Rama i fiksuar/ Paralajmëron ditën e gjykimit të Gaz Bardhit

Mesazhet që i dërgoi Berishës, Metës, Ahmetajt, Salianjit, Belerit para se t’i burgoste

Nuk ka prova se Edi Rama qëndron personalisht pas sulmeve kriminale që organizohen ndaj atyre që ai kërcënon.

Ama është fakt se, para se të plagosej nga breshëritë e plumbave të automatikut në autostradë, ish-prokurori Arjan Ndoji u përmend nga Rama në parlament si “një prokuror në Durrës, që punon për grupet kriminale dhe iu bën shantazh punonjësve të shtetit.

Është fakt edhe se, para se të zhdukej, Vis Martinaj u përmend nga Rama në një miting në Lezhë, si “drejtori i basteve të kohës” të cilit patronazhistët ia dinin targën e makinës.

Ekziston mundësia që në botën e krimit, dikush të përfitojë nga sherrnaja e shefit të qeverisë, për të mbyllur hesapet e vjetra. Por kur kundërshtari i Ramës është politik, përgjegjësia për pasojat ndaj tij bien direkt mbi Edi Ramën.

 

Si këtë të mërkurë, kur kryeministri nuk i përmbajti dot simptomat e obsesionit për ta ndëshkuar Gazment Bardhin dhe për t’u hakmarrë për vëllain, të akuzuar se ishte pjesë e një grupi kriminal që ndërtoi laboratorin e kokainës në Xibrakë.

Bardhi nuk bëri asgjë që t’i kujtojë kryeministrit brengën e vëllait të tij, Olsit. Ai thjesht kërkoi një interpelancë në kuvend për paratë që ka përfituar biznesmeni italian Francesko Beketi dhe për përgjegjësitë që bien mbi qeverinë.

Për habi, përgjigjia e Ramës devijoi në kërcënime, shoqëruar me përbetime për eleminimin politik të njërit apo tjetrit dhe se në fund në politikë do të mbetet vetëm një. Nëse SPAK vërteton akuzat ndaj të vëllait, Olsit “nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare” tha Rama.

Vetëm se pa dalë përgjigjia nga SPAK, Rama thotë se nuk do t’i përgjigjet Bardhit për asgjë, pasi Bardhi ka thënë se ai ka fshehur “personin e paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama”.

Në fund të mesazhit, Rama del me paralajmërimin për “gjykimin e Gazment Bardhit”, në lidhje me akuzat që ka bërë ky i fundit ndaj Olsi Ramës, sapo SPAK të zbardhë të vërtetën.

Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!

Mesazhi është pak a shumë i ngjashëm me atë që shpërndau për mediat vëllai i kryeministrit Olsi Rama, pasi Gaz Bardhi dërgoi në SPAK informacionet që kishte nga dosja e Xibrakës. “Troç fjala këtu s’mund të ketë dy të vërteta dhe ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazmend Bardhi duhet të ndiqet penalisht dhe dënohet si fabrikues provash në dëmin tim, të fëmijëve të mi, të klubit të futbollit “Partizani”, të miqve të mi dhe të njohurve të mi.” u shpreh në atë kohë Olsi Rama.

Që kur denoncoi përfshirjen e Olsi Ramës në grupin e Xibrakës, Gazment Bardhin ka marrë shpesh sharje dhe mesazhe të rënda kërcënuese. Sharjet si “nënnjeri” “çingie” “B e vogël” etj janë të përhershme, ndërsa pak kohë më parë ai akuzoi drejtuesin e abcneës se duke i paralajmëruar fatin e Vis Martinajt i kishte përcjellë një mesazh nga Rama.

Edhe kur ra në burg Ervin Salianji, sërish Rama iu hakërrye Gazment Bardhit me kërcënime se nëse do të kishte bërë kallëzim, edhe ai do të përfundonte në burg njësoj si kolegu i tij.

