Ipeshkvijtë e Kishës Katolike mesazh të përbashkët për Krishtlindje

Ipeshkvijtë e Kishës Katolike mesazh të përbashkët për Krishtlindje

Të bashkuar dhe në një frymë vëllazërore, ipeshkvijtë e Kishës Katolike në vendin tonë i kanë drejtuar popullit shqiptar këtë të mërkurë, një mesazh dashurie dhe shprese me rastin e festës së Krishtlindjes.

Në urimin e tyre, ata theksuan se Krishtlindja është një moment i veçantë për të festuar lindjen e Jezus Krishtit, duke i ftuar besimtarët të jenë më pranë njëri-tjetrit, të falin dhe të ndajnë gëzimin me ata që kanë më shumë nevojë.

Mesazhii përbashkët i ipeshkvijve thekson rëndësinë e bashkimit, faljes dhe ndarjes së gëzimit, duke u bërë thirrje shqiptarëve të jetojnë këtë festë me dashuri, shpresë dhe paqe.
Imzot Gjergj Meta në mesazhin e tij, tha se urimi i Krishtlindjes bëhet në mënyrë të përbashkët nga të gjithë ipeshkvijtë për të dërguar dashuri dhe shpresë për popullin shqiptar.
“Të dashur vëllezër dhe motra këtë urim Krishtlindjesh duam tua bëjmë së bashku me Ipeshkvit e Shqipërisë. do të kishim dashur që në këtë urim të ishte pjesë dhe imzot Simon Kulli, ipeshkvi i Safës, por jemi të sigurtë ai na i uron krsh nga qielli dhe lutet për ne. Secili nga ne ka një fjalë për t’iu drejtuar popullit të Zotit që është në Shqipëri”, tha Meta.
Ndërsa imzot Giovanne Peragine, tha se Krishtlindja na kujton praninë e Zotit në jetën tonë dhe na nxit të japim dhe të falim ndaj të tjerëve.

“Me rastin e festës së Krishtlindjeve, sëbashku me bashkëvëllezërit e mi ipeshkvinj, dëshiroj t’ju drejtoj të gjithëve një lajm shprese. Zoti u bë njeri dhe banon ndër ne. Po, Krishtlindja na kujton që Zoti është pranë nesh. Ai hyn në jetën tonë të përditshme. Ai bëhet i veçanërisht pranishëm atje ku ka vështirësi, pasiguri dhe vuajtje. Të kremtosh Krishtlindjet, do të thotë të ndiesh praninë e Zotit. Mos mendoni vetëm për vetveten, mos të mundohemi vetëm të marrim por mbi të gjitha të japim. jo të fitojmë gjithçka për vete, por të hapim dyert e zemrve ndaj të tjerëve. Vetëm ashtu, Krishti do të lindë dhe do të qëndrojë gjithmonë në jetën tonë”, u shpreh imzot Giovanne Peragine.
Imzot Arjan Dodaj u shpreh se drita e Krishtlindjes na ndriçon nga errësira, duke sjellë shpresë dhe gëzim në jetën tonë dhe në bashkësinë tonë.

“Populli që ecën në errësirë pa një dritë të madhe, e mbi këtë luginë të errët, shndriti drita e fuqishme. E ka shumuar gëzimin, e ka rritur harenë, kështu thotë profeti Isaia në kapitullin e nëntë. Kjo është përvoja e Krishtlindjes, përvoja e daljes nga një errësirë. Përvoja që prek njeriun deri në misterin e fundit të pakapërcyeshëm të asaj që është misteri i vdekjes, siç ka shënjuar edhe të vëllait tonë Simonin, por ne e dimë që në fe, kjo dritë shndrin. E Zoti nëpërmjet ofertës së tij shndrin në jetën tonë e përballë këtij grazhdi në Betlehem, ftojmë të gjithë të festojmë të sodisim këtë Zot që shndrit në errësirat e ekzistencës tonë, të bëjmë që edhe kisha jonë të mbushet me dritën hyjnore të Jezusit, populli ynë të dalë nga fryma e errët e çdo distance, çdo shkurajimi, çdo mungese shprese”, tha Dodaj.
Në fund, imzot Ottavio Vitale në mesazhin e tij, tha se Krishtlindja sjell lajmin e paqes dhe thirrjen për pajtim me Zotin dhe me njëri-tjetrin.

“Të dashur vëllezër dhe motra, jam i lumtur t’ju drejtohem të gjithëve me rastin e Krishtlindjes së shenjtë, festës që kisha kremton çdo vit, duke përkujtuar lindjen e Zotit tonë, Jezu Krishtit. Të përgatitim familjet tona, ta pranojnë me lutje e gëzim atë që po vjen, shëlbuesin. Zoti me ne!

Ndryshoni dhe kthehuni tek unë thotë Zoti. Ja lajmi që na jepet në këtë Krishtlindje të shenjtë. Si mund të gëzojmë me lajmërimin e engjëllit që sjell lajmin e lindjes të Zotit të Paqes. Nëse ne nuk jemi njerëzit e paqes, si mund të themi e duam Zotin dhe e bëjmë vullnetin e tij, nëse nuk jemi të gatshëm të falim atë që na bën një ofendim. Ky Zot i paqes që po vjen, ka vdekur për ne dhe për mëkatet tona, për të na pajtuar me atin. Gëzuar Krishtlindjet”,e mbylli urimin e tij, imzot Vitale.

Share it :