Investigimi/ Pas tokës, Bollinos i falen mijëra m² ndërtesa me vlerë qindra mijëra euro. Nga Rama te Anila Denaj, zyrtarët që shkelën ligjin

Investigimi/ Pas tokës, Bollinos i falen mijëra m² ndërtesa me vlerë qindra mijëra euro. Nga Rama te Anila Denaj, zyrtarët që shkelën ligjin

Por, historia është më e rëndë se kaq. Shembja e ndërtesave dhe leja e ndërtimit janë një aferë më vete. Pasi mori në zotërim të gjithë pronën së bashku me godinat, Carlo Bollino, me vendim të qeverisë, shemb objektet ekzistuese, ndonëse kushtonin qindra mijëra euro, dhe ndërton objektin e ri pa i paguar asnjë lek dëmshpërblim shtetit. Por Plug zbuloi se godinat u shembën nën pretendimin e dëmtimit nga tërmeti, ndërsa në të vërtetë Carlo Bollino kishte aplikuar për leje ndërtimi te qeveria shumë më parë se të binte tërmeti.

Pas ndryshimit të kontratës më 19 shkurt, qeveria i hap rrugë kantierit për godinën e re të Karlo Bolinos. Në datën 6 maj të vitit 2020, me vendim të Këshillit të Ministrave, vendoset shembja e 3 objekteve me emërtimet “Objekti nr. 1” 2 kat, “Objekti nr. 2” 1 kat, “Objekti nr. 3” 1 kat, me sipërfaqe totale ndërtimore 2497.06 m².

Për të gjitha këto veprime, kryeministri Edi Rama u shpreh më parë se janë kryer në zbatim të ligjit, duke mohuar të ketë kryer shkelje. Megjithatë, i pyetur nga gazetarja e Syri Televizion, Ambrozia Meta, se pse u dha leja e ndërtimit për një godinë të re, ndërkohë që objekti i kontratës ishte rikonstruksioni i godinave ekzistuese, kreu i qeverisë nuk dha përgjigje…

Në datën 14 dhjetor të vitit 2019, kur Shqipëria ishte në gjendje të jashtëzakonshme dhe ende nuk kishte përfunduar procesi i kërkim-shpëtimit nga rrënojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, shoqëria MTSC e Carlo Bollinos i dërgon një shkresë Ministrisë së Financave ku i kërkon autorizimin për të prishur godinat, me pretendimin se tashmë janë shumë të dëmtuara nga tërmetet e shtatorit dhe nëntorit. Bashkëlidhur kërkesës, Carlo Bollino vendos edhe një akt inspektimi paraprak të Institutit të Ndërtimit, që mbante datën 13 dhjetor 2019.

Deri këtu, duket se gjithçka ka qenë në rregull, pra Carlo Bollino kërkon shembjen e godinave me një pretekst të arsyeshëm. Mirëpo, ajo që nxjerr zbuluar këtë kërkesë është pikërisht aplikimi për leje ndërtimi pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, disa ditë përpara se të ndodhte tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Një shkresë që Agjencia e Zhvillimit të Territorit i dërgon Ministrisë së Financave në datën 29 maj 2020 nxjerr një të dhënë shumë të rëndësishme, e cila tregon pikërisht datën se kur Carlo Bollino aplikoi për leje ndërtimi në qeveri. AZHT i thotë Ministrisë së Financave se shoqëria MTSC ka protokolluar në datën 11 nëntor 2019, pranë kësaj agjencie, kërkesën për nisjen e procedurave për lëshimin e lejes së ndërtimit për objektin “Godinë multi-screen e televizionit Report TV”, si dhe ambientet ndihmëse teknike dhe administrative për shërbime të televizionit.

Nga sa qartësohet, rezulton se aplikimi apo propozimi për Leje Ndërtimi, pranë KKT-së, nga subjekti apo Ministria e Financave, është bërë në datën 11.11.2019. Nëse ky aplikim apo propozim do të ishte në përputhje me të drejtat që qiramarrësi kishte sipas kontratës së qirasë, atëherë do të duhej që në Lejen e Ndërtimit të kishim të miratuar rikonstruksionin e 3 godinave dhe jo “ndërtimin e një objekti të ri”.

Për më tepër, është për t’u evidentuar se, në datën e aplikimit, ende nuk kishte ndodhur tërmeti i 26 nëntorit 2019, që rezulton të jetë përdorur si arsye për vendimmarrjen e prishjes së godinave. Pra, KKT ligjërisht mundej dhe duhej të kishte miratuar lejen vetëm për rikonstruksionin e godinave në përputhje me kontratën e qirasë, miratuar me VKM. Kjo edhe për faktin se Akt-Ekspertiza e Institutit të Ndërtimit është kryer pasi subjekti i ka dërguar një kërkesë në datën 27.01.2020.

