Vetëm 1 ofertë/ “Sindikata” e udhëhequr nga Soft & Solution fiton tenderin 16 mln euro të e-Albania

Një bashkim prej katër kompanish, të udhëhequra nga Soft & Solution është shpallur fituesja në tenderin 17 milionë euro për përmirësimin e shërbimeve të e-Albanias me teknologji mikroservisi. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur fituese të garës, bashkimin e kompanive Soft & Solution, Communication Progress, Image and Communicaton Development dhe Kreatx.

Tenderi për përmirësimin e shërbimeve elektronike me teknologji mikroservisi u shpall në 1 tetor. Fondi limit i kësaj kontrate ishte paracaktuar 1 miliardë e 724 milionë lekë ose rreth 17.2 milionë euro. Në garë u paraqit vetëm një ofertë, ajo e bashkimit të katër kompanive, të cilat ofruan çmimin 1 miliardë e 586 milionë lekë ose rreth 15.9 milionë euro. Këtë të hënë, AKSHI njoftoi shpalljen fituese të ofertës së vetme.Sipas dokumentave të publikuara në APP, Soft & Solution ka 50 për qind të kontratës së majme, Kreatx 17.2 për qind, Communication Progress 16.7 për qind dhe ICD do të ketë 16.1 për qind.

Në fakt ky rezultat nuk është surprizë. Tashmë të gjitha kontratat e mëdha të AKSHI-it përfundojnë në të njëjtën dorë, herë vetëm dhe herë në sindikatë. Përjashtimi i menjëhershëm i kompanisë Advanced Business Solutions nga kontratat publike të IT-së, për arsye që mbeten ende të panjohura zyrtarisht, e ka lënë fushën e lojës me vetëm një lojtar. Kjo është kompania Soft & Solution, e cila tashmë praktikisht dikton tregun e IT-së në vend, që ushqehet nga paratë publike.

Biznesi miliarder i tenderave publikë të IT-së është shndërruar në një nga tregjet më të përqëndruara, ku edhe pse normat e fitimit janë të jashtëzakonshme, konkurrenca është praktikisht inekzistente. Kompanitë e huaja e kanë të pamundur të hyjnë në këtë treg për shkak të kritereve përjashtuese, që diktohen nga AKSHI, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me certifikatat e sigurisë./ Kapitali.al

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *