Qeveria e kryeministrit francez Michel Barnier u rrëzua këtë të mërkurë pas një mocioni mosbesimi në Asamblenë Kombëtare (dhoma e ulët e parlamentit).
Koalicioni i krahut të majtë NFP dhe partia e ekstremit të djathtë Rally National (RN) votuan në masë kundër ish-kryenegociatorit të Brexit pasi Barnier përdori nenin 49.3 të Kushtetutës për të miratuar buxhetin e sigurimeve shoqërore 2025 pa e kaluar në parlament.
Çfarë do të ndodhë tani me Francën?
Michel Barnier ka të ngjarë të kërkojë të qëndrojë si një qeveri e përkohshme, ashtu siç bëri ish-kryeministri Gabriel Attal këtë verë pasi presidenti francez Emmanuel Macronshpërndau Asamblenë Kombëtare pas humbjes dërrmuese të partisë së tij në zgjedhjet për Parlamentin Europian. Qeverisë së përkohshme do t’i duhet të përshpejtojë çështjet aktuale dhe nuk mund të votojë ligje të reja. I takon Macronit të emërojë një kryeministër të ri dhe ai nuk ka një afat specifik.
Megjithatë, zgjedhja e kryeministrit të ri do të jetë komplekse pasi ai ose ajo do të duhet t’i mbijetojë një votëbesimi përballë 577 deputetëve në një parlament të fragmentuar pa një shumicë të qartë.
Kreut të shtetit iu deshën vetëm 2 muaj këtë verë për të zgjedhur një emër për të cilin ishte i bindur që nuk kishte mbështetje automatike nga deputetët. Zgjedhje të reja legjislative mund të thirren vetëm korrikun e ardhshëm.
Kush mund të jetë kryeministri i ardhshëm?
Disa emra kanë qarkulluar që nga e mërkura, duke përfshirë ministrin aktual të Forcave të Armatosura, Sébastien Lecornu, ose François Bayrou, kreun e partisë centriste MoDem. Disa parti që formojnë koalicionin e krahut të majtë NFP kanë ngecur me përzgjedhjen e tyre fillestare të Lucie Castets, një ekonomiste dhe nëpunëse civile.
Castets, emri i së cilës u propozua për herë të parë këtë verë nga NFP dhe që u refuzuar shpejt nga Macron tha të martën se ishte “e përgatitur për të qeverisur”. Macron u kritikua ashpër për marrjen i vetëm të rolit për të gjetur një emër kryeministri në verë dhe duke mos lejuar që partitë politike të përfshiheshin.
“Nëse këtë herë, Presidenti dëshiron të parandalojë një tjetër kolaps të qeverisë, ai do të duhet të lejojë deputetët të dalin me një figurë më konsensuale” – u shpreh François-Xavier Millet, një analist politik dhe profesor i së drejtës publike.
Por për Emmanuel Rivière, një ekspert në opinionin publik dhe këshilltar politik, zgjedhja e kryeministrit të ardhshëm duhet të përqendrohet rreth një projekti dhe jo një personaliteti specifik.
“Ne kemi nevojë për një projekt dhe një marrëveshje, jo për një personalitet. Nuk i takon Macronit të bëjë kastinën. Për të kapërcyer pengesën buxhetore nevojitet një marrëveshje. Mund të jetë një teknokrat i pastër me një mision specifik për të siguruar që Franca të ketë një buxhet për vitin 2025”, – tha ai në një intervistë për Euronews.
Çfarë do të ndodhë më pas për Macron?
Megjithëse mandati presidencial i Macron zgjat deri në pranverën e vitit 2027, disa parti po i bëjnë thirrje që kreu i shtetit të japë dorëheqjen për shkak të kaosit politik që ka pasuar pas vendimit të tij për të shpërndarë parlamentin. Sipas Rivière, kjo është një goditje tjetër për Macron, pozita e të cilit është lëkundur brenda dhe jashtë vendit për shkak të krizës politike.
Vetëm 22% e francezëve janë të kënaqur me Macron, sipas një sondazhi të opinionit të publikuar në fund të nëntorit nga Ifop. Macron deri më tani u është përgjigjur këtyre kërkesave duke u zotuar se do ta përmbushë rolin e tij “me gjithë energjinë e tij, deri në sekondën e fundit”.
“Një dorëheqje është e mundur, por koha nuk është e duhura. Kjo vetëm do të shtonte kaosin dhe konfuzionin dhe nuk do të ndryshonte asgjë kur bëhet fjalë për sa e fragmentuar është Asambleja Kombëtare” – tha Millet.
Po buxheti?
Nëse nuk votohet buxheti deri më 20 dhjetor, qeveria mund të përdorë kompetencat e saj kushtetuese për të miratuar buxhetin me urdhëresë, shpjegoi Millet. Në rastin e buxhetit të sigurimeve shoqërore, urdhëresa mund të zbatohet pas 50 ditësh bllokim, ndërsa buxheti kombëtar mund të zbatohet pas 70 ditësh.
Një ligj tjetër mund të zgjasë edhe buxhetin e vitit 2024 deri në vitin 2025, por kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme, shpjegoi Millet në një intervistë për Euronews.
Franca nuk ka ndonjë rrezik nga një mbyllje e stilit amerikan, por paqëndrueshmëria politike mund të trembë investitorët. Franca aktualisht është nën presionin e BE-së për shpenzimet e saj. Deficiti i vendit vlerësohet në 6% të PBB-së kur rregullat fiskale të BE-së diktojnë se borxhi nuk duhet të kalojë pragun 3%. ©LAPSI.al