Konflikti për aeroportin e Vlorës, Behgjet Pacolli fiton gjyqin ndaj Ademit
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka lënë të kuptohet se ka fituar përballjen ligjore për aeroportin e Vlorës ndaj ish-ortakut të tij Valon Ademi, i cili e kishte paditur në Gjykatën e Tiranës.
Në një postim në rrjetet sociale, Pacolli deklaron se nga dita e djeshme Vlora International Airport i është rikthyer normalitetit institucional dhe rendit ligjor, pas pezullimit të mëparshëm të aksioneve nga Prokuroria e Tiranës
Sipas Pacollit, operimi i aeroportit do të vijojë normalisht, duke nënkuptuar se drejtësia është shprehur në favorin e tij në konfliktin me ish-ortakun.
Konflikti mes Pacollit dhe Ademit ka qenë prej muajsh në qendër të debatit publik dhe mediatik. Pacolli zotëronte 98% të aksioneve, ndërsa Ademi 2%, por ky i fundit pretendonte se kishte marrëveshje dhe investime që e çonin në kuotën 49%.
“Po kthehet normaliteti me aeroportin e Vlorës!
Akti më i lartë i përgjegjësisë qytetare dhe patriotike është kontributi ndaj familjes, shoqërisë dhe shtetit përmes punës së ndershme, profesionale dhe respektimit të parimeve të drejtësisë. Drejtësia, ndonëse shpesh përballet me sfida dhe procese të vështira, ajo mbetet universale dhe e pashmangshme në zbatimin e saj.
Është një ndjenjë krenarie për një qytetar kur drejtësia në vendin e tij funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme.
Nga sot, në Vlora International Airport, rikthehen normaliteti institucional, rendi ligjor dhe besimi duke i falenderuar drejtësisë!” shkruan Pacolli







