Filozofia e kobures së regjimit me emrin SPAK

0
79

Nga Ndriçim KULLA

Që në Shqipëri tradicionalisht nuk ka pasur një kulturë të mirë ndëshkimi, kjo është një e vërtetë e njohur dhe e pranuar.

Kjo shpjegohet edhe me traditën tonë historike të institucioneve të shtetit shqiptar dhe sipas përfundimeve të elitës shqiptare, kjo e ka burimin tek raport  jo miqësor i vetë shqiptarëve me shtetin e tyre në historinë e tij .

Pa u futur shumë thellë në arsyetime social-politike të rrugëtimit historik të shqiptarëve, kjo buron edhe nga mungesa e edukimit të tyre afatgjatë mbi forcimin e këtyre institucioneve.

Ndonëse kemi një traditë të shkëlqyer në rrafshin ballkanik, por edhe më gjerë me traditën juridike të kodit zakonor, i cili “mbretëroi” në marrëdhëniet social-ekonomike të shqiptarëve me dhjetëra shekuj, ai nuk u shfrytëzua kurrë në mënyrë krijuese, ku së paku etika e tij të shërbente si një bazë për të strukturuar çdo reformë juridike, që e lypte një periudhë e caktuar si nevojë.

Ne bëmë një reformë me vulë sorosiane në drejtësi për të zëvendësuar një praktikë jo shumë të pëlqyeshme në sistemit tone të drejtësisë, me pretendimin se do bënim një revolucion.

Por çfarë shohim të rezultojë?! Një dështim i plotë.

Krijuam disa institucione të reja për ta bërë me demek drejtësinë më të mirë dhe realisht i kemi hapur rrugën një katrahure juridike me prapavijë politike me regres të plotë rezultatesh shkatërruese, jo vetëm në numrin e të dënuarve për krim dhe korrupsion shtetëror, por edhe për cilësinë dhe etikën juridike të gjykimeve dhe politizimin e tyre.

Drejtësia e re me SPAK-un pararojë janë bërë pjesë  e  regjimit për të shkatërruar opozitën.

Ndërsa Reforma në Drejtësi vazhdon që të mbrohet publikisht për inerci  nga lobuesit dhe krijuesit e saj , ajo vazhdon që të gërryejë edhe më shumë se më parë jo vetëm besimin e njerëzve tek drejtësia, por edhe vet funksionimin e drejtësisë në tërësi.

Le ta shprehim shqetësimin tonë të sotëm me referimin e dy pyetje të drejtpërdrejta të ditës, që   shprehin një shqetësim publik dhe mjaft aktual.

Pse SPAK tregohet kaq arrogant dhe cinik në respekt të shqetësimit të opinionit publik dhe nuk po hap një proces hetimi për kërcënimin që iu bë live deputetit Gazmend Bardhi nga gazetari Sokol Balla?!

Ky kërcënim ka brenda një episod të drejtpërdrejt kriminal i cili  implikon tërë sistemin qeverisës.

Pse nuk vepron SPAK?!

Pse SPAK nuk e konsideron si shkelje ligjore dhe të nis hetimet menjëherë mbi direktivat e kundra-ligjshme që kryeministri iu jep patronazhistëve dhe administratës për të rekrutuar të afërm të tyre në diasporë, (së paku mbi katër secili),duke iu sugjeruar edhe pagesat e votimeve me postë?

Nuk duket krimi këtu është shumë i qartë dhe i përsëritur pot ë kemi parasysh zgjedhjet e fundit të pushtetit lokal?!

Polakët, sllovenët, grekët, çekët, bullgarët, etj, etj, votojnë nga emigracioni, por qeveritarët e tyre nuk e bëjnë këto ndërhyrje antiligjore në dijeninë time.

Pse nuk hetohet, arrestohet apo të nisë të merret ndonjë hap i vetëm ndaj kryeministrit në fuqi Edi Rama, së paku për aferën e certifikuar ndërkombëtarisht Çarl, ku ka dëmtuar jo vetëm interesat e Shqipërisë, por ka vënë në një rrezik edhe vetë ekzistencën politike të pluralizmit në këtë vend.

Pse nuk hetohen seriozisht autorët kryesor të inceneratorëve të Shqipërisë, që i kanë bërë një kolosal me pasoja shkatërrimtare financave publike, duke lënë pasoja të pa llogaritshme në arsim, kulturë, shëndetësi, pensione, rroga, investime të tjera publike etj, etj.

