Vila “No. Red” ose oborri i arkitektëve të qeverisë

Vila qeveritare “Nr. 5”, njohur edhe si “Villa Number Red” (shkurt “No. Red”), u rindërtua përmes një serie procedurash të mbyllura, kontratash konfidenciale dhe vendimmarrjesh të paqarta për publikun.

Vila “No. Red” ose oborri i arkitektëve të qeverisë

Vila qeveritare “Nr. 5”, njohur edhe si “Villa Number Red” (shkurt “No. Red”), u rindërtua përmes një serie procedurash të mbyllura, kontratash konfidenciale dhe vendimmarrjesh të paqarta për publikun.

Me rreth 6 milionë euro fonde publike të shpenzuara për projektim, zbatim dhe mbikëqyrje, rindërtimi i saj u zhvillua pa një garë të hapur dhe pa transparencë mbi autorësinë reale arkitekturore dhe artistike.

Të dhënat e analizuara nga Citizens.al tregojnë se të gjitha kontratat u dhanë përmes negocimit pa shpallje paraprake, ndërsa ofertat fituese ishin thuajse në kufirin maksimal të fondeve limit.

Ky kombinim – procedura të mbyllura, afate të nxituara dhe mungesë dokumentimi – ngre dyshime serioze për favorizime dhe abuzime me paratë publike.

Sinjalizimi i Citizens.al për këto çështje ka bërë që Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) të shprehet pozitivisht për përfshirjen e saj në planin auditues të vitit 2026.

Projektuesi: “Atelier 4”, kontratë me 98.5% e fondit limit

Rezidencat shtetërore menaxhohen nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare (DSHQ).

Për projektimin e rindërtimit të vilës “No. Red”, DSHQ zgjodhi dhe lidhi kontratë me studion “Atelier 4”, përmes negocimit pa shpallje paraprake.

Kontrata u nënshkrua më 17 nëntor 2022, me një vlerë 3.9 milionë lekë – 98.5% e fondit limit prej 3,952,500 lekësh.

Studio, (e drejtuar kryesisht nga Alban Efthimi), kishte vetëm 45 ditë kohë për dorëzimin e projektit.

Zbatuesi: “Ad-Star”, kontratë sa 99% e fondit limit

Katër muaj pas nënshkrimit të kontratës për projektimin, më 15 mars 2023, DSHQ zhvilloi procedurën e zbatimit të punimeve, duke vepruar sërish me negocim të mbyllur.

Çfarë është negocimi pa shpallje paraprake? Procedura me nivelin më të ulët të transparencës. (Kliko mbi tekst)
Kompania “Ad-Star”, (sipërmarrje e Alfred Çomës), u shpall fituese më 3 prill dhe u kontraktua 15 ditë më vonë. Ajo ofroi 494.7 milionë lekë, që përbënte 99% të fondit limit prej 499,696,978 lekësh.

Vila Nr. 5 njohur si No. Red/Instagram.
Afati i punimeve u caktua vetëm 6 muaj. Por vila u hap dy vite më pas në qershor 2025. Një pritje me ftesa private u organizua nga Kryeministri në kuadër të festivalit të arkitekturës “Bread & Heart”.

DSHQ nuk dha informacion se kur përfunduan punimet apo se kur e mori ndërtesën në dorëzim.

Mbikëqyrja e punimeve: “Dricons”, kontratë me 95% të fondit

Në të njëjtën datë me tenderin e ndërtimit, pra 15 mars 2023, u zhvillua edhe tenderi për mbikëqyrjen e punimeve. Sërish DSHQ veproi me procedurë të mbyllur.

Fituesi, kompania “Dricons” (sipërmarrje e Vladimir Topit), u kontraktua më 18 prill 2023. Dricons ofroi 5.6 milionë lekë, sa 95% e fondit maksimal prej 5,901,353.33 lekësh.

Rreth dy muaj më vonë, në qershor 2023, Topi u arrestua nga SPAK. Ai u akuzua se kishte korruptuar Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë.

Dyshohej se kishte përfituar favorizim në tenderët për mbikëqyrjen e punimeve në disa qendra shëndetësore në Tiranë dhe Durrës.

Deri në gusht 2023, “Dricons” ndryshoi pronar dy herë me vlera simbolike prej 100 mijë lekë (1,000 euro). Në vitin 2024 kompania kaloi në emër të bashkëshortes së Topit, sërish për të njëjtën shumë.

