Vrasja e armikut të Martinaj, flet gruaja: Ishim në makinë, djali pa gjithçka

0
112

Mbrëmjen e së enjtes në Athinë u ekzekutua me armë zjarri 32-vjeçari Roan Brahimi alias Sidorel Prendi në një atentat mafioz, teksa ndodhej me të dashurën Katerina Beqo në makinë dhe pak metra larg automjetit ndodhej dhe djali i tyre i vogël duke luajtur në një park.

32-vjeçari jetonte prej kohësh në Dubai dhe mbërriti të shtunën e 4 majit në Athinë, për të festuar Pashkët me të birin dhe të dashurën.

Sipas të dashurës, e cila e shoqëronte ditën që ndodhi ngjarja, ardhja e tij në Greqi ishte një surprizë pasi nuk e kishte lajmëruar më herët, por vetëm të shtunën e kaluar kur kishte mbërritur.

“Nuk dija asgjë, nuk më kishte thënë asgjë, erdhi në Kishë. Të shtunën për Pashkë”, ka thënë ajo.

Duke rikujtuar momentin e atentatit, ajo u shpreh se ndodhej në makinë me viktimën, por gjithçka ndodhi shumë shpejt sa nuk mban mend asgjë.

“Isha në makinë me të, por nuk e mbaj me se çfarë ndodhi. Më pas dola nga makina. Fëmija pa gjithçka. Tani atë e ka mamaja ime, ndërsa unë rri në shtëpi  dhe nuk jam aspak mirë”, tha ajo.

Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, i cili për miqtë dhe të afërmit njihej si “Sidi”, nuk ishte një emër i panjohur për Policinë e Shtetit, teksa njihej dhe si rival i njerëzve të afërt të të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.

Në vitin 2014, Roan Brahimit iu vranë në atentat dy djem xhaxhallarësh dhe u plagos një tjetër. Konkretisht mbetën të vrarë Klodian Ndreca e Taulant Prendi dhe u plagos Aurel Prendi.

Katër vite më vonë, ai u arrestua në Lezhë, ku iu sekuestruan municione, euro dhe bizhuteri të dyshuara nga veprimtaria kriminale e vjedhjes.

Ndërkohë në dhjetor të vitit 2020, lokali në pronësi të Gjovalin Prendit, babai i Roan Brahimit alias Sidore Prendit, u qëllua me breshëri plumbash, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

Ndërsa, në vitin 2021, Roan Brahimi u shpall në kërkim nga policia, pasi së bashku me dy persona të tjerë shkaktuan terror në një lokal në Zejmen të Lezhës. Bashkë me Ramazan Rrajën dhe Alesio Dobrozi, ata u futën të armatosur me kallashnikov duke kërkuar pronarin, ngjarje e ndodhur në vitin 2021.

Roan Brahimi alias Sidorel Prendi dyshohet si i përfshirë dhe në dy atentatet që tronditën vendin në verën e vitit 2022. Më konkretisht atë të 17 korrikut 2022 tek mbikalimi i Fushë Krujës, ku u ekzekutua djali i xhaxhait të Ervis Martinajt, Brilant Martinaj, bashkë me dy shokët e tij Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Po ashtu, dyshohet si i përfshirë edhe në atentatin e regjistruar ndaj krahut të djathtë të Ervis Martinajt, Ylli Brahimi alias Ylli Brahja, i cili mbeti i plagosur dhe u ekzekutua Klisman Preçi.

Për të dyja ngjarjet, ai ka qenë në kërkim, ku policia ka ushtruar kontrolle në banesën e tij në fshatin Pllanë të Lezhës, por nuk u gjet në banesë si në atentatin e parë, po ashtu edhe në të dytin.

Për ngjarjen ku humbi jetën 32-vjecari një natë më parë në Athinë, dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë, por nuk dihet se për llogari të kujt është kryer ekzekutimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here