Balluku-AKSHI” 2 organizata, 1 kryetar dhe shteti Mafioz

Balluku-AKSHI” 2 organizata, 1 kryetar dhe shteti Mafioz

Nga Basir ÇOLLAKU

“..Shteti mafioz, është një sistem politik, ku qeveria dhe institucionet, janë infiltruar në role, ndikim dhe kontroll, formal a informal, nga krimi i organizuar, duke përafruar deri në njëhsim, pushtetin formal dhe informal, ku eliat politike janë në aleancë me krimin, për të vjedhur pasuritë dhe fondet publike, për të intimiduar dhe kontrolluar opozitën, dhe opinionin publik, duke krijuar një qeverisje bazuar në korrupsion, klientelizëm, manipulim mediatik, dhe dhunë.

Një shtet mafioz, është një shtet ku kufijtë midis pushtetit politik legjitim dhe organizatave kriminale shuhen duke e shndërruar aparatin shtetëror në një makineri efektive për pasurimin e një grupi të vogël në kurriz të shumicës, dhe të pasurive publike..” ky është një përkufizim i fondacionit amerikan Carnegie.

A kemi mbërritur ne këtu?

Sigurisht po.

Viti 2025, nisi me pranga, e me të tilla po mbyllet, për “suksesmenin” e panikosur qeveritar Edi Rama, edhe vetë në prag të marrjes i pandehur familjarisht. Me 10 shkurt 2025, u arrestua kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. U prangos pretenduesi për pasardhës partiak i kryeministrit, një nga dy vëllezërit e vetëshpallur të Aleks Sorosit. “Vëllai” tjetër sipas vetëdeklarimeve, pas fotove me afërsi befasuese, është Edi Rama.

Me 16 dhjetor 2025, Struktura e Posaçme, i kërkoi Kuvendit, autorizim për imuntetin dhe arrestimin e ministres së infrastrukturës dhe energjisë, zëvëndëses së Ramës në qeveri, Belinda Ballukun. Rama po tërheq zvarrë mazhorancën, duke hapur betejën e fundit me drejtësinë. Hetimet janë në zyrën e tij, famijen e tij, oborrin e tij. Sanksionet e afërta amerikane ndaj Ramës, janë një mundësi reale.

Dosjet e tij narcos, korrupsionit, pastrimit të parave, nuk konkurohen përveç nga autokratët e diktatorët e pakët në qarkullim. Arsenali përgjimeve Gysi-Balluku, nuk shushat askënd, sesi vizitorët e pafund në atë zyrë në ish-bllok, kanë sajdisur trupat e tyre, emocionalisht, apo kanë pirë pije të çdo ngjyre. Gojët e tyre dhe gojët e liga e dinë çka ndodhur. Sado perversitete të kenë konsumuar, nuk i kërcet njeriu për këtë zdërhallje pasthirmash, mbi apo nën brez. Problemi është me pengmarrjen e institucioneve, parave publike, drejtësisë, ekonomisë, shërbimeve e investimeve. Të Sigurisë Kombëtare.

Problemi është te aktet kriminale të gatuara dhe ekzekutuara nga grupi, organizata, kostoja e madhe e prodhuar nga kjo sjellje. Telashet ulëritëse janë në faktin se si ndahet si plaçkë, pasuria publike, me pushtetarë, zyrtarë me mandate publike, trafikantë e vrasës, funksionarë ligjesh të çdo hallke të sistemit, biznesmenë, mediatikë, e gjithëfarë turli horrnaje tjetër.

Biznesmenët e mëdhenj, në listën e 54 kontrolleve të ushtruara në zyra e aktivitetet e tyre, nuk janë të sulmuar me tendencë falimentin e ekonomisë. Ata sipërmarrësit, nëse janë shkëmbyes privilegjesh në marrjen e punëve publike, kohën dhe veprimin kompromentues apo korruptues të paligjshëm, duhet ta përballin vetë, pa u viktimizuar.

Nuk janë të paktë bizneset e mëdha në Shqipëri, ndoshta tek- tuk ndonjëri ka qenë mënjanuar në fushatë elektorale, shumica ishin në rresht. Ishin në radhë duke kryer porositë në terren për mazhorancën. Me rrugë, me ujësjellësa, paçka se uji kismet kur të vijë. Me gardhiqe e rrugica, me asfalte elektorale, me hekurishte e beton, me çati e rikonstruksione banesash në ato javë zgjedhore.

Pikërisht porositë pranoheshin edhe si shpërblim këtyre punëve të marra nëpër takime e jo garime, e të tjerave që do të merreshin pas fitores, duke marrë në konsideratë shënimet e listës së patronazhimit. Konkurenca ka ikur për lesh me vakt në këtë allasoj qeverisjeje.

Në çdo qark kishte nga një “zyrë-gys”, si shpërndarës. 800 pagesa nga thesari në një vit për baxhanakun e Ramës, për punët e ndara me AKSHI, nga udhëheqësja e vizionit të Ramës, nuk janë gjenialitet, por afinitet me oborrin, ndaj hetimi aty duhet të ndalojë gjatë.

Lista me deputetë e me ministra, bashkiakë, zyrtarë të korruptuar, andej, këndej dhe gjithandej, në pritje të masave të arrestit, nuk sjellin entuziazëm qelie. Kjo është lufta me të keqen. Nëse i hedhim sheqer sipas orekseve lobuese, paguese, të hallexhinjve në hetim, thjesht e bëjmë më të hidhur nesër…

Share it :