Skandali me mbetjet e Kurum, Lala: Dosje e destinuar për t’u varrosur nga Prokuroria!
Gazetarja Klodiana Lala, ka folur për skandalin me mbetjet e Kurum, të cilat dyshohet se janë toksike, por ende nuk ka një rezultat të analizave.
Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv, deklaroi se hetimet për këtë cështje po “varrosen” nga Prokuroria dhe se nuk ka vullnet për të hetuar realisht. Lala tha se Prokuroria e Durrësit nuk e kalon dosjen në SPAK.
“Kjo është një dosje e destinuar për t’u pushuar ose më saktë për t’u mbyllur. Ashtu si afera Bankers, edhe afera e kompanisë Kurum, është një aferë që përfshin të gjitha qeveritë dhe njerëz shumë të rëndësishëm në politikën shqiptare. Nëse Bankers na ka rrëmbyer pasurinë kombëtare dhe qytetarët shqiptarë nuk kanë patur asnjë përfitim, u është vjedhur pasuria, çështja e Kurum është edhe më e rëndë, sepse qytetarët shqiptarë janë helmuar. E dini ku janë ato 102 konetejnerët me mbetje të dyshuara toksike dhe të rrezikshme? Janë në Porto Romano, Durrës, dhe imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me kushtet klimaterike që ndryshojnë dhe ka muaj të tërë, që vazhdojnë të qëndrojnë të vendosur aty dhe në vend të kishte një shpejtësi të rrufeshme nga shteti shqiptar dhe nga laboratorët brenda dhe jashtë vendit për të nxjerrë analizën e këtyre mostrave, se çfarë përmbajnë kontejnerët dhe të zgjidhej kjo çështje, të bëhej asgjësimi i tyre ose të dërgoheshin për eksport pasi është lëndë e parë që mund të përdoret në vende të tjera si në Tajlandë, në fakt me Kurum, prokuroria do ta varrosë atë çështje njëherë e përgjithmonë, sepse përgjegjësia shkon shumë lart në qeverisjen e sotme dhe të mëparshme.
SPAK nuk e ka marrë pasi duhet të shpallë moskompetencë Prokuroria e Durrësit, e cila nuk e ka bërë deri tani. Ka patur një përplasje brenda Prokurorsië për këtë cështje. Është pritur gati 6 muaj për të gjetur një ekspert. Ne kemi ekspertë brenda vendit, AKBN ka refuzuar ta bëjë edhe pse kemi kapacitete.
U prit 6 muaj një laborator i huaj që të sillte ekspertët për të marrë mostrat. Do të presim ndoshta 6 muaj deri në 1 vit për t’u kthyer përgjigja e analizave.
Ne nuk dimë ku kanë kaluar tonelata mbetje të kompanisë Kurum, çfarë ka ndodhur me to, asnjë autoritet nuk të jep një përgjigje se çfarë ka ndodhur, mund të jenë groposur, mund të jenë asgjësuar brenda vendit duke shkaktuar toksina të rrezikshme për shëndetin. Ne nuk dimë çfarë ka ndodhur me kompaninë Sokolaj.
Kompania Kurum e ka kryer aktivitetin haptazi, nuk kam parë një raport të detajuar nga agjencia e mjedisit, për të analizuar se çfarë ka ndodhur. Ka patur veprime dhe mosveprime. Ndonjëherë jo domosdoshmërisht një zyrtar mund të korruptohet, por edhe duke mos vepruar, mund të ketë shpërdoruar detyrën.
Rasti i Kurum është një rast që po shkon drejt degradimit të çështjes.
Vonesa po lejon personat e përfshirë të zhdukin provat”, deklaroi Lala.









