Rruga e Porto Romanos/ Porosia që u kushtoi qytetarëve 4.5 milionë euro korrupsion

Përgjimet e reja të transkriptuara në dosjen e SPAK për zëvendëskryeministren Belinda Balluku hedhin dritë në një tjetër aferë korruptive. Bëhet fjalë për ndërtimin e rrugës Porto Romano-Durrës, loti 3 vazhdim.

Nga këqyrja e të dhënave të aktit të ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model “BBF100-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, ka rezultuar komunikimi i datës 24.08.2021, në aplikacionin “whatsapp”, ku në orën 13:49, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin:

“KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”.

Pas këtij mesazhi, në orën 13:51, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhet në aplikacionin “Signal Private Messenger”, me tekst:

“E kishte takuar sot. Të kaloj nga zyra se e takova para një ore në kantier, bëra një xhiro në gjithë unazën”.

Në orën 13:52, Belinda Balluku: “Jam në shpi peshk me pak fjalë, me një virozë”.

Në orën 13:52, Evis Berberi: “Obobo”.

Në orën 13:52, Belinda Balluku: “Në PR (Porto Romano) do e çojmë këtë, them unë. Sa është PR?”.

Në orën 13:53, Evis Berberi: “15 ml, rreth diku te 10 ml euro pa TVSH, 15 miliardë lekë”.

Tenderi për ndërtimin e rrugës Porto Romano-Durrës u shpall tre javë pas këtij komunikimi mes Belinda Ballukut dhe vartësit të saj Berberi, saktësisht në datën 16 shtator të vitit 2021. Fondi limit i tenderit ishte paracaktuar 1.24 miliardë lekë ose 12.8 milionë euro me kursin aktual dhe data e zhvillimit të garës u la 18 tetori i vitit 2021.

Në tender u paraqitën 8 oferta, ku më e ulëta ishte ajo e kompanisë Alb Building, e cila ofroi ta ndërtonte këtë segment me 736 milionë lekë ose 7.6 milionë euro. Një bashkim kompanish i përbërë nga Trema, Elmazaj dhe Rruga Ura Afaltim 2 Elbasan ofroi 850.5 milionë lekë, ndërsa oferta e tretë më e ulët ishte e joint venture mes Pe-Vla-Ku dhe Kupa shpk me 1 miliardë lekë.

Albstari ofroi 1.1 miliardë lekë, ndërsa Geci shpk dha ofertën 1.17 miliardë lekë ose 12.1 milionë euro. Tre ofertat e tjera ishin të 4 A-M, Fusha dhe A.N.K të cilat ofruan një çmim që varionte nga 1.2 deri në 1.4 miliardë lekë.

Rruga e Porto Romanos/ Porosia që u kushtoi qytetarëve 4.5

Por me fituesin e paracaktuar dy muaj para se të zhvillohej tenderi, gara ishte një proçes fiktiv dhe ofertat e dorëzuara nga kompanitë, thjesht numra pa vlerë. Ashtu siç ishte rënë dakord, ARRSH shpalli fitues të garës kompaninë Geci shpk me çmim 12.1 milionë euro duke skualifikuar me justifikime të ndryshme 4 oferta të tjera poshte saj.

Oferta e Gecit për ndërtimin e rrugës ishte 4.5 milionë euro më e lartë se ajo e Alb Building, 3.3 milionë euro më e lartë se ajo e treshes Trema-Elmazaj-Rruga Ura Elbasan, gati 1.8 milionë euro më e shtrenjtë se Pe-Vla-Ku e kështu me radhë.

Kjo ishte fatura e korrupsionit që paguan qytetarët shqiptarë në ndërtimin e rrugës Porto Romano-Durrës, për tenderat që paracaktoheshin me porosi takimi nga kryeministri dhe në whatsapp-et e ministres së Infrastrukturës dhe vartësit të saj kamikaz.

Kapitali.al

Share it :