Portret i Le Monde/ Rama, kryeministri tepër mediatik i Shqipërisë

0
170

Nga jean-baptiste chastand per Le Monde/ Perktheu T. Çela, Lapsi.al

Edi Rama ia ka dalë të prodhojë një tjetër manovër mediatike për të bërë që të flitet për Shqipërinë. Të shtunën më 21 dhjetor, kryeministri i shndritshëm i këtij vendi të vogël të Ballkanit njoftoi se do të mbyllte TikTok “për të paktën një vit”, pas vdekjes, në mes të nëntorit, të një adoleshenti nga Tirana, si pasojë e një rrethane që u shkaktua nëpërmjet rrjeteve sociale. Ky është vendim i pari në botë, i marrë pa u vërtetuar në mënyrë të qartë nëse konflikti mes të rinjve kishte buruar nga rrjeti social kinez, dhe u cilësua si një masë “diktatoriale” nga kundërshtarët e tij.

Por kjo ka pak rëndësi për zotin Rama, i cili udhëheq Shqipërinë që nga viti 2013 dhe adhuron të kapë titujt e shtypit ndërkombëtar me vendimet e tij të pazakonta. Prej disa muajsh, “flitet për atë që kam bërë”, tha ky burrë i gjatë 60-vjeçar, gjatë një takimi me gazetën Le Monde, në fund të tetorit, kur disa nga nismat e tij kishin filluar tashmë të tërhiqnin vëmendjen. Njëra prej tyre është ideja për të krijuar një “Shtet” bektashi – një vëllazëri myslimane – në qendër të Tiranës. Pastaj marrëveshja e tij e kontestuar me Italinë për të pritur kërkues azili në territorin shqiptar, ose projekti i tij për të shndërruar një ishull shqiptar në një hotel luksoz të financuar nga vajza e Donald Trump, Ivanka, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner…

Madhësitë e Brukselit

Ndonëse të gjitha këto projekte nuk kanë patjetër koherencë mes tyre, duka ngjallur shpeshherë kritika apo ndoshta edhe duke mos u realizuar kurrë, ato kanë një meritë: fshirjen graduale të reputacionit të Shqipërisë si një çerdhe mafioze, një imazh që i është ngjitur këtij vendi të gangrenizuar për një kohë të gjatë nga trafiku i kanabisit. “Mafia është një fenomen ndërkombëtar. Në portet e shteteve të mëdha evropiane kalojnë sasi aq të mëdha droge sa që nuk mund të krahasohen me PBB-në e Shqipërisë”, shprehet Rama në artillullin e Le Monde të përkthyer nga Lapsi.al.

Ai di të tregohet mjaft i hidhur kur diskutohet kjo temë delikate.

Nga ana tjetër, ai bëhet dukshëm më tërheqës kur shpjegon se si synon të bashkojë vendin e vet me Bashkimin Evropian (BE), sa më shpejt të jetë e mundur. “Në mënyrë teknike, do të jemi gati [për t’u bashkuar me BE-në] në vitin 2028,” siguron ai në këtë intervistë për Le Monde të përkthyer nga Lapsi.al, ndërkohë që Shqipëria ka filluar negociatat për anëtarësimin në mes të tetorit. Për t’i përfunduar ato sa më shpejt, Rama pretendon se do mbështetet te ndihma e Chat GPT, drejtuesja teknike e të cilit ka qenë deri në shtator, inxhinierja shqiptare Mira Murati. Ai synon të përshpejtojë përshtatjen e ligjeve shqiptare me ato të Bashkimit Evropian…

I pajisur me një trup prej basketbollist, Edi Rama është gjithashtu një hero romanesh ( “Zgjerimi” i autorit austriak Robert Menasse, përkthyer së fundi në shqip nga shtëpia Dudaj) dhe një artist i ekspozuar në Paris dhe Neë York. Më e rëndësishmja, atij i pëlqen të bëjë përshtypje: ka transformuar zyrat e tij në qendër të Tiranës në një qendër të shkëlqyer ekspozitash ndërsa, kur ishte kryetar i bashkisë (2000-2011), pikturoi fasadat e blloqeve të mëdha të pallateve në stil sovjetik me motive dhe ngjyra të ndryshme. Kundërshtarët e tij, nga ana tjetër, e kritikojnë këtë djalë të një artisti të afërt me diktatorin Enver Hoxha (1908-1985) se ka vendosur një kontroll të reptë mbi të gjitha institucionet e vendit të tij.

