Tragjedia në Shkodër, gjendet dhe trupi i pajetë i fëmijës së dytë

0
104

Është gjetur një tjetër trup në lumin Buna, që dyshohet se i përket një prej fëmijëve të 39-vjeçares Alma Arrazi që dyshohet se u mbyt bashke me tre fëmijët disa ditë më parë. Ky është fëmija i dytë që gjendet, pas vajzës 9-vjeçare Ergesa që u gjet dy ditë më parë dhe u përcoll sot për në banesën e fundit.

Lajmi është konfirmuar dhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se sipas skenës që ka rindërtuar Policia, në të njëjtën zonë pritet të jenë të pajetë dhe trupi i fëmijës së tretë dhe i 39-vjeçares Alma Arrazi (Bushati).

“Sa është gjetur dhe trupi i një prej dy fëmijëve të tjerë dhe natyrshëm sipas asaj që policia ka rindërtuar si skenar i kësaj ngjarje tepër të rëndë, dyshohet se dhe trupi i nënës dhe fëmijës tjetër të jetë po në këtë zonë. Kështu që policia, RENEA, forcat kombëtare dhe peshkatarët do të vazhdojnë non stop për të gjetur dy të tjerët.” – tha Balla.

Mësohet se trupi i pajetë i gjetur sot i përket vajzës 6-vjeçares, teksa polumbarët e RENEA-së vazhdojnë kërkimet për gjetjen e djalit 3-vjeçar dhe trupin e 39-vjeçares Alma Arrazi.

Për ngjarjen e rëndë është arrestuar Erdgys Arrazi, bashkëshorti i Almës dhe babai i tre fëmijëve të mbytur. Ai akuzohet se ka shtyrë gruan me fëmijët drejt vetëvrasjes.

Nga familja e Almës, motra e saj, u ka thënë hetuesve se Erdgys Arrazi ushtronte dhune fizike e psikologjike ndaj 39-vjeçares e fëmijëve dhe vetëflijimi dyshohet se është pasojë e dhunës në familje. Dyshohet se Erdgys Arrazi e tradhëtonte bashkëshorten e tij, për të cilën Alma kishte marrë dijeni. Madje pretendohet se Erdgysi e nxirrte live të dashurën e tij në celular, dhe ia tregonte vajzës 9-vjeçe, Ergesës.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se Alma Arrazi është hedhur nga ura e lumit të Bunës mbrëmjen e 2 majit bashkë me tre fëmijët e saj. Në kamerat e sigurisë, 39-vjeçarja është parë se para vetëflijimit, ka pirë kafe me kunatën, me të cilët është ndarë qetësisht.

Një ditë më pas, më 3 maj, Erdgys Arrazi ka denoncuar në polici largimin nga banesa të gruas me fëmijët. Por, kur një peshkatar i zonës gjeti të pajetë trupin e 9-vjeçares Ergesa, ai u kthye në të dyshuarin kryesor për shkaktin e vetëvrasjes së bashkëshortes dhe tre fëmijëve të tij.

Gjithsesi, familjarët e Erdgys Arrizit, jashtë kamerave, pretendojnë se ai nuk ushtronte dhunë dhe se tre fëmijët, ishin pika e dobët e tij.

“Jemi të lënduar dhe shokuar, nuk ja falim nuses vendimin fatal qe ka ndërmarrë duke i marrë jetën vetes dhe tre fëmijëve. Erdgysi i kishte pikë të dobët fëmijët, ai nuk i ka keqtrajtuar asnjëherë. Punonte gjithë ditën në dyqan celularësh për t’i dërguar në shkolla private. Çifti kohët e fundit kanë pasur debate dhe Alma merrte ilaçe në ambulatorin e lagjes për gjendje te rënduar emocionale por këtë vendim as nuk mund ta imagjinonim”, tha një prej familjarëve.

Erdgys Arrizi nuk ka pranuar të flasë para grupit hetimor. Ai ka kërkuar leje për të marrë pjesë sot në ceremoninë e varrosjes së vajzës së tij, por kërkesa i është refuzuar.

Kërkimet për gjetjen e tre trupave nga polumbarët e RENEA nisën të dielën dhe janë përforcuar këtë të hënë mnga ushtria, duke kërkuar nga fshati Darragjat deri në grykëderdhjen e Bunës, në Velipojë. Po kështu janë angazhuar në kërkime dhe forcat policore të Malit të Zi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here