Vila Nr. 5 njohur si No. Red/Instagram.
Atë vit Topi u dënua me një vit burg. Rasti i tij thellon dyshimet mbi mungesën e kontrollit në kontratat publike. Veçanërisht për objekte të rëndësisë së veçantë si rezidenca qeveritare në fjalë: “Vila Number Red”.

Lexo: Vila “No. Red” ose oborri i arkitektëve të qeverisë

KLSH do të auditojë “procedurat sekrete“

Në prokurimet e mbyllura, pa njoftime paraprake institucionet zgjedhin vetë kompanitë që do të ftojnë në tenderë. Kjo praktikë është kritikuar shpesh nga KLSH. Ajo konsiderohet e cenueshme ndaj abuzimeve dhe favorizimeve.

Sipas ligjit 162/2020 “Për Prokurimet Publike”, tenderët e mbyllur aplikohen vetëm kur tenderët e hapur kanë dështuar. Ato lejohen kur ka emergjencë, rrezik sigurie, mungesë konkurrence ose arsye të veçanta teknike.

Sidoqoftë, kërkohen argumentime të dokumentuara për arsyet pse shmanget tenderimi i hapur.

Në rastin e vilës “No. Red”, rindërtimi i saj nuk përbënte ndonjë emergjencë. Pavarësisht kërkesave të përsëritura të Citizens.al, institucionet nuk zbuluan dokumentim që e justifikoi shmangien e tenderit të hapur, përkundrazi. DSHQ, tha se ka proceduar sipas ligjit 36/2020 “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”. Pra, jo sipas ligjit të zakonshëm.

Citizens.al pati komunikim të zgjatur me DSHQ. U kërkua arsyetimi i procedurës së mbyllur dhe kopje e kontratave me palët e përfshira. Por DSHQ këmbënguli, edhe pas ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, se ato ishin “konfidenciale”.

Gjatë hapjes së Vilës Nr. 5, njohur si No. Red/Instagram.
DSHQ argumentoi se vila “No. Red”, përmban elementë që lidhen me informacione sekrete. Kjo duke qenë se shërben për qëllime shtetërore. Për këtë, ajo tha se procedurat dhe kontratat nuk mund as të deklasifikohen pasi cenohet siguria.

Por, faktet tregojnë se vila u përdor për aktivitete civile pa asnjë lidhje me sigurinë kombëtare. Aty u pritën arkitektët e festivalit “Bread & Heart” dhe u shpallën thirrjet e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH) për projektin Parku i Besimit.

Për ligjin 36/2020 ka pasur kritika se mund të keqpërdorej për prokurime jo-detyrimisht ushtarake, në varësi të interpretimeve. Ky ishte dhe argumenti që përdori ish-Presidenti Ilir Meta kur e ktheu për rishqyrtim në maj 2020.

Citizens.al vendosi në dijeni KLSH-në për këtë situatë, institucioni u përgjigj se planifikon të kontrollojë procedurat e ndjekura nga DSHQ gjatë vitit 2026. Kjo drejtori rezulton të mos jetë kontrolluar më parë për prokurime të tilla.

Një dhuratë, shumë pikëpyetje…

Pavarësisht se DSHQ kontraktoi zyrtarisht studion “Atelier 4” për projektimin e rindërtimit të Vilës Nr. 5, projekti i është atribuuar gjerësisht online studios ndërkombëtare Bofill Taller de Arquitectura (link; link; link).

Në një komunikim zyrtar me Citizens.al, Bofill konfirmoi se ka zhvilluar një koncept-projekt për Vilën 5, të cilin ia ka ofruar pa pagesë Qeverisë Shqiptare, si një iniciativë e vetë studios dhe pa asnjë marrëdhënie kontraktuale apo shpenzim publik.

Studio shpjegoi se ka qenë e pranishme në Shqipëri prej vitit 2021 dhe se u interesua për vilën si një rezidencë qeveritare e papërdorur dhe e lënë e papërfunduar.

Vila Nr. 5 njohur si No. Red/Instagram.
Sipas saj, koncepti u zhvillua si një propozim krijues dhe iu dorëzua shtetit për përdorim të lirë, në rast se ndërtesa do të rindërtohej në të ardhmen.

