Dalin tjera mesazhe nga dosja ‘Balluku’/ Numri 2 i Ramës: Bashkimi Ulajt po i bëj nderin e jetës me ‘Thumanë-Kashar’,
Kanë dalë në dritë të tjerë mesazhe nga “dosja” Balluku ku flitet për jo vetëm për aferën e Tunelit të Llogarasë por thuajse për çdo tender të paracaktuar që numri 2 i qeverisë Rama jep për kompanitë. Në vijim të hetimit për aferën e tunelit të Llogarasë, nga këqyrja e të dhënave të aparatit celular “BlackBerry”, model “BBF100-6”, i sekuestruar shtetasit Evis Berberi, kanë rezultuar komunikime në aplikacionin “Signal Private Messenger” ndërmjet shtetases Belinda Balluku dhe shtetasit Evis Berberi.
Sipas aktit të ekspertimit, komunikimet janë zhvilluar në datën 15.06.2021, rreth orës 12:43-12:46.
Në këto mesazhe, Belinda Balluku i shkruan Evis Berberit se kishte qenë një ditë më parë me “Bashkimin”, duke shtuar se i kishte thënë se “kjo është sfida ime dhe e tij”.
Në vijim, në komunikim përmendet se “vinçi për trarët e urës vjen nesër ose pasnesër”, ndërsa Evis Berberi përgjigjet se kishte shkuar drejt urës dhe po kthehej.
KOMUNIKIMET
Belinda Balluku: Isha me Bashkimin dje.
Evis Berberi: Si shkoi?
Belinda Balluku: Dhe i thash kjo eshte sfida ime dhe e tij.
Evis Berberi: Po prandaj ndihej ndryshimi sot.
Belinda Balluku: Me tha qe vinci per traret e ures vjen neser ose pasneser. Evis
Berberi: Erdhi dje sot shkonte te ura. Se qe andej po kthehem”.
Në një tjetër mesazh, Balluku shprehet se po i bënte “nderin e jetës me Thumanë-Kashar”, duke shtuar se do të flisnin më pas dhe se personi në fjalë “mund të bëhet shumë ushtar”, duke e përshkruar si “të izoluar dhe të pashpresë”.
KOMUNIKIMET
Belinda Balluku: “Une po i bej nderin e jetes me Thumane-Kashar, ndaj ai do behet cope. Do flasim pak, mund te behet shume ushtar. Eshte shume i izoluar dhe i pashprese, ndaj Agollin nuk e shiti kurre dhe e beri mbret”.
Evis Berberi: Te vij sot te diskutojme pak dhe per neser ne ora 9. S’ka se si ta shese kane punuar gjate.
Belinda Balluku: Se keta te tjeret jane te lidhur e te bere gonxhe me njeri tjetrin.
Sipas SPAK, komunikimi i mësipërm i referohet shtetasit Bashkim Ulaj, ortak i shoqërisë “Gener 2” sh.p.k., e shpallur fituese në procedurën koncesionare “Për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar”. Vlera e parashikuar e projektit është 245,750,755 euro.
Po sipas të dhënave hetimore, në datën 09.05.2022 është lidhur kontrata e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, dhe shoqërive “Gener 2” sh.p.k. (koncesionari) dhe “G2 Infra” sh.p.k. (shoqëria koncesionare), me objekt “Për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar”.









