Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Edi Ramën se është më keq se Enver Hoxha, pasi u vetëshpall kryetar i shkencës.
Gjatë fjalës së tij në takimin me studentët dhe pedagogët në selinë blu, Berisha theksoi se kjo diktaturë ia kalon dhe komunizmit qoftë në lirinë akademike, qoftë në buxhetin për shkencën.
“Së pari ju përshëndes përzemërsisht dhe ju falënderoj për praninë tuaj këtu, pedagogëve, studentëve, deputetëve, të rinjve.
Në një debat për atë që përfaqëson gjënë më serioze të një kombi, për arsimin dhe në rastin tonë konkret, për universitetet.
Gjatë këtyre viteve të rivendosjes të një diktature, por jo më me drapër dhe çekan, por me krim, drogë dhe vjedhje, të mobokracisë, të cilën studiuesi më i shquar i formave të diktaturave, e konsideron formën më të keqe. Më e keqe se diktatura naziste, komuniste, është diktatura e bandave sepse kjo e fundit nuk ndjek asnjë rregull.
Meqë jemi këtu, kjo diktaturë e sotme, në raport me arsimin e lartë, ngjason shumë me diktaturën e shkuar, por ia kalon asaj disa herë në aspektin më thelbësor.
Kjo diktaturë ia kalon diktaturës që ne përjetuam gjer në vitet ’90 qoftë në lirinë akademike, qoftë në buxhetin për shkencën.
Kjo që ndodh me këtë diktaturë sot, tejkalon çdo imagjinatë.
Kryeministri, padrinoja, vetëshpallet kryetari i shkencës.
Kjo ka një domethënie shumë të thellë. Ju garantoj se Kim JOng-un nuk është kryetar i shkencës, dhe Enver Hoxha nuk ishte kryetari i shkencës.
Solli ligjin për të shpallur veten e tij kryetar të shkencës.
Por kjo dëshmon se çfarë vullneti patologjik ka ky për të asgjësuar autonominë e universiteteve, lirinë akademike, pa të cilat universitetet përthahen nga viti në vit.
E dyta, unë nuk kam këtu shifrat e buxhetit kur kam qenë pedagog, por kam një gjë ama, asnjë projekt nuk më është refuzuar mu, as kolegëve të mi, për arsye financiare. Absolutisht asnjë!
Dhe u them këtu, kishte prej tyre që kushtonin.
Nuk shkonte asnjë në ministri, maksimumi gjer tek zëvendësrektori për çështjet shkencore. Shumicën i kishte kompetencë zëvendësdekani dhe këshilli shkencor.
Mirëpo të atakosh lirinë akademike dhe të japësh një buxhet për shkencën që është 1 e 57-ta e mesatares së vendeve të OSBE, jo të OECD, se nëse e llogarit me OECD do ishte 1 e 500-ta, kjo do të thotë të bësh gjithçka për t’i falur, për t’i degraduar universitetet dhe trupën akademike të tyre.
Pedagogun e bën akademik, e bën dijetar, puna shkencore.
Sigurisht leksioni ka peshën e vet, vlerën e vet. Por në fund të fundit, pa kërkimin shkencor, pa hulumtimin, ai pedagog shndërrohet në një automat dhe kjo po ndodh tek ne”, u shpreh Berisha.