Bofill theksoi gjithashtu se ngjyra e kuqe është një element karakteristik i filozofisë së saj arkitekturore, e lidhur me traditën mesdhetare, dhe se përdorimi i saj në këtë vilë ishte “i vetëkuptueshëm” në raport me kontekstin dhe peizazhin.

Megjithatë, studio nuk sqaroi mënyrën konkrete të dorëzimit të konceptit pranë institucioneve shqiptare, nëse ishte në dijeni të faktit që qeveria kontraktoi më pas Atelier 4 për projektimin e të njëjtës godinë, apo nëse ka pasur ndonjë formë komunikimi apo koordinimi mes palëve.

Pyetjet e mëtejshme nga Citizens.al mbi këto çështje mbetën pa përgjigje.

Heshtja e “Atelier 4” dhe paqartësitë mbi rolet zyrtare

Citizens.al iu drejtua në mënyrë të përsëritur studios Atelier 4, si përmes email-eve zyrtare ashtu edhe përmes kontaktit direkt me një prej aksionerëve, Andi Eftimi.

Kërkuam koment për të sqaruar: rolin konkret të Atelier 4 në projekt, nëse autorësia arkitektonike apo konceptuale ishte e saj apo e nënkontraktuar, nëse koncepti i Bofill ishte përdorur, adaptuar apo referuar, dhe nëse DSHQ ishte njoftuar për ndonjë bashkëpunim të mundshëm.

Asnjë nga këto kërkesa të Citizens.al nuk mori përgjigje.

Kjo mungesë transparence lë të hapur pikëpyetje thelbësore mbi përmbajtjen reale të kontratës 3.9 milionë lekëshe për projektimin, mbi procesin e vendimmarrjes arkitekturore dhe mbi ndarjen e përgjegjësive profesionale për një objekt qeveritar të financuar me fonde publike dhe të trajtuar si objekt të sigurisë së veçantë.

Vila Nr. 5 njohur si No. Red/Instagram.
Ngjashëm paqartësi dhe marrëdhënie jashtë kontratave publike hasen edhe në ndërhyrjet artistike në interierin e vilës.

Në brendësi të saj janë menduar shkrime me elementë vizualë, disa prej të cilave u bënë edhe gjatë hapjes zyrtare të saj gjatë festivalit “Bread & Heart” nga arkitektët e ftuar. Por ndërhyrjet artistike duket se u realizuan jashtë kontratave publike të shpallura.

Sipas konfirmimit të marrë nga Destil Creative Hub, qendra u kontraktua nga kompania zbatuese Ad-Star, në një marrëdhënie private, për të kuruar ndërhyrjen artistike dhe për të angazhuar disa artistë, mes tyre Loumaye Hadrien, Ledia Kostandini dhe Lib Shkupolli.

Në rrjet, artistja nga Brukseli, Val Smets, pretendon autorësinë e fragmenteve të Ismail Kadaresë përcjellë artistikisht në muret e katit të parë. Ajo thotë se puna “u komisionua nga Kryeministri” gjatë muajve janar dhe prill 2025 dhe tematika ishte me kërkesë.

Ndryshe, Destil tha për Citizens.al se nuk kishte një tematikë të diktuar dhe se artistët ndërhynë lirshëm në mure, sipas qasjes së tyre personale.

Ky fragment i procesit nxjerr në pah një tjetër zonë gri, ndërthurjen mes fondeve publike, kontratave private dhe autorësisë artistike, pa një dokumentim të qartë institucional mbi rolet, kufijtë dhe përgjegjësitë.

Me rreth 6 milionë euro fonde publike të shpenzuara për projektim, zbatim dhe mbikëqyrje, rindërtimi i saj u zhvillua pa një garë të hapur dhe pa transparencë mbi autorësinë reale arkitekturore dhe artistike.

Të dhënat e analizuara nga Citizens.al tregojnë se të gjitha kontratat u dhanë përmes negocimit pa shpallje paraprake, ndërsa ofertat fituese ishin thuajse në kufirin maksimal të fondeve limit.

Ky kombinim – procedura të mbyllura, afate të nxituara dhe mungesë dokumentimi – ngre dyshime serioze për favorizime dhe abuzime me paratë publike.

Sinjalizimi i Citizens.al për këto çështje ka bërë që Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) të shprehet pozitivisht për përfshirjen e saj në planin auditues të vitit 2026.

 

 

 

Share it :