Duket qartë se tërmeti i 26 nëntorit ishte vetëm preteksti i duhur në kohën e duhur që përdori Carlo Bollino për të realizuar idenë e tij. Siç u përmend më sipër, Bollino aplikoi për leje ndërtimi më 11 nëntor 2019, pra dy javë përpara se të ndodhte tërmeti. Administrata e qeverisë Rama duket se, pas kërkesës së Carlo Bollinos për leje ndërtimi, është vënë menjëherë në lëvizje. Dhe pikërisht, kur vendi ishte në kulmin e përballimit të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit, qeveria gjeti kohë që të miratonte lejen e ndërtimit për godinën e re të Report Televizion.

Në datën 13 janar të vitit 2020, me vendim të Këshillit të Ministrave, miratohet leja e ndërtimit. Sipas të dhënave zyrtare të lejes së miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit me firmë të kryeministrit Edi Rama, sipërfaqja e përgjithshme e truallit ishte 4021.5 metra katrorë, pra aq sa ishte lidhur në kontratën e qirasë të muajit tetor të vitit 2019. Nga kjo, sipërfaqe e zënë nga struktura (gjurma) ishte 1180.9 metra katrorë, ndërsa sipërfaqe ndërtimore ishte parashikuar 3048.9 metra katrorë…

Këto të dhëna janë të rëndësishme për të treguar atë se çfarë do të ndodhë deri në muajin gusht 2020. Fillimisht duhet të themi se Carlo Bollino, publikisht deri më 13 janar, kishte kryer dy veprime: kishte lidhur kontratën për marrjen në përdorim të ish-repartit të orëve në ish-uzinën mekanike dhe kishte siguruar lejen e ndërtimit me firmën e kryeministrit Edi Rama. Leja nuk u zbardh pas datës 13 janar 2020, pasi në fakt Carlo Bollino nuk kishte marrë në zotërim të gjithë pronën.

Që leja e ndërtimit të zbardhej, Carlo Bollinos i duhej fillimisht të siguronte edhe sipërfaqen tjetër ndërtimore, pasi në kontratën e muajit tetor 2019 Bollino mori në përdorim vetëm katin e parë të godinës kryesore të ish-repartit të orëve. Për këtë arsye, pasi mori lejen e ndërtimit, në datën 10 shkurt 2020, shoqëria MTSC i drejtohet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me një shkresë të re, ku kërkon pa konkurrim një shtesë sipërfaqe prej 872.6 metrash katrorë.

Brenda dy ditëve, në datën 12.02.2020, Ndërmarrja Industriale nr. 1 Tiranë mbledh Këshillin Drejtues, miraton dhe përcjell në ministri praktikën e plotë. Në datën 17.02.2020 Ministria e Financave dërgon në Këshillin e Ministrave, për shqyrtim dhe miratim, projektvendimin, i cili miratohet me vendimin nr. 157, datë 19.02.2020. Më pas firmoset aneks-kontrata e re, e cila i jep Carlo Bollinos të gjitha godinat e repartit të orëve.

Pra, siç rezulton, kompania MTSC sh.p.k., në momentin e marrjes së Lejes së Ndërtimit në datën 13.01.2020, leje kjo e dhënë për ndërtimin e një godine unike dhe jo rikonstruksionin e tre godinave të ndryshme ekzistuese shtetërore, siç parashikohej në kontratën e qirasë, kompania nuk dispononte të drejta pronësie apo qiramarrjeje mbi katin e dytë të godinës kryesore, e cila i është dhënë kësaj kompanie vetëm me VKM nr. 157, datë 19.02.2020, ndërkohë që Leja e Ndërtimit ishte dhënë 30 ditë më parë, në datën 13.01.2020.

Pasi aplikoi për leje ndërtimi dhe pasi ndodhi tërmeti i 26 nëntorit 2019, Carlo Bollino kërkoi shembjen e objekteve. Kërkesa e drejtuar Ministrisë së Financave do të merrte rrugë dy muaj pasi u miratua shtesa e kontratës, e cila i jepte kontrollin e plotë Bollinos mbi ndërtesat ekzistuese.

Dy muaj pasi Ministria ia dërgoi për kompetencë kërkesën e subjektit MTSC për prishjen e godinave si pasojë e tërmetit, Ndërmarrja Industriale nr. 1 Tiranë i përgjigjet ministrisë ku i kërkon caktimin e një eksperti për të vijuar procedurat në lidhje me kërkesën e kryer nga kompania e Carlo Bollinos për shembjen e godinave.

