Nuk përjashtohet ngujimi”, Balliu tregon aksionin e opozitës në 2026
Aksioni i opozitës në vitin 2026 do të përshkallëzohet. Këtë pohon deputeti demokrat Klevis Balliu në një intervistë për A2CNN, ku nuk përjashton as grevën e urisë dhe as ngujimin si në Kuvend por edhe në sheshe.
“Asgjë nuk përjashtohet, por mendoj se duhet të merremi me qeverinë në një format ballor. Nuk përjashtohet as ngujimi dhe asgjë tjetër në aksionin tonë. Më së shumti mendoj se fokusi duhet të jetë në formë proteste afatgjatë, deri në arritjen e qëllimit. Qëllimi tashmë është i qartë, Edi Rama të japë dorëheqjen dhe t’i hapet rrugë një qeverie teknike apo tranzitore”.
Shefi i Organizimit në Partinë Demokratike tregon edhe arsyet se përse do të organizojnë protesta përgjatë vitit 2026.
Vendi tanimë është i destabilizuar. Ne kemi kryetarin e bashkisë së kryeqytetit në burg dhe Tirana qeveriset nga burgu. Ne kemi sot zëvendës kryeministren, ministren e energjetikës dhe transportit, numrin 2 të qeverisë, njeriun më të afërt të Edi Ramës, e cila është kapur në flagrancë duke vjedhur për hir të vërtetës në emër të Edi Ramës. Në një dosje ku është vetë kryeministri i përfshirë dhe ai po bën të gjitha përpjekjet për ta mbrojtur atë. Dhe e treta, çka është edhe më e rëndë është fakti tronditës i aferës së AKSHI-it, ku doli në pah bashkëpunimi i krimit të organizuar me politikën. Në veçanti i Ergys Agasit, koordinatorit të Edi Ramës me krimin e organizuar”, tha për A2 CNN deputeti demokrat Klevis Balliu.
Sipas Balliut detajet e zbuluara nga dosjet e SPAK deri më tani janë maja e ajsbergut, duke paralajmëruar prova të reja më të rënda për zyrtarët por edhe për eksponentët e krimit.
“Mund t’u them me plot gojën që ka prova të tjera shumë herë më të forta se këto, shpresoj që të dalin shumë shpejt. Burimet thonë që ka foto, ka video të tjera shumë specifike, në këtë kontekst shteti ka rënë, pasi kur bie siguria kombëtare ka rënë edhe shtetit”, shprehet për A2 CNN Klevis Balliu.
Përveç protestës në bulevard, demokratët tentuan të shkonin edhe në banesën e kreut të qeverisë në Surrel. Balliu nuk mohon që një aksion i tillë por në përmasa më të mëdha të përsëritet në javët në vijim.
“Edi Rama ka përzënë shqiptarët nga shtëpitë e tyre dhe me afera korruptive ka ndërtuar atë banesë 6 mijë metra katrorë. Ajo është një banesë e ndërtuar me djersën e shqiptarëve dhe shqiptarët nëse vendosin të shkojnë, shkojnë në pronat e vjedhura nga Edi Rama. Dhe në këtë aspekt, Edi Rama e ka personalizuar betejën me shqiptarët”, thekson deputeti demokrat për A2 CNN.
Partia Demokratike e mbështetur edhe nga aleatët ka organizuar 6 foltore përballë Kryeministrisë dhe një protestë kombëtarë përgjatë këtij viti. (A2 Televizion)









