Këlliçi: Rënia e Maduro-s, goditje ndaj narkoshteteve dhe paralajmërim për Ballkanin

Këlliçi: Rënia e Maduro-s, goditje ndaj narkoshteteve dhe paralajmërim për Ballkanin

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke e cilësuar atë si kreun e një narkoshteti dhe duke e krahasuar modelin e qeverisjes së tij me atë të kryeministrit Edi Rama.

Sipas Këlliçit, autoritetet amerikane nën drejtimin e presidentit Donald Trump arrestuan Nicolas Maduro si drejtues të një karteli droge të njohur si “Cartel de Los Soles”, i cili, sipas tij, trafikonte sasi të mëdha droge drejt Shteteve të Bashkuara. Deputeti i PD-së pretendon se ky kartel përbëhej nga zyrtarë të lartë ushtarakë dhe civilë, duke e kthyer Venezuelën në një narkoshtet.

Nuk ishte një rrufe në qiell të hapur”, shprehet Këlliçi, duke theksuar se gjatë presidencës Trump paralajmërimet dhe goditjet ndaj karteleve të drogës, përfshirë ato me mbështetje shtetërore, kanë qenë të vazhdueshme.

Në reagimin e tij, deputeti demokrat e cilëson Maduron si një narkolider që, sipas tij, ka përdorur pushtetin për të justifikuar aktivitetin kriminal, lidhjet me krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin masiv. Këlliçi shton se ky është, sipas tij, i njëjti model qeverisjeje që ndjek edhe kryeministri Edi Rama.

Në fund, ai shpreh shpresën që goditje të tilla ndaj lidhjeve mes krimit dhe qeverisjes së nivelit të lartë të vijojnë edhe në rajonin e Ballkanit, duke theksuar se integrimi në Bashkimin Europian nuk mund të përfshijë, sipas tij, narkoliderë të përfshirë në trafikun e drogës dhe destabilizimin social e ekonomik të vendeve të BE-së.

Postimi i Këlliçit:

Ra Maduro, sivllau binjak i Edi Ramës!
SHBA nën drejtimin e Presidentit Trump, arrestuan sot Kreun e Narkoshtetit të Venezuelës, Nicolas Maduro, si kryetarin e një karteli droge i quajtur Cartel de Los Soles, i cili transportonte sasi të mëdha droge drejt SHBA-së.
Ky kartel përbëhet nga zyrtarët më të lartë ushtarakë dhe civilë të shtetit, duke e shndërruar Venezuelën faktikisht në një narkoshtet.
Kjo nuk ishte një rrufe në qiell të hapur!
Nën presidencën Trump, paralajmërimet dhe goditjet ndaj karteleve të drogës, edhe atyre me mbështetje shtetërore, kanë qenë të vazhdueshme dhe serioze.
Maduro nuk ishte gjë tjetër veçse një ndër narkoliderët që mendojnë se me forcën e pushtetit mund të justifikojnë aktivitetin e tyre kriminal, lidhjet e ngushta me krimin, pastrimin e parave dhe korrupsionin masiv.
Identik i njëjti model me të cilin udhëheq Edi Rama.
Le të shpresojmë që goditje të tilla të lidhjeve të krimit me qeverisjen e nivelit të lartë të vijojnë me këtë intensitet edhe në rajonin e Ballkanit, i cili po hedh hapa drejt integrimit në Bashkimin Europian.
E ky integrim nuk mund të përfshijë kurrsesi narkoliderë të përfshirë drejtpërdrejt në trafikun e drogës, destabilizimin social dhe ekonomik të vendeve të BE-së.

Share it :