(VIDEO) Olsi Rama del fjalëpakë nga SPAK

RAI 3 nxjerr dokumentet: Olsi Rama lëvizte me trafikantët e drοgës

I fiksuar me hakmarrjen ndaj Bardhit që kur ky publikoi të dhëna nga dosja e Xibrakës, Rama ka treguar se nuk kërcënon sa për të larë gojën dhe shembujt janë disa.

Paralajmërimet për Sali Berishën

Në fillim të shkurtit 2019 Edi Rama i tha Sali Berishës publikisht në parlament se SHBA e kishin shpallur non grata. “Tani kam unë një pyetje të drejtpërdrejtë për ty. Sali, ti e kapërcen dot oqeanin po të duash? Hajde përgjigju. Më bëre një pyetje të drejtpërdrejtë. Ta dhashë përgjigjen e drejtpërdrejtë për të të bërë një pyetje të drejtpërdrejtë. Ti, po të duash, e kapërcen dot oqeanin Sali? Nëse unë do të isha ai që më përshkruani ju, të jeni i sigurt që unë nuk do e kapërceja dot oqeanin e jo më të komunikoja me Shtëpinë e Bardhë, me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, se unë nuk kam mundësi të kërkoj diçka të tillë”, tha Rama në parlament në 1 shkurt 2019.

Rama e pati paralajmëruar/ Sali Berisha shpallet person non-grata në SHBA

Rama paralajmëron Berishën: Do shpallesh non grata edhe nga Britania (VIDEO)

Ajo që kishte paralajmëruar kryeministri i Shqipërisë u bë realitet në Maj të vitit 2021, pak pas përfundimit të zgjedhjeve. Sali Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit. Sipas sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken “veprimet e Sali Berishës minuan demokracinë në Shqipëri”. 

Pas shpalljes non grata, Rama paralajmëroi burgosjen e Sali Berishës dhe bëri presion publik SPAK-ut që kreu i demokratëve të arrestohej. Dhe ashtu ndodhi. Në tetor të vitit 2023, dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi u arrestua me urdhër të SPAK, që vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe sekuestrim të pasaportës për Sali Berishën pa marrë autorizim nga parlamenti.

Kur Sali Berisha refuzoi të bindej duke deklaruar se ishte deputet dhe se autorizimi i parlamentit ishte i domsdoshëm për një masë kundër tij, SPAK kërkoi arrestin në shtëpi. Dhe ashtu ndodhi. Për gati një vit, Sali Berisha qëndroi në arrest shtëpiak, me urdhër të SPAK.

Paralajmërimi për Ilir Metën

Burgosjen e ish-aleatit të tij Ilir Metës, kryeministri Edi Rama e ka kërkuar publikisht në mbledhjet e asamblesë dhe në kongresin e Partisë Socialiste.

Dy vite më parë, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, Edi Rama i kërkoi SPAK-ut publikisht arrestimin e Ilir Metës. Rama kërkoi marrjen si të pandehur të atyre që i quante “peshkaqenët” në atë kohë duke iu referuar Sali Berishës dhe Ilir Metës.

I pari që shefi i qeverisë i ka vënë në listën e detyrave të SPAK është kreu i shtetiti mandati i të cilit mbaron në 24 korrik. “Jo unë por gjithë Shqipëria, mezi pret ta shohë para SPAK-ut, Ilir Metën” tha ai duke e akuzuar Prokurorinë e Posaçme se përdor dy standarde me mazhorancën dhe me kundërshtarët e saj: “Durimi ynë po soset, i imi po njëherë, i juaji ka kohë që është sosur, po e di e ma vini fajin mua. Kjo do të thotë që SPAK e të gjithe ata të interesuar duhet të kujtohen që ne nuk e kemi humbur gojën, e kemi në vend”.

Paralajmërimet për Fredi Belerin

Gjatë mitingjeve në fushatën e 14 majit 2023, Rama tha se “në Himarë e kam personale, është personale” duke sulmuar direkt kandidatin e bashkisë që i rrezikonte fitoren, Fredi Belerin.

