Blerta Mrishaj
Drejtori i Kulturës, Alban Skënderi, bëri të ditur se më 14 Mars, Tirana do gëlojë nga aktivitetet e ndryshme kulturore që kanë si synim argëtimin e banorëve dhe të gjithë atyre që vijnë në kryeqytet për të festuar këtë festë, simbol i ardhjes së pranverës
Me dekore lulesh dhe zbukurime, Tirana ka sjellë tashmë atmosferën festive të 14 Marsit, ditës së verës. Kryeqyteti do të festojë sot Ditën e Verës përmes dhjetëra aktiviteteve dhe panaireve që organizohet me këtë rast nga Bashkia e Tiranës, e cila ka publikuar zonat ku do të mbahen festimet, që nga karaoket, panairet, ekspozitat dhe muzikë me bandë roku.
Festimet
Në gjithë vendin nisin festimet për festën pagane të Ditës së Verës. Festimet do të kulmojnë edhe në Tiranë, ku bulevardi kryesor i qytetit është dekoruar me lulet e pranverës. Ndërsa qyteti i cili kurorëzon kjo festë, Elbasani po përgatitet të presë mjaft personalitete, ndërsa ka hartuar dhe programin e festimeve. Ballokumet, ëmbëlsira tradicionale e festës ka nisur të shitet në të gjitha dyqanet. Po duket se moti nuk do të jetë në favor të pranverës. Sipas parashikimeve të shërbimit meteorologjik dita e 14 marsit do të shoqërohet me vranësira dhe shira.
Festa
Që në kohët antike, tempulli i 14 Marsit, festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë. Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 Marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por festa e Verës, që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit. Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, ‘goditen’ ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat, apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve. Të parët tregojnë se një natë para ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit, epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehëronin portokallet dhe ullinjtë. Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët zakonisht e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore. Në Elbasan festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë elbasanllinjtë urojnë njëri-tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.
Ballokumja
Gatimi tradicional i Ditës së Verës
Në fakt askush nuk mund ta kuptojë festën e Ditës së Verës, një festë tradicionale pagane, e cila kremtohet çdo 14 mars, pa shijimin e ballokumes, një gatim i veçantë i Elbasanit, një qytet i cili ndodhet në qendër të Shqipërisë dhe i njohur për traditat e tij sidomos në fushën e arsimit. Por edhe pse ka edhe dy ditë nga kremtimi i festës, duket se tregtarët e kësaj ëmbëlsire tradicionale në Tiranë kanë nxituar ta nxjerrin në shitje ëmbëlsirën e famshme. Baza e ballokumes është gjalpi i deles dhe mundësisht e deles së rritur në zonat malore të këtij rrethi, sidomos në zonën e Polisit. Si sekret të gatimit të saj duhet një tenxhere bakri me përmasa 10 litërshe, ku masa e brumit, e cila përmbledh edhe vezët e fshatit, rrihet me një lugë druri dhe punohet shumë fort.
Në rrugën “Murat Toptani”:
• Panairi i artizanatit dhe luleve
• Ansambli “Tirana”
• Banda Frymore
• Akademia e Hollivudit
Sheshi përpara Galerisë së Arteve:
• Shkolla e Baletit
• Kori i Liceut Artistik “Jordan Misja”
Parku Rinia:
• Lojëra popullore
• Animatorë
• Cirku Kombëtar i Tiranës
Sheshi “Vëllezërit Frashëri”:
• Teatri i Metropolit
Liqeni Artificial i Tiranës:
• Akademia “Robert Radoja”
Sheshi “Nënë Tereza”:
• Karaoke
Bashkia
Rikonstruksioni i rrugës “Gjon Buzuku”, Basha: Investime në lagje
Një tjetër rrugë në kryeqytet, pas më shumë së 10 vitesh, i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë të saj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka inspektuar punimet në rrugën “Gjon Buzuku”, njësia bashkiake nr. 8, Tiranë. “Ky është një investim i munguar prej dhjetëra vitesh dhe dua të garantoj banorët që sikundër edhe në zona të tjera, në periferi apo në qendër ku nuk është vënë dorë prej shumë kohësh, bashkia ka një vëmendje të veçantë e cila po vërtetohet me ndërhyrjet tona. Nuk është thjesht një vëmendje në kuptimin platonik të fjalës por është një vëmendje financiare, buxhetore që po përkthehet në vepra publike. Në Tiranën e administratës së drejtuar nga unë, nuk ka “dele të zeza” dhe të “dele të bardha”. Paratë e qytetarëve për buxhetin e Tiranës do të shpenzohen në mënyrë proporcionale, sigurisht me theks të veçantë aty ku nevojat janë më të mëdha dhe më akute, siç është rasti me këtë zonë të vjetër autoktone të Tiranës por të lënë në harresë prej shumë kohësh”, – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës. Me një investim prej 18. 5 milionë lekësh, kjo rrugë me gjatësi 400 do të ofrojë një tjetër standard për 3 mijë banorët që jetojnë përgjatë saj. Në të dy anët e rrugës do të ndërtohen trotuare për kalimin e këmbësorëve, me gjerësi variabël nga 1 deri në 2.5 metra, do të ndërtohet sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, ndriçim etj. Afati i përfundimit të punimeve është 6 muaj. Kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka garantuar banorët se punimet të cilat kanë nisur, do të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara. Z. Basha ka kërkuar edhe mirëkuptimin e qytetarëve për vështirësitë që hasin sot, ndërsa punohet në të gjithë Tiranën por ai shprehu bindjen se përfundimi i këtyre investimeve do të sjellë një cilësi të munguar jete, një standard modern e evropian në këtë lagje të Tiranës, sikundër kudo ku bashkia po investon.