Gjatë periudhës mars–maj 2020, Ndërmarrja Industriale nr. 1 dhe Ministria e Financave, ndonëse vendi ynë ishte i gjithi në izolim, ndërmarrin disa veprime për të nxjerrë jashtë përdorimit godinat e marra me qira nga shoqëria “MTSC”. Nga data 10 mars deri në datën 6 maj 2020, kur u miratua VKM për shembjen e godinave, janë ndërmarrë të paktën 10 akte zyrtare për procedurat e shembjes së godinave. Një prej këtyre akteve është ekspertimi i vlerës së godinave nga eksperti Arian Lako, i cili përcaktoi se objektet ekzistuese kapnin vlerën e rreth 35 milionë lekëve, apo rreth 350 mijë euro.

Siç rezulton nga përmbajtja e kontratës së qirasë, ku duhet theksuar se qëllimi i kësaj kontrate është rikonstruksioni i tre godinave shtetërore dhe rikthimi i tyre te pala shtet, kur afati i qiradhënies të përfundonte, rikthimi te pala shtet do të ishte me përfitimin e kthimit të një godine me parametra cilësorë dhe bashkëkohorë. Por ndërkohë që ky qëllim jepet në dispozitat hyrëse dhe specifike të kontratës (neni 2 i draftit të kontratës), qëllimi real i saj jepet në nenin 10, ku parashikohet në një dispozitë të fundit, tranzitore/kalimtare, se: “Kontrata e qirasë do të ishte e vlefshme deri në çastin që prona publike e dhënë me qira privatizohet sipas akteve ligjore në fuqi”.

Kujtojmë këtu se të gjitha aktet për Carlo Bollinon, të kryera nga Ministria e Financave e drejtuar nga Anila Denaj, janë ndërmarrë në një kohë kur administrata publike punonte nga shtëpia, për shkak të pandemisë COVID-19. Ndërkohë veprohej në kohë rekord për të miratuar vendime në shërbim të kësaj paligjshmërie, duke i shkaktuar dëm financiar shtetit në vlerën 34.958.426 lekë.

Por le të kthehemi përsëri te ngjarjet e majit 2020. Fill pasi u miratua me firmë të kryeministrit Edi Rama shembja e godinave të ish-repartit të orëve, ndonëse kontrata parashikonte rikonstruksionin e tyre, për të mbuluar paligjshmërinë e deritanishme, Agjencia e Zhvillimit të Territorit i kërkon Ministrisë së Financave të amendojë kontratën me Carlo Bollinon, në mënyrë që ajo të ishte në përputhje me lejen e ndërtimit.

Sikurse jeni në dijeni, pjesë e dokumentacionit që disponojmë lidhur me aplikimin e sipërcituar, është Kontrata e Qirasë nr. 2604 Rep., nr. 727 Kol., datë 14.10.2019. Ndërkohë, me Vendimin nr. 368, datë 06.05.2020, Këshilli i Ministrave ka vendosur shembjen e objekteve. Për sa më sipër, duke qenë se në kontratën e lidhur mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe shoqërisë “MTSC” sh.p.k. parashikohet dhënia me qira e pronës shtetërore “Ish-Ndërmarrja Metalike Tirana (Reparti i Orëve)”, për rikonstruksion total të sipërfaqes ndërtimore, si dhe bazuar në Vendimin nr. 368, datë 06.05.2020, lutemi që, në cilësinë e autoritetit kompetent për administrimin e pronës shtetërore, të bëni amendimin e objektit të kontratës së qirasë në përputhje me aplikimin për leje ndërtimi.

Ndërkohë, nga aktet e administruara rezulton gjithashtu se Ministrja e Financave, znj. Anila Denaj, i është përgjigjur AZHT-së në datën 10 qershor 2020:

“Në nëntor të vitit 2019, vendi ynë u përball me një fatkeqësi natyrore që solli pasoja të rënda në shumë objekte ndërtimore. Ndër të tjera, edhe prona e marrë me qira nga subjekti pësoi dëmtime strukturore, e certifikuar kjo nga raporti i inspektimit të Institutit të Ndërtimit, si dhe nga aktet e monitorimit të kontratës të mbajtura nga Njësia Monitoruese. Në këto akte u konstatuan dëmet e shkaktuara si dhe gjendja për shkak të amortizimit të objekteve të pasurisë të dhënë me qira. Ndodhur në kushte të reja nga ato të cilat ishin në kohën e dhënies së kësaj pasurie me qira, subjekti qiramarrës “MTSC” sh.p.k. paraqiti pranë MFE-së kërkesën për prishjen e objekteve të marra me qira, me qëllim përmbushjen e objektit të kontratës dhe realizimin e investimit sipas planit të biznesit. Në referencë të rrethanave faktike dhe veprimeve procedurale ligjore të parashtruara më sipër, ka dalë VKM nr. 368, datë 06.05.2020, për prishje objekti dhe është krijuar një situatë e re ku trualli tashmë është i lirë. Për rrjedhojë, kërkesa juaj për amendim të kontratës nuk është veprim juridik i nevojshëm.”

