Diella, krijesa që po përvëlon të atin
Nga Andi Bushati
Për të promovur ministren e parë virtuale Edi Rama përdori të njëjtën alibi me atë të 2017-ës, kur e kaloi AKSh-in nën vartësinë e tij dhe i akordoi gjysëm miliardi euro për të luftuar korrupsionin…Në fakt shkuan te Ergys Agasi
Të gjithë ata që u habitën me Diellën sot e kanë një përgjigje. Përtjej bujës së ministres së parë virtuale në histori, që zaptoi në mënyrë sensacionale faqet e shumë mediave të mëdha të botës, fshihej një plan meskin për të vjedhur.
Duke prezantuar të parën anëtare të kabinetit, jo prej mishi dhe gjaku, por krijim të inteligjencës artificiale, Edi Rama përdori të njëjtën taktikë që ka shoqëruar karrierën e tij: krijo zhurmë me ngjyrosjen e fasadave, për të bërë miliona me lejet e ndërtimit; shkatërro dhunshëm Lazaratin, për ta mbushur të gjithë Shqipërinë me kanabis; shpall aksionin “fundi marrëzisë”, për të legjitimuar biznesin okult të lojrave të fatit; proklamo zhdukjen e zhulit nga qytetet, për të zhdukur 400 milionë me inceneratorët.
Tani, nën dritën e re të përgjimeve të bëra publike nga kapja e kamerave të fshehta të Ergys Agasit, deklaratat e kryeministrit, në ditëlindjen e Diellës, duken më qesharake se kurrë. Ai tha se po emëronte një ministre virtuale, e cila do i përkushtohej prokurimeve publike dhe luftës kundër korrupsionit. Ai predikoi se fill pas kësaj Shqipëria do të qe një vend “100 % i lirë nga korrupsioni”, pasi do të shmangeshin ndërhyrjet njerëzore në vendimarrje, duke siguruar një sistem “transparent, efikas dhe jashtë ndikimit të interesave private”.
Dhe ku e caktoi të qe materniteti i kësaj krijese që do bënte rrevolucionin? Pikërisht te AKSH-i institucioni që dikur zëvendësi i vet fatkeq, Arben Ahmetaj, e etiketoi si “kopështin e tij personal”. Pikërisht aty ku asnjë garë publike nuk është bërë e ndershme, ku fituesit kanë qenë të paracaktuar, ku për një tender që kushtonte dy milionë euro, tavani bëhej katër, ku ata që nuk bindeshin merreshin peng nga kriminelë, ku këtyre të fundit i vinin në ndihmë edhe officerë të lartë të policisë, e madje kur diçka shkonte keq, futej në punë për ta korrigjuar Komisioni i Prokurimeve Publike.
Po ti shtojmë këtyre fakteve edhe përdorimin elektoral të AKSH-it, për të vjedhur dhe keqpërdorur të dhënat e qytetarëve shqiptarë, duke i vënë ato në shërbim patronazhistëve elektoralë, del e qartë se aty ishe organizuar një shtet banditesk brenda shtetit.
Eshtë e pa imagjinueshme të besosh se një skemë e tillë mafioze, të cilës i bindeshin edhe shumë hallka të tjera, e kishin vënë në punë të vetëm, Agasi, Kërçanaj dhe Beqiri. Ata nuk janë ideatorë, por thjeshtë shërbëtorë, të shpërblyer në mënyrë të majme.
Përpos imagjinatës, hipotezën se kjo skemë ishte konceptuar sipër tyre e mbështesin edhe faktet. A nuk qe Ergys Agasi një njeri i përfolur kudo si miku i mbrëmjeve me vera të shtrenjta dhe si emisari direkt i Ramës me botën e errët? A nuk e mbrojti atë kryeministri edhe përballë gazetarit të Report, në Rai 3? Po Mirlinda Karçanaj, a nuk qe një nga drejtoreshat e bashkisë Tiranë, që ai e mori me vete edhe në qeveri. Në profilin që redaksia e Lapsi.al i ka bërë drejtoreshës, ka edhe një fakt interesant. Katër vite pasi e kishte emëruar tek AKSh, kryeministri e futi atë direkt në vartësinë e tij, duke i dhënë të drejtën për të bërë të gjitha prokurimet publike për institucionet.
Për tetë vite ai i la në duar asaj një buxhet prej gjysëm miliardi euro. Pikërisht këto para, nga të cilat Ergys Agasi pati “mundësinë”, sipas SPAK, të fitonte 29 milionë euro, ndërsa ortaku i tij Ermal Beqiri, 11 milionë euro vetëm brenda një viti.
E pra, a është e mundur që Edi Rama, që sapo vjen në pushtet cakton një ish bashkëpunëtore të vjetër në AKSH, që e merr institucionin në vartësi personale, që i “dorëzon” 540 milionë euro, për të organizuar të gjitha “garat” për të tëra institucionet e shtetit, të mos ketë ditur gjë se ç’ndodhte aty? A ka mundësi që atij sërish ti’a kënë futur njerëzit më të besuar, Linda dhe Gysi?
Po më e bukura nuk është kjo. Nëse shkon më tej, historia përsëritet, si një “deja vue” qesharake edhe për Diellën. Kur e fuqizoi AKSH-in, në 2017, dhe kur i dha pushtetet për të organizuar të gjithë tenderat, Edi Rama e përligji këtë me luftën kundër korrupsionit, kundër pagesave nën dorë për të marrë një çertifikatë dhe me fundin e rryshfeteve, për të shmangur radhat në zyrat e shtetit, përmes përdorimit të teknologjisë dixhitale.
Në emër të këtij novacioni shkuan në xhepa gangsterësh afro 70-80 % e gjysëm miliardshit euro që u dha për përqëndrimin e garave në një dorë.
Eshtë fiks i njëjti argument, e njëjta mitër perverse, nga u poll tetë vite më pas edhe Diella. Ajo me sa duket nuk u ngjiz, as nga dëshira për modernitet, as thjeshtë nga vaniteti për të prodhuar efekt ndërkombëtar. Ky i dyti qe mënyra për të fshehur një gjë që po binte erë, pas skandalave të njëpasnjëshme të AKSH dhe denoncimeve të shndërrimit të tij në një “bahçe private”. Për ta fashitur atë kryeministrit iu desh të emëronte të parën ministre dixhitale, duke mos e menduar se pak muaj më vonë do shpërthenin faktet se ajo qe prodhim i një materniteti krimi. Ministrja çudi, jo vetëm për shqiptarët, u shndërrua në provën se, duke qënë krijuesi i alibive për vjedhjet që ndodhnin në AKSh, Rama qëndon personalisht pas tyre. Këtë radhë ai u dogj nga rrezatimi i ndyrë i Diellës së vet.
©Lapsi.al