Megjithatë, kritikat e tyre kanë pak ndikim në popullaritetin e tij të padiskutueshëm. Edhe pse e paraqet veten si një socialdemokrat, zoti Rama mund të negociojë marrëveshje si me kryeministren e djathtë të Italisë, Giorgia Meloni, ashtu edhe me familjen Trump. “Nuk besoj në ndarjen e djathtas – majtas”, i pëlqen të përsërisë ky lider, i cili megjithatë ka një bindje politike të qëndrueshme: angazhimin e tij të pakushtëzuar për BE-në. Me fjalimet e tij të zjarrta për Europën, të cilat mund t’i shqiptojë në italisht, anglisht ose frëngjisht, gjuhë që e ka mësuar gjatë jetës së tij artistike në Paris në vitet 1990, Rama ka arritur të fitojë zemrat në Bruksel.

“Era e ndryshimit po fryn sërish”, ka shpallur presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë një vizite në Tiranë më 23 tetor, duke rindezur procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian drejt Ballkanit. Pas një ngecje prej 20 vjetësh, ky proces ka rifituar rëndësinë e tij gjeostrategjike me pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022.

Me një udhëheqës që nuk mban kurrë fjalime nacionaliste, ndryshe nga shumë kolegë të tij në rajon, Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së deri në fund të dekadës, përkrah Malit të Zi, një tjetër shtet model sipas Brukselit. “Ne kurrë nuk kemi pasur një vizitë zyrtare të nivelit të lartë nga Moska, marrëdhëniet tona me Rusinë janë minimale”, kujton Rama, ndërkohë që Serbia refuzon të ndërpresë lidhjet me Vladimir Putin. A mjafton kjo për të mundësuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE? “Nuk e di nëse Këshilli Europian do të thotë po apo jo”, pranon me kujdes Rama, i cili e di shumë mirë se procesi i zgjerimit është gjithashtu një çështje “shumë politike e lidhur me dinamikat e brendshme të Bashkimit dhe nevojat elektorale të shteteve anëtare”. Me një popullsi kryesisht myslimane, Shqipëria mbetet ende një pengesë për shumë grupe ekstremiste të djathta evropiane, edhe pse praktika e fesë atje është shumë tolerante.

“I infektuar nga kriminelët”

Pavarësisht përpjekjeve të zotit Rama për ta shmangur këtë temë, mafia e fuqishme shqiptare mbetet një shqetësim i vërtetë, sidomos kur ajo është diversifikuar në vitet e fundit në transportimin fitimprurës të kokainës nga Amerika Latine. Shumë ekspertë mendojnë se paratë e saj ndihmojnë në financimin e bumit të pasurive të patundshme që po vërehet aktualisht në Tiranë. “Por, a është tregu i pasurive të patundshme në Londër ose Neë York i pastër?”, përgjigjet Rama, i cili krenohet për reformën e thellë të drejtësisë që ka nisur në vitin 2017.

Kjo reformë po jep rezultatet e para, ndërsa disa personalitete politike shqiptare janë arrestuar për korrupsion në muajt e fundit. “Për herë të parë në historinë tonë, individë të lidhur me pushtetin politik, qoftë të majtë apo të djathtë, po ndiqen penalisht nga drejtësia”, mburret kreu i qeverisë. “Një duzinë zyrtarësh të partisë së tij janë përfshirë në raste korrupsioni ose krimi të organizuar”, ka thënë Gjergj Erebara.

“Shteti ende është i gangrenizuar nga kriminelë që janë në pozita pushteti dhe kontrollojnë policinë, bashkitë dhe institucionet”, kujton ky gazetar i Reporter.al, një portal informacioni i financuar nga BE, i cili dyshon në vullnetin e vërtetë të zotit Rama. Një deputet i partisë së zotit Rama është arrestuar përsëri në tetor për përdorimin e SKY ECC, aplikacioni të mesazheve të preferuar nga mafiet ballkanike, për të transmetuar informacion të ndjeshëm kriminal. “U thashë të gjithë shokëve të mi se çdo njeri duhet të përgjigjet individualisht në rast korrupsioni”, mbrohet kryeministri, i cili ka zakon të lajë duart nga fati gjyqësor i të afërmve të tij. Në këtë kuadër, strategjia e goditjeve të vazhdueshme mediatike mund të jetë gjithashtu e dobishme për të shmangur vëmendjen nga dosjet e sikletshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here