Atdheun po e vret heshtja intelektuale
Nga Enver Bytyci
Mos u çudisni! Shqipëria ka së paku njëmijë profesorë. Ka gjithashtu mbi 5000 pedagogë. Dhe po të llogarisim edhe njerëzit e tjerë që punojnë në sektorin publik dhe privat, numri i intelektualëve shkon në mbi dhjetë mijë veta. Më shumë sesa numri i ushtarëve dhe oficerëve të ushtrisë shqiptare. Pra kemi intelektualë më shumë se sa një ushtri e kohës reale. Por heshtja i ka pllakosur thuajse të gjithë këta njerëz, të cilët dikush i konsideron ajkën e kombit, dikush tjetër elitë e kështu me radhë! Ajka apo elita në fakt hesht, nuk ndihet, nuk flet, nuk sheh, nuk dëgjon, nuk e jeton me shpirt realitetin tragjik të kombit të vet, të atdheut që lëngon nën sundimin e mafies!
Ndër ata që flasin, më së shumti mbrojnë mafien, sepse shteti i mafies ka korruptuar edhe intelektualët, sidomos krerët e organizatave dhe shoqatave, si edhe akademikët e akademinë, institutet dhe qendrat e studimit, universitetet dhe rektoratet e tyre. Mafia ka punuar me sistemin e patronazhimit të çdo hallke dhe intelektuali që kryen një funksion publik. I ka në xhep ata, ose së paku shumicën prej tyre. Tek të tjerët ka futur konceptin e relativizimit të të keqes dhe indiferencën. Në shumë raste ka paguar që të ngjizet ideja se “të gjithë njësoj janë”! Ndërkohë në universitetet tona e qendrat studimore hapur reklamohet “e drejta për t’u korruptuar”! Një profesor në Vlorë i pyeste studentët e juridikut: – Çfarë do të bënit ju po të ishin avokat? Do të zbulonit avantazhet që të jep ligji për mbrojtjen e klientit, apo do të kontaktonit me prokurorin dhe gjyqtarin? Dhe më pas këshillonte: – Ju kisha rekomanduar që të kombinoni me prokurorin de gjyqtarin, ndryshe do ta keni të humbur gjyqin!
Kjo qasje në auditorët universitare, ku mungon njësia më e vogël e idealizmit njerëzor e kombëtar, është ngjizur nga mafia në pushtet e me pushtet. Ky qëndrim ka deformuar lëvizjen intelektuale në Shqipëri dhe ka bërë që të gjithë të rendin pas interesit material e financiar! Ka prej atyre drejtuesve në njësitë nga shefi i departamenteve, fakultetet dhe deri te rektorët, të cilët janë emëruar nga mafia ose pushteti i saj në qeverinë shqiptare të mafies. Dhe në këto kushte duket se është paralizuar gjithçka. Ka humbur funksioni i intelektualit, i njohur historikisht si funksion i përparimit, shpresës dhe progresit.
Shqipëria nuk po vuan vetëm nga vjedhja e pashembullt që u bën shqiptarëve kryeministri, ministrat dhe bandat e mafies. Ajo po vuan paralizën totale, edhe atë intelektuale. Shqipëria, nëse nuk do të ishte e vjedhur, do të ishte bërë tashmë Zvicra e Ballkanit. Do të duhej ta kishte infrastrukturën më të zhvilluar në rajon. Nuk do të vuante për ujë dhe ushqimet bazë për jetesë. Shqipëria që nuk vidhet ka dëshmuar se mund të zhvillohet me ritme të jashtëzakonshme. Mjafton të lëshojmë sytë nga vitet 2005-2009 dhe gjithkush e kupton se kur ekziston vullneti i shtetarëve Shqipëria zhvillohet. Zhvillohet edhe hapësira intelektuale dhe perspektiva e rinisë.
Ndërsa sot kemi një Shqipëri në lëngatë, me histori mafioze si askund tjetër në historinë e botës. Ku një koordinator midis krimit dhe kryeministrit brenda disa muajve shton pasurinë e tij nga 1000 euro në mbi 230 milion euro. Jo për shkak të biznesit, por për shkak të suportit të mafies dhe kryeministrit të Shqipërisë. Sepse ky njeri e bëri këtë pasuri duke dyfishuar vlerën e tenderve të përcaktuar! E megjithatë intelektualët tanë heshtin. Shqipërisë po i kërcënohet territori detar dhe përveçse 4-5 intelektualëve, të tjerët heshtin. Shqipëria po vuan krizën e sistemit dhe po i dorëzohet çdo ditë sistemit autoritar e madje totalitar dhe intelektualët merren me opozitën! Shqipëria është në kaos total dhe intelektualët bëjnë pyetjen se “Çfarë bën opozita”!
Këta nuk janë intelektualët e shpresës, por janë intelektualët e ferrit njerëzor dhe kombëtar! Zgjohuni kolegë, se nëse atdheu rrëshqet në humnerë, atëherë tërmeti ju përfshin edhe ju! Çdo ndjenjë dhe qëndrim indiferent do t’ju bëjë ju fajtorë!








