Paraditen e 5 prillit Edi Rama qëndroi gjatë në foltoren e ngritur në Muzeun Kombëtar për prezantimin e projektit të Sheshit Skënderbej. Ai foli me detaje mbi të, a thua se ishte kujdesur vetë për çdo hollësi, aq sa la në hije edhe kryebashkiakun Erion Veliaj, që e prezantoi projektin si arritje të tijën. Po kush i kishte qëndruar realisht mbi kokë projektit? Ç’është ky projekt për të cilin Rama di kaq shumë? Kush e ka hartuar atë?
Lapsi.al mëson se bëhet fjalë për projektin belg të prezantuar po nga Edi Rama në mandatin e tij të tretë në krye të Bashkisë së Tiranës. Ai është hartuar nga studioja 51N4E, me arktitektë belgun Peter Swinnen dhe Anri Salën, mikun e Edi Ramës, dhe një grup arkitektësh të tjerë të kësaj studioje.
Kryeministri Rama u përpoq të theksonte se ky është një projekt i ri. Por po t’i shohësh dy projektet në fotot poshtë, kupton fare lehtë se “projektit Veliaj” thjesht i janë shtuar disa pemë. Në thelb e tërësi gjithçka tjetër është e njëjtë.
Në pamje të parë nuk ka asgjë të çuditshme në faktin që kryeministri i rikthehet një ëndërre të parealizuar të kohës kur drejtonte bashkinë më të madhe të vendit. Ai e ka menduar gjithnjë sheshin “Skënderbej” si një hapësirë pedonale me pllaka betoni e guri dhe pellgje me ujë. Dhe kështu do të jetë! Ai po e sheh ëndrrën t’i realizohet.
Deri këtu gjithçka duket brenda rregullave të lojës, po të mos bëhej fjalë për projektin e një arkitekti të hetuar për korrupsion, Peter Swinnen! Ky arkitekt i studios 51N4E ishte në mesin e një skandali të shpërthyer në Belgjikë në shkurt të vitit 2014, për një tender të zhvilluar në lidhje me nismën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, “Atelier Albania”, për studimin e fizibilitetit për realizimin e projekteve në Shqipëri.
Swinnen, i angazhuar si arkitekti i Qeverisë Flamane, u shkarkua nga detyra pas dyshimeve për abuzime me këtë tender. Cila ishte afera korruptive e arkitektit që njihej prej kohësh me kreun e qeverisë shqiptare?
Një raport i Qendrës së Auditimit Financiar të Qeverisë Flamane nxorri në pah Peter Swinnen i dha një arkitekti tjetër të përfolur gjithashtu për lidhje me Ramën, informacion paraprak mbi tenderin, duke e favorizuar atë dhe duke krijuar një garë të pandershme.
Tenderi me vlerë 31.097 euro u fitua nga studioja Centrum voor Stadsontwikkeling CVBA e Patrick Janssens
Mediat belge shkruajtën në atë kohë se përzgjedhja e Shqipërisë për realizimin e disa projekteve belge nuk ishte e rastësishme. Sipas tyre, ishte Swinnen ai që e kishte mundësuar këtë, për shkak të lidhjeve të forta me qeverinë shqiptare. Gazeta presigjioze belge “De Morgen”, i kushtoi një artikull kësaj çështje, të titulluar «Afera në Shqipëri shporr arkitektin belg».
Investigimet e medias belge zbuluan se, për shkak të miqësive me Ramën kur ai ishte kryebashkiak i Tiranës, një tjetër arkitekt fitoi një projekt në Shqipëri.
Xaveer de Geyter me studion “XDGA » fitoi tenderin për ndërtimin e “Lungomares” në Vlorë, më 21 shkurt 2014, pak muaj pasi Rama ishte ngjitur në karrigen e kryeministrit. Xaveer de Geyter ka qenë pjesë e komisionit vlerësues për projektin e sheshit “Skënderbej” dhe redaktor i manualit të 51N4E.
Ndësa Patrick Janssens, sih kryetar i Partisë Socialiste Flamane të Belgjikës, ishte pjesë e jurisë kombëtare për “Lungomaren”.Kështu, Edi Rama jo vetëm po realizon ëndrrën, por po e bën atë me miqtë e tij, pavarësisht se janë të përfolur për afera korruptive.
Dhe këtu s’ka asgjë të rastësishme. Sepse lidhjet mes Ramës dhe Peter Swinnen nuk qëndrojnë vetëm tek kjo ëndërr e hershme e sheshit “Skënderbej”.
51N4E është edhe projektuese e vilës së Edi Ramës në fshatin Surrel, rrëzë malit të Dajtit. Ajo ka projektuar edhe kullën shumëkatëshe (TID), në rrugën Abdi Toptani, të ndërtuar nga një prej miqve të ngushtë të Ramës.(Më poshtë mund të lexoni disa shkrime të tjera mbi lidhjet Rama – Swinnen)