Për gjthë javën, kryeministri Edi Rama ka heshtur për qëndrimin që do të mbajë PS për arrestimin e Ballukut, ndërkohë që SPAK ka vijuar me kontrollet dhe përgjimet
Ka kaluar më shumë se një javë që nga momenti kur Prokuroria e Posaçme i kërkoi Kuvendit lejen për arrestimin e Belinda Ballukut dhe Edi Rama ka mbetur te një deklaratë as mish as peshk që e lë pezull qëndrimin e Partisë Socialiste ndaj arrestimit që kërkon SPAK.
Mesazhet e gjetura në celularët e Ervis Berberit që tashmë kanë dalë në media, zbulojnë se si tenderat e rrugëve ndaheshin duke shkallmuar çdo ligj dhe parim të prokurimit publik, duke iu nënshtruar orekseve të kryeministrit Edi Rama ose marrëveshjeve paraprake me biznesmenë të privilegjuar.
Skema Rama-Balluku-Berberi e zhvesh buxhetin e shtetit nga çdo garanci ligjore dhe e trajton atë si fond personal të një rrethi të mbyllur njerëzish në pushtet.

Në dokumentin me pak faqe, që SPAK i dërgoi Kuvendit për arrestimin e Ballukut, binte në sy përshkrimi që prokurori Dritan Prençi i bën asaj si “një personalitet që mund të kryejë krime të rënda”, pra si një funksionare me rrezik për hetimin dhe provat. Një formulim i pazakontë për një ministre në detyrë, por që shton nevojën për lejen e arrestimit, pasi prokuroria e sheh vonesën parlamentare si rrezik real për dosjen.
Si shembull konkret të këtij rreziku, Prençi u paraqiti deputetëve presionet ndaj një prej vartëseve të Ballukut në Ministrinë e Energjisë, Mirzeta Kashnica. Ajo ka pranuar se fituesit e tenderave ishin të paracaktuar dhe se anëtarët e Komisionit të Ofertave punonin në koordinim të plotë, sipas një skeme të mbikëqyrur nga Ervis Berberi. Prokurori thekson se presionet ndaj Kashnicës janë dokumentuar përmes përdorimit të “metodave speciale”, një formulim që nënkupton përgjime dhe survejim operativ ndaj të dyshuarve.
Sipas burimeve hetimore, 3 deri në 5 ditë do të ishin të mjaftueshme për shqyrtimin e provave kundër Ballukut, por mazhoranca socialiste vendosi ta zvarrisë procesin, duke refuzuar të mbledhë për të dytën herë Këshillin e Mandateve. Kjo ka sjellë një përshkallëzim të tensionit mes qeverisë dhe drejtësisë, ku asnjëra palë nuk ka qëndruar duarkryq.
Fronti i parë, SPAK përshkallëzon veprimet ndaj njerëzve të Ballukut
Që nga momenti kur Belinda Balluku është vënë nën hetim, survejimi ndaj saj nuk është ndalur. Kjo pranohet edhe në vetë dosjen e SPAK dorëzuar Kuvendit, ku thuhet se kërcënimi ndaj Mirzeta Kashnicës është zbuluar përmes metodave speciale hetimore.

Për më tepër, rezistenca e Ballukut për t’u dorëhequr është pasuar me një zgjerim të hetimeve për tenderat e rrugëve.
SPAK ka shtrirë verifikimet te të gjitha lotet e Unazës së Re të Tiranës dhe te koncesioni Thumanë Kashar.
Ky zgjerim është mbështetur mbi mesazhe të tjera të gjetura në celularin e Ervis Berberit.
Ndërkohë këto ditë SPAK ka urdhëruar një valë të re kontrollesh. Byroja Kombëtare e Hetimit ka zhvilluar 19 kontrolle në banesa dhe ambiente pune të zyrtarëve shtetërorë dhe biznesmenëve të përfshirë në dosjen e tenderave të infrastrukturës dhe energjisë.

