A po heton SPAK dhe një rrëmbin të dytë në AKSH, atë të Daniel Shimës?

Të dy rrëmbimet janë bërë brenda një harku kohor, të dyja kanë pasur lidhje me tenderat e AKSH, personat që kanë zbatuar pengmarrjen janë kamufluar me uniforma shtetërore

Skandali rrënqethës i rrëmbimit të biznesmenit që merrej me tenderat e AKSH, Gerond Meçe, për të cilin prokuroria e posatshme akuzon mikun e ngushtë të Edi Ramës, Ergys Agasin, mund të mos jetë historia e vetme mafizoze e këtij institucioni, i cili nën mbikqyrjen direkte të kryeministrit, ka pasur një portfol prokurimesh publike që kalonte gjysëm miliardi euro.

Cilido që e ka dëgjuar liderin e opozitës, Sali Berisha, të bëhet i bezdisshëm me denoncimin për pengmarrjet mafioze, nuk mund ti lidhë ata që ka ditur, me ato që ka lexuar në dosjen skandaloze të AKSH-it. Sepse në fakt, ndonëse ngjarjet ndodhin brenda një harku kohor, nuk bëhet fjalë për një, por për dy rrëmbime të ndryshme personash. Përpos Gerond Meçes, i cili u dërgua në rrugën e Qafë Krrabës në 12 gusht 2025 dyshohet se të njëtin fat ka pasur edhe zv/drejtori i AKSH, Daniel Shima.
Zhdukja e Daniel Shima u raportua më 20 gusht, pasi e dashura e tij avokate kishte marrë një mesazh lakonik ku ai shkruante vetëm: “Po më arreston policia”. misteri i largimit të tij zgjati vetëm 10 orë dhe më pas policia deklaroi se ai ishte larguar me dëshirë, ndërsa vetë Shima pohoi se qe larguar drejt Dhërmiut, pas një sherri me të dashurën e tij.

Sipas denoncimeve që kishte bërë në verë lideri i opozitës Berisha rrëmbimi i ish drejtorit të AKSH-it bëhej për shkak se ai kishte treguar lidhur me skandalin e tenderave që fitonte në AKSh, baxhanaku i Edi Ramës, Armand Frangu. Sipas Berishës ekzistonin përgjime që i kishte prokurori i SPAK, Vladimir Mara, ku thuhej se një pjesë e parave mbërrinin direkt e në vilën e Surrelit. Daniel Shima kishte dejeni për këto dhe ai nuk duhet të rrëfehej përpara prokurorëve, sepse ajo dosje duhet të mbyllej.

Pak a shumë të njëtin version ka hedhur në treg edhe ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj. “Ka 8 muaj që investigohet AKSH-i. Është bërë një përgjim ambiental që është në SPAK. Mund ta zhdukin po dikush e ka një kopje të kësajdhe më ka garantuar që një kopje e saj është në një kuti. Është bërë përgjim ambiental ku është përfshirë familja e kryeministrit te AKSHI, 43 milionë euro me prestanome… Danieli, një ish-punonjës është kërcënuar që të mbyllë gojën. Nga kryeministri vetë.” – tha Ahmetaj në intervistën me Çim Pekën.

Dyshimet për këto deklarata politikanësh i përforcon edhe një fakt tjetër. 4-5 muaj përpara se të rëmbehej, Daniel Shima ishte pushuar nga puna. Dhe largimi i tij nga AKSH-i, si për koincidencë ishte firmosur nga drejtoresha Mirlinda Kërçanaj, mikeshë e Ergys Agasit, në në 19 mars 2024 pikërisht ditën që ajo u mor në pyetje nga SPAK.

Pra të dy rrëmbimet janë bërë brenda një harku kohor, të dyja kanë pasur lidhje me tenderat e AKSH, personat që kanë zbatuar pengmarrjen janë kamufluar me uniforma shtetërore. Njësoj si Gerond Meçe që nuk pranoi të bënte denoncim në polici, pasi nuk kishte besim por shkoi e u fal tek një ambasadë e huaj edhe Daniel Shima pas dhjetë orësh i zhdukur sgjeti alibi më të mirë se një sherr me të dashurën duke rrefuzuar të thotë të vërtetën.

A janë këto indicie të mjafta për të dyshuar se pas tyre qëndron i njëjti grup? Pikërisht këtë pistë po ndjekin prokurorët e SPAK dhe hetuesit e BKH, duke shtuar dyshimet se sekuestrimi i personave ishte një praktikë punë e bandës që paguhej nga shteti për të zhvilluar inteligjencën artificiale.

©Lapsi.al

Share it :