Afati për Marco Rubio/ 90 ditë monitorim autokracive të Ballkanit Perëndimor
Më 18 dhjetor 2025, Presidenti Donald Trump firmosi ligjin vjetor të mbrojtjes së SHBA, NDAA 2026, një akt që tradicionalisht shërben jo vetëm për buxhetet ushtarake, por edhe si dokument orientues i politikës së jashtme amerikane. Brenda këtij ligji, Ballkani Perëndimor trajtohet si një hapësirë ku demokracia, korrupsioni, media, ekonomia dhe siguria kibernetike shihen si pjesë e të njëjtit problem strategjik. Kapitulli për Ballkanin Perëndimor mban emrin “Kapitulli F për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”.
Qysh në hyrje, Kongresi amerikan e vendos tonin politik duke e përkufizuar rajonin si “një rajon pluralist, shumetnik, në zemër të Europës, kritik për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit”. Ky formulim sinjalizon se destabiliteti në Ballkan shihet si risk europian dhe transatlantik.
Demokracia si çështje sigurie, jo si retorikë
Një nga mesazhet më të qarta të kapitullit për Ballkanin Perëndimor është mënyra se si SHBA e trajton demokracinë, jo si vlerë abstrakte, por si kusht funksional për stabilitetin. Teksti thotë se “paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i vazhdueshëm në Ballkanin Perëndimor lidhen drejtpërdrejt me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve”. Me pak fjalë, mungesa e zgjedhjeve reale, kapja e institucioneve apo varfërimi i debatit publik konsiderohen faktorë destabilizues.
Ligji shkon edhe më tej duke e identifikuar korrupsionin në vendet e Ballkanit Perëndimor si nyjën kryesore të krizës demokratike. Në formulim të drejtpërdrejtë thuhet se “korrupsioni, përfshirë edhe mes drejtuesve kryesorë politikë, vazhdon të rëndojë Ballkanin Perëndimor dhe përbën një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik”. Në kontekstin shqiptar, ku korrupsioni shpesh relativizohet si “kosto tranzicioni”, ky përkufizim amerikan e zhvesh nga çdo justifikim kulturor apo historik.
Po aq domethënëse është fjalia tjetër: “korrupsioni dhe dezinformimi përhapen në mjedise politike të shënuara nga kontroll autokratik ose konflikt i ashpër partiak”. Ajo sugjeron se kur pushteti përqendrohet dhe institucionet kontrolluese dobësohen dhe korrupsioni është rezultat i natyrshëm.
Media e lirë, instrument kundër korrupsionit
Në kapitullin për nismën antikorrupsion, SHBA kërkon të “promovojë rolin e rëndësishëm të një mediaje të pavarur në kundërshtimin e korrupsionit”, në vendet e Ballkanit Perëndimor duke e shoqëruar këtë me trajnime për gazetarinë investigative dhe angazhim të drejtpërdrejtë me qeveritë e rajonit.
Në një tjetër pjesë, Kongresi thekson nevojën për “media të pavarura” dhe “qeverisje transparente, të përgjegjshme dhe që i përgjigjet qytetarëve”. Në kontekstin e Shqipërisë, ku presioni ekonomik, politik dhe ligjor mbi mediat është bërë pjesë e normalitetit, ky formulim dikton një tjetër kontradiktë me realitetin shqiptar.
Kosova dhe Serbia, vijë e kuqe ndaj shkëmbimit të territoreve
Duhet thënë se një kapitull i veçantë i kushtohet marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kongresi amerikan e vlerëson marrëveshjen e 27 shkurtit 2023 si “një hap pozitiv drejt normalizimit të marrëdhënieve”, por kërkon që palët “të bëjnë përparim të menjëhershëm në Aneksin e Zbatimit”.
Ligji e formulon pa ekuivok se SHBA “nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbim territoresh, ndarje, ose forma të tjera të ridizenjimit të kufijve sipas vijave etnike në Ballkanin Perëndimor”. Dhe arsyetimi është po aq i drejtpërdrejtë: mbështetja e demokracive pluraliste shihet si mënyra për “të parandaluar kthimin e përplasjeve etnike që dikur e karakterizonin rajonin”.