Njerëzit në fokus të kontrolleve janë të besuarit e Belinda Ballukut. Bëhet fjalë për kontrollin e banesave dhe ambienteve të punës të Viola Haxhiademit, ish Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtoreshë e KESH, Gentian Gjylit, ish drejtor i ARRSH dhe aktualisht në arrest shtëpie, Erald Elezit, ish drejtor i KESH, gjithashtu në arrest shtëpie, si dhe disa personave të lidhur me kompani ndërtimi përfituese të tenderave publikë, përfshirë Sajmir Kuçin, Marsel Hoxhën dhe Jonida Çeçon. Më herët, kontrolle janë ushtruar edhe ndaj Sindi Dushkut, drejtoreshë e kabinetit të Ballukut, e cila është marrë në pyetje nga hetuesit.
Paralelisht me punën hetimore, SPAK ka punuar që të mbajë gjallë çështjen edhe në media, ku kanë rrjedhur mesazhe të tjera nga celularët e Ervis Berberit. Në këto mesazhet të reja përfshihen biseda të Belinda Ballukut, në të cilat përmenden porosi të tjera të kryeministrit dhe biznesmenë që kanë fituar tendera dhe konçensione të rrugëve nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës.
Fronti i dytë, Balluku që bën emërime të reja
Në anën e qeverisë, situata politike është e tensionuar. Reagimi i parë i Ramës, pak minuta pasi u dorëzua në parlament kërkesa për arrestimin e Ballukut, ishte nervoz dhe i paqartë. Ai e quajti “turp” numrin e lartë të të paraburgosurve nga SPAK, por shmangu çdo sinjal, nëse Partia Socialiste do të votojë pro apo kundër arrestimit të saj, duke u mjaftuar me një status “as mish as peshk”, ku premtonte një qëndrim “të drejtë, të qartë dhe të denjë”.
Socialistët u paraqitën në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit ku dëgjuan fjalën e prokurorëve të SPAK, morën në dorë USB me provat kundër Ballukut dhe u larguan pa caktuar një datë tjetër.
Më pas, Rama deklaroi se nuk ka ndërmend të shqyrtojë kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut përpara vendimit të Gjykatës Kushtetuese për masën e pezullimit, seancë e cila është caktuar më 22 janar.
Në këtë mënyrë, duke u kapur pas datës së Kushtetueses, Rama dhe Balluku i kanë dhënë vetes rreth një muaj kohë për të ndërtuar një alibi politike kundër hetimit të SPAK.

Ndërkohë, brenda institucioneve janë kryer lëvizje të shpejta për të restauruar diçka nga reputacioni i dëmtuar i Ballukut. Ajo ka shkarkuar Gentian Gjylin nga ARRSH dhe e ka zëvëndësuar me Ami Kozelin, ish zëvendësministër i Infrastrukturës. Po ashtu, Viola Haxhiademi është emëruar në krye të KESH, duke zëvendësuar Erald Elezin, i cili ndodhet në arrest shtëpie.
Zyrtarët e rinj i përkasin rrethit të të besuarve të Ballukut. Mesazhi për socialistët është se Balluku nuk e ka humbur mbështetjen politike të Edi Ramës.
Kjo mbështetje u konfirmua edhe nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili refuzoi kërkesën e opozitës për të mbledhur Këshillin e Mandateve këtë të premte. Në përgjigjen që i dha opozitës, Peleshi shkruajti se “Belinda Balluku ka kërkuar tre javë kohë dhe ajo duhet t’i garantohet e drejta e mbrojtjes”.
Peleshi përsëriti fjalët e Ramës se Këshilli i Mandateve nuk mund të mblidhet kur një çështje ndodhet në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Qershia mbi tortë erdhi këtë të enjte, kur Balluku shpërndau foto festive për Krishtlindjet nga Lushnja, pjesë e qarkut të Fierit ku ajo u zgjodh deputete. Duke publikuar fotot me votuesit e saj, zv.kryeministrja synon të transmetojë kontroll dhe qetësi. Në thelb mesazhi politik është se ka ndërmend ta çojë deri në fund përballjen me drejtësinë dhe po luan gjithçka për gjithçka.
Më shumë se për prokurorët e SPAK, pak nga pak çështja “Balluku” po shndërrohet në sfidë për vetë Partinë Socialiste.
Edi Rama do të kërkojë ta shmangë një përplasje ballore me drejtësinë, pas së cilës janë rreshtuar hapur përfaqësuesit e SHBA dhe Bashkimit Europian. Por duke parë se prokurorët e SPAK po e përparojnë me hetimin, duket se ky ballafaqim me ndërkombëtarët është i pashmangshëm. Këtyre u është premtuar vazhdimisht se Partia Socialiste nuk do të bëhet pengesë për drejtësinë e re.
Eksperienca ka treguar se kur presioni i jashtëm bëhet i papëballueshëm, dikush brenda grupit e gjen çelësin e shfryrjes. Dhe deri tani, ky dikushi ka qenë kryeministri Rama, i cili ende po mendohet për vendimin “e denjë” për Belinda Ballukun./Lapsi.al/









