E vendosi tritolin në 27 dhjetor dhe e plasi dy ditë më pas,si u vra Hysni Ymeri. Policia, kap 4 persona

E vendosi tritolin në 27 dhjetor dhe e plasi dy ditë më pas,si u vra Hysni Ymeri. Policia, kap 4 persona

Nga Elton Qyno – Syri.net

Gerti Bushati, është personi që ka vendosur lëndën plasëse në sahatin elektrik të një pallati 5 katësh në Shkodër, ku mbeti i vrarë 67-vjeçari Hysni Ymeri.

Sipas gazetarit Elton Qyno, Bushati është kapur nga një kamera e instaluar në një biznes aty pranë, ku shihet që në darkën e datës 27 dhjetorit, vendos lëndën shpërthyese në sahatin eletrik të katit të parë të pallatit.

Lënda shpërthyese është aktivizuar dy ditë më vonë në 29 dhjetor 2025, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të 67-vjeçarit.

Shpërthimi ndodhi në momentin kur Hysni Ymeri ishte duke ngjitur shkallët e pallatit për të hyrë në banesë.

Pas hetimeve të kryera dhe ndjekjes së disa kamerave të tjera është mësuar intenerari i lëvizjes së disa autorëve, duke çuar në arrestimin e 4 personave, Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.

Policia nuk e ka zbuluar ende motivin e porositjes së ekzekutimit të 67-vjeçarit, ndërsa më herët ka një histori gjakmarrje të familjes së Hysni Ymeri.

Në 1995-ën, në lagjen Kiras vëllai i tij vrau Shefqet Çekorjen. Autori u arrestua në atë kohë dhe u dënua.

Disa vite më vonë, sipas burimeve, dy familjet arritën pajtimin. Shefqet Çekorja ishte vëllai i Ismet Çekores, i cili u vra në shtator 2022 pranë banesës së tij, i vrarë si pjesë e konflikteve mes fiseve Bajri-Lici.

Pak ditë para ekzekutimit të Hysni Ymerit, kishte ardhur në Shkodër edhe djali i tij, i cili jeton jashtë Shqipërisë. Alban Ymeri i tha policisë se familja nuk kishte konflikte dhe se nuk kanë marrë kërcënime.

Gjatë veprimeve të policisë janë sekuestruar 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, municion, lëndë narkotike dhe kokaine, pajisje GPS, kamera sigurie dhe rroba të përdorura nga autori i dyshuar.

Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe sqarimin e motiveve.

Share it :