Republika e Kosovës përballë cinizmit neonazist të Aleksanër Vuçiq!

0
93

Nga Enver Bytyçi/

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në përgjigje të një pyetjeje të një gazetari gjatë samitit të presidentëve të Ballkanit Perëndimor në Mal Të Zi ka thënë se “Nuk ka Republikë të Kosovës as sipas të drejtës ndërkombëtare dhe as në bazë të Rezolutës 1244”! Nuk është hera e parë që kreu i shtetit serb e konteston në këtë formë e me këtë frymë shtetësinë e Kosovës, jo vetëm në samite ndërkombëtare e në opinionin publik të Serbisë, por edhe në OKB dhe biseda dypalëshe me personalitete dhe liderë të shumtë në botë. Ai gjithmonë i mëshon narratives ruse, sipas së cilës shteti i Kosovës është “fëmija i Perëndimit”, por jo edhe i bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe as në Rezolutën 1244.Se shteti i Kosovës qenka në shkelje të rezolutës 1244 e thonë gjithashtu disa analistë injorantë ose jo injorantë shqiptarë në Prishtinë e në Tiranë. Por më duhet të kujtoj sërishmi se në atë rezolutë kërkohet që statusi i Kosovës të shqyrtohet në kuadër të Federatës Jugosllave (Serbi-Mali I Zi) dhe jo në kuadër të Serbisë, çka nënkupton statusin e Republikës së barabartë me Serbinë e Malin e Zi. Por Mali i Zi në korrik 2006 shpalli pavarësinë dhe federata u shpërbë përfundimisht. Atëherë ra opsioni i rekomandimit në rezolutë. Rikthimi i Kosovës nën sovranitetin e Serbisë pas asaj çka kishte ndodhur në dhjetë vitet e fundit të shekullit XX ishte i pamundur dhe absurd. Ndaj nuk u parashikua në rezolutën 1244. Mbetej si opsion vetëm pavarësia e saj, ose bashkimi me Shqipërinë. Për bashkimin me Shqipërinë sipas së drejtës ndërkombëtare duhej edhe pëlqimi i Serbisë. Por për statusin e pavarësisë dhe shtetësisë ishte i panevojshëm pëlqimi serb, pavarësisht bisedimeve për këtë, me qëllim arritjen e paqes.Ndërkaq Vuçiq dhe politikanë të tjerë të Serbisë nuk e përmendin asnjëherë faktin se shteti dhe pavarësia e Kosovës janë konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, gjithnjë në përgjigje të pyetjes së hartuar në OKB: – A është pavarësia e Kosovës konform ligjeve të së drejtës ndërkombëtare? Se Vuçiq e anashkalon vendimin e kësaj gjykate, kjo është në interesin e tij, pavarësisht faktit se ishte vetë Serbia ajo që në vitin 2009 kërkoi me insistim vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por që bashkëbiseduesit e Vuçiq “ta kenë harruar” atë vendim të datës 22 korrik 2010, kjo më bën çudi.

Vendimi i GJND në Hagë i 22 korrikut 2010 njeh pavarësinë e Kosovës dhe konfirmon se ajo ishte shpallur më 17 shkurt 2008 në respekt të ligjit dhe të së drejtës ndërkombëtare e madje edhe në pajtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Kush dëshiron ta vërtetojë këtë fakt le të shohë vendimin në fjalë, i cili gjendet lehtësisht përmes google. Prandaj dhe është në tagrin e Kosovës, institucioneve dhe liderëve të saj, që sa herë presidenti i Serbisë e konsideron shtetin e Kosovës si të paligjshëm nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare të reagojnë me argumente dhe prova kundër këtij pretendimi. Së paku të kundërshtojnë cinizmin prej neonazisti të Aleksandër Vuçiq.

Në fund të fundit pavarësia dhe shtetësia e Kosovës kanë në themelet e veta sakrificën e popullit të saj. Është lehtësisht e provueme se Kosova e sotme është produkt i genocidit serb kundër banorëve të saj, kundër shqiptarëve. Është lehtësisht e provueme se ky gjenocid është bazuar në programe dhe memorandume akademike e politike, shtetërore dhe ushtarake për asgjësimin e shqiptarëve për shkak të dallimit etnik të tyre në raport me serbët. Ka aq shumë dokumente, prova, fakte dhe të dhëna historike të gati dy shekujve të fundit, me të cilat provohet se Serbia ka udhëheqë disa herë fushatat e saj shtetërore e politike për spastrimin etnik të Kosovës, si mundësi e vetme për ta mbajtur territorin e saj nën sovranitetin serb.

Historiani i shquar dhe i ndjerë gjerman, Holm Sundhaussen, shkruan se të pushtuar ose jo të pushtuar, të sunduar ose jo të sunduar, nuk janë territoret, por njerëzit që jetojnë në ato territore. Dhe shton se në territorin e Kosovës kanë jetuar e jetojnë shqiptarët, të cilët konsiderohen si njerëz e popull i pushtuar dhe i sunduar nga shteti i Serbisë. Pikërisht këtë realitet kanë synuar ta ndryshojnë fushatat ushtarake, policore e paramilitare serbe në Kosovë. Pra, të ndryshojnë strukturën e popullsisë nëpërmjet asgjësimit fizik të shqiptarëve përmes shpërnguljeve, vrasjeve, masakrave dhe akteve të genocidit kundër tyre.

Se çfarë ka ndodhur, këtë e di edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, një nga aktorët kryesorë të genociidit serb në Kosovë në vitet 1998-1999. Por ai jo vetëm nuk është i gatshëm të marrë përgjegjësinë. Ai përpiqet të bëjë viktimën. Kësaj radhe viktimën e “cenimit” të rregullit dhe ligjit ndërkombëtar. Së paku njerëzit dhe politikanët që mbrojnë të drejtën, duhet t’ia kujtojnë kreut të shtetit të Serbisë se ishte ai një ndër protagonistët e shfarosjes përmes masakrave dhe krimeve genocidiale të shqiptarëve në Kosovë. Ai duhet qortuar publikisht dhe me vendosmëri pse nuk është i gatshëm të njohë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Përpjekja për mosnjohjen e vendimit të Hagës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është premisë e rrezikshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo përpjekje çon pashmangshmërisht në thellimin dhe zgjerimin e konfliktit midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës e më gjerë.

Për këto arsye i duhet ndaluar të flasë zotit Vuçiq për atë se gjoja “nuk ekziston” Republika e Kosovës. I duhet ndaluar të flasë me gjuhën e Vladimir Putin dhe të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov. I duhet kujtuar presidentit të Serbisë, se ai nuk mund të vazhdojë edhe të flasë për bashkimin e Serbisë me vlerat evropianë, edhe të përdorë retorikën e zv. kryeministrit të tij agjent të shërbimit sekret të Rusisë, Aleksandër Vulin. Nuk besoj se ka rrugë tjetër, për të detyruar kreun serb të shtetit dhe lidershipin e Serbisë për njohjen e shtetësisë e të pavarësisë së Kosovës e bashkë me të të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here