Nënkryetari i PL-së, Petrit Vasili, në një intervistë për SYRI TV, duke komentuar investigimin në RAI3, u shpreh se është një dëshmi shumë tronditëse e ardhur nga televizioni public Italian, që paraqiti fakte të pakundërshtueshme.
Vasili tha se janë vendosur fakte autentike lidhur me marrëveshjen Rama-Meloni, për një çështje për të cilën opozita shqiptare e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese.
“Edi Rama ka gënjyer publikisht kur ka thënë që nuk ka asnjë përfitim nga pala shqiptare lidhur me kampet e refugjatëve”, u shpreh Vasili, duke iu referuar fakteve dhe provave të publikuara nga RAI3.
Vasili tha se ne morëm vesh se e gjithë gjëja që do të fillonte dhe do të përfundonte në maj, në rastin në të mirë do të përfundojë në nëntor.
“Italia ka pasur dy probleme me emigrantët: rajonet italiane nuk kanë pranuar ngritjen e kampeve, por Italia ka pasur mundësi sistemimi dhe ne bazuar te marrëveshja do të përpunojmë vetëm 2%, ndërsa 98% do të përpunohen atje”, tha Vasili, referuar investigimit në RAI3.
Lidhur me Engjëll Agaçin, deputeti i PL-së tha se është i çuditur nga reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, i cili ka thënë që do hidhte në gjyq ata të RAI3.
“A ka qenë avokat i narkotrafikatëve? Po ka qenë dhe ky është fakt. Edhe deklaratat se këta narkotrafikantë kur kanë ardhur në Shqipëri për të kryer dënimin janë liruar më shpejt dhe ky është fakt.
Ne e dimë rolin e Agaçit edhe në aferën e inceneratorëve, por e sjellë në vëmendje nga RAI3, tregon se situata është më rëndë se kaq.
Për moralin që ka një administratë europiane, e gjen të papranueshme që një avokat i narkotrafikantëve të jetë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave”, tha Vasili.
Lidhur me Olsi Ramën, një nga personazhet e investigimit të RAI3, Vasili u shpreh se logjika e emisionit provon më së miri se çfarë do të thotë që Shqipëria të jetë një narko-shtet.