Bardhi: Rama dhe Peleshi po i japin kohë Ballukut të prishë provat!
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat tha se, shtyrja e mbledhjes së Këshillit të Mandateve nga mazhoranca nuk është e rastësishme.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se po përpiqen t’i japin kohë Ballukut për të ndikuar në hetime, duke prishur prova dhe duke ushtruar presion mbi dëshmitarët.
“Media ka publikuar dëshminë e vartëses së Ballukut që ka bashkëpunuar me SPAK për të treguar se si është zhvilluar procedura e tenderit të tunelit të Llogarasë. Është kjo vartëse që është intimiduar nga Balluku. Duke i dhënë kohë Ballukut, po tentojnë të prishin provat, të intimidojnë dëshmitarët dhe të pengojnë drejtësinë”, tha Bardhi.
Në Kryesinë e Kuvendit ka patur tensionim të situatës në lidhje me kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Pesë anëtarët demokratë të Këshillit të Mandateve janë paraqitur në kuvend pasi kanë kërkuar që mbledhja të zhvillohet sot dhe të shqyrtohet kërkesa e SPAK për Ballukun, por pala socialiste nuk është paraqitur.
Niko Peleshi u ka mbyllur derën deputetëve të PD, duke penguar kështu zhvillimin e mbledhjes, ndërsa kanë ngritur akuza se po kërkohet kohë që Balluku të prishë provat.
“Kuvendi është bunkeri i Belinda ballukut ku mendojnë se do të strehojnë çdo të korruptuar të qeverisë, mendojnë se do të marrin peng drejtëisnë dhe a pengojnë të bëjë detyrë e saj. E kanë gabim. Më së pari kryetarin e kuvendit që kthehet në zyrtarin e dytë të lartë të shtetit, që e ka shndërruar zyrin e tij në zyrë avokatie për ballukun, duke zvarritur një kërkesë të ngutshme të Prokurorisë. Këta po tentojnë, duke i dhënë kohë Ballukut të intimidojë cdo dëshmitar, të prishë provat dhe të marrë peng drejtësinë. Ka nisur Peleshi një shkresë e kemi lexuar 5 herë dhe se kemi kuptuar se cfarë ka shkruar. Është gjuhë korrupsioni”, u shpreh Gazment Bardhi.









