Berisha: Opozita është mbartësja e sovranitetit, e vullnetit të zgjedhësve, qytetarëve të lirë…
Kryetari i PD, Sali Berisha, në foltoren e mbajtur në Manzë ka theksuar rolin jetik të opozitës në një vend demokratik, duke e cilësuar atë si mbartësen e sovranitetit dhe të vullnetit të zgjedhësve.
Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se opozita e vërtetë duhet të jetë zëri i qytetarëve të lirë, të mbrojë interesat e tyre dhe të mos shndërrohet në një instrument të pushtetit, ndërsa nënvizoi se përpjekjet për ta asgjësuar opozitën kanë dështuar përballë qëndresës dhe mbështetjes qytetare.
Berisha: Një përshëndetje vëllazërore shumë të përzemërt për të gjithë ju, për të gjithë banorët e Manzës, Sukthit, Durrësit dhe mbarë Shqipërisë dhe nga zemra ju uroj festën e Vitit të Ri, Krishtlindjet, uroj festa të tjera, së bashku t’i festojmë, t’i kremtojmë siç e meritojmë.
Kam ardhur sot tek ju, me këtë Foltore që po quhet Foltorja e 2-të, dhe në fat është e dyta. Në qoftë se, Foltorja e Parë pati qëllimin më kryesor që ju, që shqiptarët të kenë opozitë të vërtetë, dhe jo opozitë false, që ju mashtron, jo opozitë që nuk mbron idealet dhe interesat tuaja, jo opozitë që synon të pasurohet vetë, jo opozitë jesmene të qeverisë, as dhe të kurrkujt tjetër.
Opozitë, që ju i besoni idealet, i besoni shpresën dhe që ajo ju qëndron besnik ju. Kjo është e një rëndësie jetike për një vend dhe për një komb. Opozita është mbartësja e sovraniteti brenda vendit. Në ç’kuptim? Është mbartësja e vullnetit të zgjedhësve, qytetarëve të lirë, të cilët votojnë për opozitën dhe ajo qëndron e pamposhtur në mbrojtje të interesave të tyre.
Çfarë nuk u bë të na zhduknin ne? Jeni dëshmitarë. Aktet më të paimagjinueshme, akte që nuk janë regjistruar në Europë ndonjëherë kundër ndonjë force demokrate. Pse? Sepse ne mbronim vetëm këtë. Ne mbronim idenë që ju duhet të zgjidhni kryetarin tuaj, drejtuesit tuaj. Ata duhet t’ju përfaqësojnë ju dhe jo të kontrollohen nga qeveria apo të kontrollohen nga të tjerë. Kaq ishte.
Na sulmuan në të gjitha mënyrat, por dështuan. U ngritët së bashku, si viganë, në një akt të pashembullt në histori, rezistuam padrejtësitë më të mëdha. Erdhëm në zgjedhje, zhvilluam fushatën elektorale më të bukur, programin më të shkëlqyer që ka njohur ky vend, ekspertizën, më të madhe. Unë, kisha deklaruar në mënyrat më të përsëritura se, me Eid Ramën nuk ka zgjedhje. Sepse kur një kryeministër vendos të mos dorëzojë pushtetin, ai pastaj ka të gjitha mjetet në dorë për të shtypur votën, për të manipuluar votën, për të blerë votën.









