombarduar qytetarët me propagandë, duke stepur pakënaqësinë dhe duke inkurajuar industrinë që arrinte të prodhonte mandate.
Ka edhe një pyetje tjetër: kush e pengoi SPAK-un të vepronte më përpara? Zoti Ahmetaj nuk ka folur dje, as para një muaji, as para një viti; ka folur më përpara. Kush e pengonte që të shpëtoheshin disa nga këto miliarda të abuzuara? Hetimi ka nisur shumë më përpara. Atëherë çfarë ka ndodhur aty? Si ishte e mundur që SPAK-u vepron gjithmonë pas zgjedhjeve, pasi merret mandati? Ti mund të dënosh emra, por nuk mund t’ia marrësh pushtetin.
E gjithë kjo situatë, edhe me reagimin e opozitës, duket e pamjaftueshme për të bërë atë që është ulëritëse. Duhet një ndryshim sa më parë, që të shpëtojmë çfarë mund të shpëtojmë, sepse barra e vajit ka ikur. Tani ka ngelur të shpëtojmë ndonjë kokërr ulliri, pasi barrën e vajit e kanë marrë me vete.