Pra, siç rezulton nga faktet e dhëna më sipër, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, AZHT dhe subjekti “MTSC” kanë bashkëpunuar midis tyre për të reklamuar fakte dhe rrethana të pavërteta, me qëllim falsifikimin e dokumentacionit, për të justifikuar jo vetëm plotësimin e dosjes për t’u pajisur me leje ndërtimi, por për të arritur qëllimin kryesor: përfitimin prej Carlo Bollinos të pasurisë shtetërore truall.

Kjo evidentohet lehtësisht edhe në krahasim të fakteve, ku zonja Denaj, pasi dha një përgjigje negative për AZHT-në, çuditërisht, po zonja Ministre Denaj vihet në lëvizje vetëm me një kërkesë të subjektit “MTSC”, i cili në datën 11.07.2020 i kërkon MFE-së të saktësojë nenin 2 dhe nenin 5, pika 5.7 të kontratës, shprehimisht:

“Pas urdhrit të shembjes së tre objekteve ekzistuese, gjë që ishte e paparashikuar në momentin e nënshkrimit të kontratës, ne kërkojmë që të saktësohet neni 2 dhe neni 5.7 i kontratës nr. 2604 Rep., nr. 727 Kol., duke shtuar në rreshtin e dytë, pas fjalës ‘rikonstruksionin’, fjalën ‘minimalisht të totalit’ (duke hequr fjalën ‘total’).”

Në datën 17.07.2020, vetëm gjashtë ditë më pas, zonja Anila Denaj dërgon propozimin e saj për projektvendimin për marrje mendimi prej Ministrisë së Drejtësisë. Në datën 21.07.2020, Anila Denaj e dërgon për shqyrtim dhe miratim këtë projektvendim në Këshillin e Ministrave. Në projektvendim kërkohet amendimi i kontratës në nenin 2 dhe nenin 5, pika 5.7, ku në rreshtin e dytë, pas fjalës “rikonstruksion”, shtohet “minimalisht të totalit” dhe hiqet fjala “total”.

Vetëm një ditë më pas, Këshilli i Ministrave miraton VKM nr. 589, datë 22.07.2020, dokument publik i botuar në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë nr. 139, datë 29.07.2020.

Në datën 24.07.2020, palët firmosin aktin noterial nr. 1145 Rep., nr. 420 Kol., amendimin e kontratës:

“Neni 1

Në nenin 2 ‘Qëllimi i përdorimit’ dhe në fjalinë e parë të pikës 5.7 të nenit 5 ‘Të drejtat dhe detyrimet e qiramarrësit’, fjalët ‘rikonstruksionin total’ zëvendësohen me ‘rikonstruksionin minimalisht të totalit’.”

Por edhe ky akt nuk ishte i mjaftueshëm për të mbuluar paligjshmëritë e bëra më parë dhe nuk mund të zbardhej leja e miratuar në janar 2020. Në datën 04.08.2020, palët firmosin një amendim tjetër kontrate, nr. 1205 Rep., nr. 438 Kol., në kundërshtim flagrant me VKM nr. 589, datë 22.07.2020, ku citohet:

“Neni 1

Objekti i kësaj kontrate është dhënia me qira e pasurisë shtetërore Ish-Ndërmarrja Metalike Tirana (Reparti i Orëve), me sipërfaqe të përgjithshme të pronës 4021.5 m² dhe sipërfaqe të përgjithshme ndërtimore 3048.9 m²…

Neni 2

Fjalët ‘rikonstruksion total’ zëvendësohen me ‘rindërtim jo më pak se sipërfaqja e godinës ekzistuese’.”

Konstatohet qartë se në këtë aneks-kontratë janë falsifikuar jo vetëm pikat objekt ndryshimi të VKM nr. 589, por janë ndryshuar edhe të dhënat e pronës, duke vendosur sipërfaqe ndërtimore 3048.9 m² dhe jo 2497.04 m², siç ishte miratuar me VKM nr. 157, datë 19.02.2020.

Pra, provohet qartësisht se Leja e Ndërtimit e KKT-së, datë 13.01.2020, ka diktuar ndryshimin e kontratës së qirasë, dhe jo e kundërta. Leja e ndërtimit është miratuar vetëm pasi kontrata e qirasë është falsifikuar në datën 04.08.2020.
Plug
Syri tv

Share it :