Shumë shpejt, Beleri u shndërrua në target të fushatës së Partisë Socialiste dhe për të, Rama fliste edhe në mitingje në qytete të ndryshme. Nga mitingu i Kamzës ai paralajmëroi direkt Pandeli Kokaveshin, bashkëpuntorin e Belerit se do të merrej personalisht me të. Disa orë më pas, Kokaveshi u arrestua.

Në emisionin Opinion, kryeministri pranoi se kandidimi i Fredi Belerit në Himarë “mua më çmend” dhe se “ka akoma njerëz në këtë vend që çmenden nga gjëra të tilla, se gjëra të tilla janë me rrezik shumë të madh” duke e kaluar përplasjen me Belerin në nivel tjetër. Siç dihet, Beleri u burgos dy ditë para zgjedhjeve. Ai u ndalua të betohej si kryetar bashkie i Himarës dhe u dënua me 2 vjet burg për blerjen e 8 votave sipas një procesi të montuar fund e krye nga policia dhe gjykatat.

Paralajmërimi për Salianjin

Për 5 vjet, Ervin Salianji u sorollat dyerve të gjykatave për një proces ku akuzohej për kallëzim të rremë, edhe pse nuk kishte bërë kallëzim të rremë. Çështja kishte të bënte me denoncimin e vëllait të Fatmir Xhafajt që udhëtoi drejt Italisë për të vuajtur dënimin që kishte atje.

Askush në rrethin e Salianjit, as Salianji vetë, nuk e kishte besuar se do të mbyllej 1 vit brenda 4 mureve si kriminel. Por, Rama e kishte paralajmëruar në Parlament të bënte kujdes. (video poshtë)

Paralajmërimi për Arben Ahmetajn

Arben Ahmetaj ishte mënjanuar nga qeveria dhe nga partia shumë kohë para se të arrestohej. Në vetvete, kjo lloj shmangie që i bëri Rama e bënte arrestimin e tij thjesht çështje kohe, por kryeministri nuk ngurroi të ekspozohej publikisht kur gazetarët e ftuan në replikë me Ahmetajn.

Në 9 Mars 2023, kryeministri Edi Rama deklaroi “nëse unë do të kisha bërë rolin e gjykatësit, gjërat do të kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të bëj gjykatësin”.

Dhe vërtet. Gjërat u bënë shumë më keq për Arben Ahmetajn. Në 7 Korrik, rreth 4 muaj pas deklaratës së Edi Ramës, SPAK dërgoi në kuvend kërkesën për arrestimin e Ahmetajt që tashmë ishte arratisur jashtë vendit.

Paralajmërimi për Irfan Hysenbelliun

Në dukje, goditja në kompleksin “Prestige” të Irfan Hysenbelliut ishte një punë e institucioneve që po e ndëshkonin biznesmenin se nuk kishte paguar taksat.

Por në realitet, shkatërrimi i pishinës dhe hotelit Prestige ishte hakmarrje e kryeministrit Rama për biznesmenin e pabindur. Në 2 Shtator të 2022, në shenjë paralajmërimi u prish pishina e hotelit, e realizuar sipas një vizatimi të vetë Edi Ramës dhe që pronarët e kishin ruajtur.

Lexo edhe: Hysenbelliu: Edhe në kohën e Hoxhës njerëzit flisnin, sot Rama i ka terrorizuar

Pronari i Neës24 akuzonte direkt kryeministrin Rama se prishja e pishinave në shtator ishte vetëm një paralajmërim. Dhe ashtu ishte. Marrëdhëniet mbetën të ngrira deri kur në Dhjetor të vitit 2022, Rama paralajmëroi shpërthimin e hotelit duke deklaruar: “Të gjithë të barabartë përpara ligjit, nuk do të ketë asnjë tolerim”. Vërtet që nuk pati asnjë tolerim.

