Korrupsioni gjuhësor si efekt anësor i korrupsionit politik
Kryeministri Edi Rama përdori të dielën fjalët më të gabuara të mundshme për të justifikuar zbulimet tronditëse të Prokurorisë së Posaçme, të tilla si korrupsion sistemik në prokurimet publike apo grup të strukturuar kriminal që përdor dhunën dhe rrëmbimet për të dalë fitues. Korrupsioni gjuhësor nuk është në fakt një gjë e re, por një fenomen i vërejtur shumë kohë më parë, ku gjuha dhe qartësia e të shprehurit bie viktimë e korrupsionit më të gjerë
Kryeministri Edi Rama përdori termin “të hatashme” për të përshkruar akuzat që rëndojnë mbi drejtoreshën jetëgjatë të AKSHI, Mirlinda Karçanaj, si dhe termin “destabilizim” për procesin elementar demokratik të kërkesës së llogarisë ndaj një qeverie që, siç po del, është përgjegjëse për vjedhjen dhe grabitjen sistemike të çdo leku nga taksat e qytetarëve që patën përgjegjësi të mirëadministronin.
Duke folur në monologun e tij të përjavshëm, të cilin e bën prej kohësh, me raste në prani të të ftuarve që në përgjithësi janë memecë, Rama nuk ngurroi të akuzojë median si “histerike” dhe akuzoi çdokënd që i kërkon llogari atij për një dëshirë perverse për shkatërrimin e vendit.
“E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAKU për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj,” deklaroi Rama, duke harruar një “sh” para fjalës “përdorim”.
Përdorimi i cilësorëve të gabuar për të përshkruar një situatë të caktuar nuk ka pse të na çudisë, pasi është një fenomen i njohur në politikë. Por përdorimi i tezës së “stabilitetit” si argument se pse atij nuk mund t’i kërkohet llogari për çfarë ka ndodhur është, ose kërcënim i llojit “unë e djeg Shqipërinë para se të iki”, ose një bllof. Me gjasa është kjo e dyta.
Jo, ndajfolja “e hatashme” nuk është e duhura për të përshkruar çfarë ka ndodhur. Është me konotacion shumë pozitiv. Kur, për shembull, një lojtar futbolli luan shumë mirë, ai thuhet se bëri një lojë “të hatashme”. Fjalori i gjuhës shqipe dallon fjalën “hatá”, që do të thotë katastrofë, me ndajfoljen “hatashëm”, e cila mbart kuptimin figuratin “e jashtëzakonshme”, “e mrekullueshme”, “e mahnitshme”.
Jo, Karçanaj nuk përballet me hetim për “përdorim” të fondeve publike, sepse fjala përdorim nuk mbart kurrfarë konotacioni negativ. Karçanaj akuzohet për manipulim të prokurimeve publike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Përdorimi i fjalëve në kuptimin e kundërt që bartin literalisht është në fakt, diçka e vjetër. Orwell është i famshëm për përdorimin e fjalëve në kuptim të kundërt në shoqëri totalitare, të tilla si Ministria e Dashurisë për Policinë Sekrete, apo siç në Shqipërinë e kohës së Komunizmit u bë filmi Dora e ngrohtë për të përshkruar Sigurimin.
Studiuesja Mary Beard gjurmon rrënjët e korruptimit të gjuhës si zgjatim të korrupsionit politik te historiani romak Taciti (Tacitus), gjuha e të cilit është pothuajse e papërkthyeshme si ajo e James Joyce dhe ku fjalët marrin kuptim të kundërt. Beard dyshon se Taciti e kishte qëllimisht përdorimin e gjuhës shumëkuptimëshe si një instrument për të përshkruar gjendjen e përgjithshme të korrupsionit të kohës kur jetoi. Dhe ai në çaste të caktuara bënte ndonjë koment domethënës për të ekspozuar të gjithë këtë. Për shembull, ai citon një udhëheqës brit gjatë luftërave me Romën, i cili thoshte se për romakët, masakrat dhe plaçkitjet nuk përshkruhen si të tilla, por përshkruhen përciptazi me fjalën “pushtet”, ose ushtrim pushteti. Ndërsa kur një vend shpartallohet në një mënyrë të tillë sa asgjë nuk pipëtin më, kjo përshkruhet me fjalën “paqëtim”. Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant thotë Taciti, që afërsisht do të thotë, ata e bëjnë vendin rrafsh dhe e quajnë këtë paqe.
Pak a shumë në kohën tonë në Shqipëri, ka politikanë që nuk e fshehin njëfarë krenarie kur përshkruhen si të korruptuar, por ndjehen fort të fyer kur përshkruhen thatë si “hajdutë”.
Në këtë kuptim, nuk mund të çuditemi që Rama përdor fjalën “të hatashme” për akuza të vjedhjes, grabitjes dhe pengmarrjes, si dhe përvetësimin mizor të parave të taksapaguesit të një vendi të varfër për të blerë jahte dhe për të bërë koleksione vere me vlerë miliona euro, ndërsa në spital nuk ka ilaçe.
Disa fjalë më të përshtatshme për të përshkruar grupin kriminal AKSHI janë: Rrëqethës, llahtar, drithërues, e tmerrshme, mizore, lebetitëse. /Reporter.al









