Çfarë tregon zbardhja e skemave të vrasjeve nga SPAK ?

0
522

Rritja e statistikave të të arrestuarve nga SPAK, në mënyrë krejt paradoksale, po zhbën ditë pas dite arsyen për të cilin ky institucion u ngrit. Sa më shumë vjedhje kolosale apo skema vrasjesh kriminale që zbulohen, aq më tepër mpaket besimi i publikut se pandëshkueshmërisë po i vjen fundi.

Këtë dëshmoi edhe dosja e rradhës për aktivitetin e disa prej bandave më të rrezikshme të vendit, që operonin në zonën mes Lezhës, Laçit, Fushë Krujës dhe Tiranës.

Çfarë gjejmë aty? Një ish deputet të PS-së, Arben Ndoka, që për muaj të tërë angazhon një ushtri me vrasës, për të kryer një krim. Një përfaqësues të Rrahjave, klanit tjëtër të një ish deputeti rilindas, i cili organizon një pritë për vrasje, këtë radhë kundër vetë Arben Ndokës. Pastaj në skenë del, Astrit Avdyli, personazhi i dosjes 339, i bërë i famshëm nga përgjimet e Bild, që prej qelive të paraburgimit kontrollon killerat me pagesë. Më tej Pëllumb Gjoka, siguruesi i hambarit të votave në Qarkun e Shkodrës, që është i aftë të rekrutojë shefa policie, për të vazhduar aktivitetin ilegal të lojrave të fatit. Më tej, njeriu i afërt i drejtorit të përgjithshëm të policisë, Ardi Veliut (çuditërisht përmendet me emër në dosje), që gënjeu publikisht për krimin elektoral të Elbasanit, i cili spiunon për llogari të grupeve mafioze.

Po ta vështrosh nga një këndvështrim ku SPAK refuzon të thellohet, të gjithë këta elementë i lidh një gjë e vetme. Ata, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë prodhuar vota për partinë në pushtet. Dhe ky dyshohet se ka qenë çeku i bardhë për të pasur liri në aktivitetin e tyre kriminal.

Kur ndjek këtë logjikë, natyrshëm të vjen ndërmend pyetja: Po a shkon dot Prokuroria e Posatçme tek ata që i’a falën killerave këtë liri? Ai i prek dot ajo krimet elektorale që kanë rrënjosur pushtetin e një bande të vetme?

Mjafton të ngresh ketë dilemë për të kuptuar se në mënyrë krejtësisht kontradiktore, SPAK-u, aq sa po e rrënon moralisht këtë qeverisje, duke nxjerrë në shesh të vërteta që as imagjinata më perverse nuk do të kish mundur ti fantazonte, po aq dhe po e përforcon pushtetin e saj, duke mos i prekur thelbin e ekzistencës.

Ky konkluzion po aq sa është i vërtetë i për aferat kriminale, vlen njësoj edhe për ato korruptive. Po të zhytesh në skandalin e inceneratorëve sheh se prokurorët dhe hetuesit kanë gjurmuar ata që kanë çuar ndonjë lekë në shtëpi, që kanë përfituar ndonjë biletë udhëtimi apo shtrat erotik hoteli, ndërkohë që nuk kanë guxuar të zbardhin arkitekturën mostruoze të grabitjes që në fund do ti kushtojë shqipëtarëve afto gjysëm miliardi euro. Pra edhe këtu SPAK-u njollos, bën pis, përforcon bestydninë kolektive të një populli që vidhet përditë, por nuk është në gjendje t’i japë përgjigjen se cilët janë hajdutët e vet realë.

Pikërisht ky paradoks, ku pikturohet përmes faktesh të panumërta se po bëhet batërdia, por ama ku e keqja sistemike mbetet pa kokë, po rrëndon përditë e më shumë besimin tek një institucion që u ngrit me shpresën se të paprekshmëve do i vinte fundi.

Për të perifrazuar një shprehje të një prej përkrahësve fillestarë të tij, ish ambasadorit Donald Lu, SPAK nuk po shkon dot tek peshqit e mëdhenj. Ai po kënaqet duke bërë statistikë me cironka, prandaj dhe krimi dhe korrupsioni bëhen më të fortë, ndërkohë që rrjeta duket e mbushur plot me të arrestuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here