Për rajonin kjo është një garanci politike që vjen nga SHBA. Ajo e përjashton logjikën e pazareve territoriale si zgjidhje dhe e lidh stabilitetin afatgjatë me demokracinë dhe njohjen reciproke, jo me rishkrimin e hartave.
Siguria kibernetike, shteti nën sulm pa armë
Një nga risitë e ligjit është pesha që i jepet sigurisë kibernetike. Kongresi paralajmëron se “cenueshmëria ndaj sulmeve kibernetike ose ndaj infrastrukturës së teknologjisë së informacionit rrit rreziqet për funksionimin e qeverisë dhe ofrimin e shërbimeve publike”.
Kjo fjali ka rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pas skandaleve të fundit që u zbuluan kur sistemet kibernetike kishin kaluar në dorë të miqve të kryeministrit dhe dyshimet janë se janë shfrytëzuar edhe nga bandat kriminale. SHBA e bën të qartë se kjo nuk është çështje IT, por çështje sigurie kombëtare. Madje ligji thekson se është “në interesin e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara” që vendet e Ballkanit Perëndimor të forcojnë qëndrueshmërinë kibernetike.
Për herë të parë, Ballkani trajtohet si front i luftës hibride, ku zgjedhjet, shërbimet publike dhe infrastruktura digjitale janë objektiva strategjike.
Rusia, Kina dhe lufta hibride
Ligji e lidh drejtpërdrejt dobësinë e institucioneve demokratike dhe korrupsionin me ndikimin e jashtëm. Ai paralajmëron se varësia nga energjia ruse “ua lidh ekonomitë dhe politikat vendeve të Ballkanit Perëndimor me Federatën Ruse dhe pengon aspiratat e tyre për integrim europian”. Në të njëjtën frymë, ndikimi i Kinës përshkruhet si faktor që “mund të ketë ndikim të dëmshëm mbi konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Europën”.
Për ta bërë këtë më shumë se retorikë, ligji vendos detyrime raportimi nga sekretari i Shtetit Marko Rubio që duhet të raportojë mbi operacionet keqdashëse ruse dhe kineze që synojnë “të minojnë institucionet demokratike”, “të nxisin paqëndrueshmëri politike” dhe “të dëmtojnë interesat e SHBA dhe aleatëve të saj”.
Afatet për Marco Rubio, presion për rezultate konkrete
Ligji nuk mjaftohet me parimet e politikës së jashtme amerikane, por përfshin afate të qarta raportimi mbi rezultatet që ka arritur administrata amerikane, dhe kur, me data.
Meqë ligji u firmos më 18 dhjetor 2025, afatet kryesore që dalin nga ky nënkapitull, të llogaritura në kalendar, janë këto.
Brenda 90 ditësh, pra jo më vonë se 18 mars 2026, Sekretari i Shtetit Marko Rubio duhet të bëjë një briefing për Kongresin mbi progresin për strategjinë rajonale 5 vjeçare të zhvillimit ekonomik dhe ripërtëritjen e demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. 
Brenda 180 ditësh, po ashtu jo më vonë se 16 qershor 2026, CEO i DFC dhe Sekretari i Shtetit duhet të paraqesin raport të përbashkët, ku përfshihen edhe garancitë sovrane të huave për projekte infrastrukture dhe diversifikimi energjie. 
Brenda 1 viti, pra jo më vonë se 18 dhjetor 2026, kërkohet raport ndërinstitucional për sigurinë kibernetike dhe mjedisin digjital të informacionit në vendet e rajonit. 
Gjithsesi, mesazhi më i mirë për Ballkanin Perëndimor dhe për Shqipërinë është se SHBA do të shtojnë vëmëndjen e tyre ndaj rajonit, duke shtuar përpjekjet për demokratizimin e shoqërive të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të përshpejtohet integrimi në Bashkimin Europian. Po aq e rëndësishme është mohimi i pazareve etnike, lojërat me territorin e Kosovës që nuk shihen më si zgjidhje, por si rrezik./Lapsi.al









