Afera e AKSHI/ Nuk ndalet Rama: Drejtoresha e Kapur ne skandal ka bere pune te jashtezakonshme
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me hetimet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) për Agjencinë Kombëtarë të Shërbimeve të Informacionit (AKSHI). Në podkastin e tij “Flasim”, Rama i doli në mbrojtje të drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karçanajt, duke thënë se akuzat për të janë të hatashme.
“E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAKU për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqipërisë, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë, gjendet nën një mase sigurie me një akuze te hatashme, për të cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë dalja deri në fund e vërteta e saj cilado qoftë ajo” – tha Rama.
Më pas Rama përmendi një raport të Bankës Botërore që sipas tij tregon se Shqipëria ka ecur përpara me digjitalizimin.
“Ky është një raport objektiv dhe profesional, i cili vlerëson katër fusha kryesore, që mbulojnë sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët mundësues institucionale e ligjorë, dhe pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqesor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve të çorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë, në këtë fushë të veprimtarisë së AKSHI-t” -tha Rama.