Sepse është kryeministri vetë me dorën dhe me firmën e tij, që e ka firmosur me autorizimin e këtij krimi të madh shtetëror?

Sepse është kryetari i Bashkisë Tiranë?

Sepse janë të implikuar me dhjetëra persona të tjerë si në pushtetin qëndror ashtu dhe lokal?!

Alibitë që po fabrikohen nga vet SPAK, rast pas rasti, me iluzione të rreme,se gjoja drejtësia është në këmbë dhe po e bën detyrën e saj, janë gënjeshtra të rrezikshme në shërbim të pushtetit.

SPAK, është fakt i pa kontestueshëm se i vjen krimit vërdallë, duke e bërë atmosferën social-politike edhe më të rëndë se më parë.

Përveç lubisë së inceneratorëve, që ka përpirë një shumë tragjike nga taksapaguesit shqiptarë, janë me qindra denoncimet publike për projektet e pa tenderuara prej qeverisjes të cilat iu shkojnë klientelistëve.

E çfarë ka bërë SPAK?

Ka bërë sikur ka bërë shumë hetime për inventar dhe për sytë e publikut dhe s’ka bërë asgjë thelbësore që të shënojë ndryshim.

Ka gjetur raste dhe ka futur në burg, ose ka nisur procese penale ndaj opozitarëve, por dhe ndaj armiqve personal të kryeministrit në qeverisje, për t’ia bërë më të fortë shkopin që t’iu bjerë pa ndrojtje fare  në kokë atyre që ai i urren në qeverisje edhe për hiç-asgjë.

Kjo është filozofia e kobures së regjimit me emrin SPAK.

Ndonëse krimi elektoral është krimi më dramatikë, me rëndësi politike, kriminale dhe juridike që duhet hetuar, i përfaqësuar ky krim nga mbi 30 dosje të nxehta që presin zbardhje dhe gjykimin, SPAK vazhdon “eksplorimin hapësinor” të prioriteteve që i ka vendosur përpara kryeministri në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe nuk merret me këtë krim i cili është ‘mitra e tërë problemeve’.

Dhe as që ka ndërmend që t’i hapë rrugë këtij problem ligjor, politikë, demokratik dhe psikologjik, deri në përfundim të zgjedhjeve të 2025.

SPAK sot është politikë e gjallë.

Është siguria e pushtetit.

Instrument i thellë brenda regjimit.

Në propocion të zhdrejtë me krimet për të cilat është krijuar, ai po bën të pa mundurën që ta shpjerë në dënim me burg ish presidentin dhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili sot është edhe kryetari i opozitës.

Pse e bënë ketë? Sepse është pjesë e lojës së ndyrë politike, pavarësisht nga maskat që i ka vënë fytyrës së tij instrumentale përsipër.

Ai nuk po bën asgjë nga ajo që duhet të bëjë, për të parandaluar dhe dënuar krimin shtetëror, i cili ecën pa u shqetësuar para syve tanë.

Ky institucion i rremë, e them pa mëdyshje i rremë, sepse ushtron një detyrë klienteliste për të gjithë drejtuesit kryesor të opozitës shqiptare në mënyrë që t’ua bëj të pa mundur konkurrencën në zgjedhjet parlamentare të 2025.

Ai i dënon opozitarët para se t’i hetojë. Ai i “var në litar” pa i gjykuar.

Kleçkat dhe absurditetet juridike mund ta quajnë herezi këtë lloj arsyetimi.

Por çfarë mund të mos thuash, kur ish presidenti ende qëndron i burgosur në shtëpi me një vendim të SPAK-ut në shkelje të Kushtetutës, ku është arrestuar pa kaluar në Komisionin e Ligjeve në Parlament?

Po ku e ka gjetur të drejtën SPAK të dal mbi Kushtetutën, mbi ligjet dhe mbi vetë Parlamentin?!

A mos është SPAK-u, institucion me të drejta të pa kufizuara që të shkel çdo ligj kushtetues?!

SPAK-u ia ka prerë që në fillim shiritin padrejtësisë në shtetin tonë keq-qeverisës dhe s’ka se si të kemi iluzione për drejtësinë e ligjit prej tij.

Ne vërtet nuk kishim më parë një kulturë të zhvilluar të ndëshkimit të abuzimit të politikanëve me pushtetin.

Atë kërkuam të kishim.

Por sot themi hapur në dritën e fakteve dhe të vërtetave se SPAK po çimenton me hekur dhe beton  kulturën e mos ndëshkimit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here