Berisha: Rama u takua me grupet kriminale në Dubai për Portin e Durrësit

0
77

Kryetari i PD, Sali Berisha ka hedhur sërish akuza ndaj kryeministrit Rama për megaaferën e Portitë të Durrësit.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Berisha tha se, Rama është takuar me grupet kriminale në Dubai për këtë çështje. Ai tha se, vendimet për Portin e Durrësit përbëjnë aktin më madhor të korrupsionit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe Evropë.

“Komisioni hetimor për Portin e Durrësit është i një rëndësie jashtëzakonisht të madhe.

Ky kuadër, këto vendime për Portin e Durrësit përbëjnë aktualisht aktin më madhor të korrupsionit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe Europë.

E vështirë të gjesh një aferë multi-miliardëshe siç është kjo, ku toka dhe uji që merren mund të kushtojnë mbi 2 miliardë, ku ndërtimet 12.600 apartamente me 6 hotele luksoze, pishina, etj, që të gjitha pasuri e grupeve kriminale të Dubait, me të cilat, siç dëshmoi gazetari investigativ Artan Hoxha, Edi Rama ka bërë takim të veçantë gjatë vizitës së tij në Dubai me temë investimet e tyre në Durrës.

Mos harroni se vetëm Franc Çopja, sipas dosjeve Metamorfoza, njëri prej tyre është ky, nga Elbasani, thuhet se ka transferuar në bankat e Europës 3 miliardë euro. E them këtë për të kuptuar sa e pakufishme është paraja e tyre.

Pra, Edi Rama u zotua se do bënte amnistinë, dhe pasi BE dhe SHBA i nxorën kartonin e kuq, ky u tërhoq nga amnistia dhe bëri pastaj takimin e fshehtë në Dubai me zotimin se ata do ndërtojnë parajsën e tij dhe të Alabarit në Durrës. Kjo është e vërteta.

Cila është ana tjetër?

Ju duhet të rikujtoni se ky zotëri, në fillim fare kur paraqiti një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara që nuk kishte lidhje me portin, në mënyrë të përsëritur deklaroi se shqiptarët nuk shpenzojnë një qindarkë se porti i ri do ndërtohet nga privati.

Tani porti i ri u kushton shqiptarëve 1 miliardë e 2 ose 300 milionë euro. Dhe nuk e ndërton privati. Dhe hapi 460 milionë euro tender, i rriste pensionet 50-60 përqind.

Pra, tenderi i dështoi. Prisni, duhet të jemi vigjilentë, syçelë, i dështoi apo e dështuan, se çfarë bëjnë këta, i dështojnë tenderat, dhe këtë praktikë ndjek edhe Dumani mes të tjerash, mjeshtër i dështimit të tenderave.

I dështojnë një herë, i dështojnë dy herë, gjersa bëjnë pazarin me kompaninë që do sjellë ofertën më të lartë për të ndarë së bashku sasinë më të madhe të parave. Siç bënë me tunelin e Llogarasë. Kompania sllovene e kishte 130 milionë euro, duhej të vinte kompania turke me 200 milionë euro që të ndanin së paku 50 milionë euro.

Pra, edhe ky dështim i tenderit ndërkombëtar që gjoja shpallën për ndërtimin e portit në Porto Romano, me 90 përqind është bërë që të ndajnë sasinë maksimale të parave.

Ky komision ka në qendër interesin publik, pasurinë publike të shqiptarëve. E them përsëri, dy janë pasuritë e trashëguara më të mëdha, Porti i Durrësit dhe digat. Por Porti i Durrësit mund të jetë pasuria më e madhe e shqiptarëve.

Këta duan ta kthejnë tani në dënim. Të ndërtosh port të ri se do të bësh ti marinë e hotele, dhe të dënosh qytetarët e tu me 1.3 miliardë për të ndërtuar portin e ri, ky është një krim i përmasave shumë të mëdha”, u shpreh Berisha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here