Në 4 Dhjetor, hoteli i Irfan Hysenbelliut u hodh në erë me dinamit. Video më poshtë:

Lojtës Videosh

00:00
00:37

Mesazhi i plotë i Ramës për Gazment Bardhin, pasi ky kërkoi interpelancë për Beketin

Më thonë që Gazmend Bardhi më paskërka kërkuar sot urgjent në Kuvend për “100 e kusur milionë Eurot”, të cilat sipas tij i paskërka marrë nga shteti shqiptar ai krimineli italian, të cilin partia e B-ve e ka një nga komerdaret e vjetra, që e nxjerr si rregull përpara se sa të mbytet nga dallga popullore në zgjedhjet e radhës!

Këto “100 e ca milionët” ua treguan me të madhe shqiptarëve, si të marra e të futura në xhep prej italianit në fjalë edhe në 2021-shin, edhe në 2023-shin! Madje prodhuan edhe ca fletushka bakalli, që ua vinin njerëzve në xhamat e makinave, ku bënin thirrje për të votuar kundër meje dhe Partisë Socialiste për inat të “100 e ca milionë Eurove” të humbura për shkakun tim. Dihet se si votuan njerëzit, që qyshse i çuan në opozitë me 1 milionë shpulla dhe i lanë thuajse pa asnjë bashki së fundmi, nuk e kanë ngrënë asnjëherë për djathë sapunin e B-ve të mëdha e të vogla të Partisë Demokratike.

Po pyetja sot është:

A janë vallë kaq injorantë këta sherrxhinj e gënjeshtarë pa din e as iman, sa të mos e dinë që kur nga ky shtet dalin lekë, për çdo detyrim për diçka apo ndaj dikujt, ka dokumenta shtetërorë ku shkruhet shlyerja e detyrimit apo janë vallë kaq të poshtër, sa megjithëse e dinë që në këtë rast nuk ekziston asnjë dokument i tillë, vazhdojnë me avazin e kësaj shpifjeje të vjetër, për të ngritur akuza dhe helmuar popullin për zgjedhjet e reja?! Nuk e di, me shumë gjasë janë të dyja bashkë.

Fakti që s’e luan topi është, se deri në këtë çast që flasim, ai kriminel i dënuar 17 vjet nga gjykata për tërë të zezat, nuk ka marrë akoma asnjë kokërr leku nga shteti shqiptar dhe nuk ka asnjë dokument shtetëror që të provojë të kundërtën! Madje ai ka hyrë tanimë në ca hesape të reja e të vështira shumë me shtetin shqiptar, që e ka denoncuar në prokuroritë e në gjykatat e disa shteteve, për korruptim flagrant të gjykatës së arbitrazhit, ku korrupsioni dhe manipulimi i procesit kundër Shqipërisë është provuar me letra, me zëra e me figura kriminelësh ndërkombëtarë me këmishë dhe kravatë!

Tani këta katranë me bojë dinë vetëm të shpifin, pastaj shpifjen ta përhapin në kanalet e ujrave të tyre të zeza mediatike dhe pastaj të kërkojnë komisione hetimore e intepelanca, për të kërkuar llogari nga ne për shpifjet e tyre! Mirëpo kjo lojë nuk ecën dot fare me ne dhe gjykata e llogarive tona e të tyre do të na dëgjojë e do të na japë hakun në pranverë, kur populli shqiptar, brenda po edhe jashtë kufijve këtë herë, do të vendosë se kush duhet të qeverisë dhe kush duhet të rrijë në opozitë e me kismet, të mësojë se si mund të qeverisë në të ardhmen.

Megjithatë, unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare. Por pa u zgjidhur e zbardhur plotësisht nga drejtësia kjo çështje, unë nuk kam sy e faqe të përballem me zbuluesin që pretendon me zë shumë të lartë, se ka hedhur dritë jo vetëm mbi aktivitetin kriminal të vëllait tim, po edhe mbi përfshirjen time kriminale në fshehjen e “personit të paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama dhe unë, duke abuzuar me detyrën dhe madje shpërblyer dy prokurorët e dosjes së laboratorit të drogës në Xibrakë, ia paskam fshehur drejtësisë.

Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko