Sali Berisha nuk ka munguar të flasë për “pararendësit e betejës të 7 tetorit”, siç i quajti ai mbështetësit që e përkrahin çdo ditë poshtë ballkonit të tij, që prej 31 dhjetorit të vitit të kaluar, ku po qëndron në arrest shtëpie.
Berisha foli për protestën e së hënës të opozitës, duke thënë se demokratët janë të betuar për çdo sakrificë, shkruan A2.
“Mirënjohjen më të pakufishme, për ju pararendësit e betejës të 7 tetorit. Pararendësit e marshit të demokrateve dhe demokratëve, opozitareve dhe opozitarëve, qytetarëve dhe qytetareve drejt fitores.
23 orë na ndajnë nga dita e fillimit të asaj beteje në të cilën çdo demokrate dhe demokrat, çdo opozitar dhe opozitare vendos i betuar, i gatshëm për çdo sakrificë për dinjitetin e tij, për dinjitetin e shqiptarëve, për votën e lirë, për të ardhmen tonë”, u shpreh Sali Berisha.
Më tej, kreu demokrat tha se, “Rama e krimi i organizuar janë vërsulur si hiena kundër atyre që përmbysën pushtetin e etërve të tyre barbarë”.
“Populli opozitar, një popull fisnik, një popull i mbrujtur me vlerat më të larta të moralit, të qëndrimit, të atdhedashurisë është shndërruar këto vite nga narkoqeveritarët, narkozyrtarët, nga Edi Rama dhe regjimi i tij i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve në një popull të përçmuar, në një popull të nënçmuar, në një popull të burgosur, në një popull të diskriminuar, në një popull të dëbuar nga vendi, në një popull që i rrëmbehet vota dhe që i kërkohet të mbajë ison regjimit.