Të dashur miq, po të ndalemi për një moment dhe të mendojmë ç’po ndodh me ne, pse kjo braktisje masive e Shqipërisë, braktisje e paregjistruar në këtë shkallë asnjëherë në histori në asnjë pushtim, çfarë po ndodh, pse shqiptarët po braktisin ditë e natë këtë vend. Sigurisht ju e keni pyetur veten dhe unë e kam pyetur qindra herë veten dhe unë u them ju se shkaku i parë dhe më kryesor i kësaj braktisje është tirania e varfërisë që rëndon sot mbi shqiptarët, është gropa e tmerrshme e varfërisë që hapi kjo qeveri në 12 vite.
Miq, 12 vite më parë, shqiptarët kishin rrogat dhe pensionet më të larta në rajon dhe po ecnim.
Kurse sot në gropën që i rrëzoi kjo qeveri, ata duhet të shohin, duhet të ngrenë kokën lart për të parë se ku janë të tjerët dhe ku kanë mbetur vetë. Sot, pensionisti në Kamëz, Kukës dhe kudo merr një pension 350 përqind më të ulët se sa pensionisti malazez. Merr 450 euro, merr 160 euro.
Sot, pensionisti në Maqedoni merr një pension 280 përqind më të lartë se pensionisti në Tiranë dhe në Kamëz.Sot, pensionisti në Bosnje merr një pension 320 përqind më të lartë se në Tiranë. Sot, pensionisti në Serbi merr një pension 330 përqind më të madh se në Tiranë. 12 vite kjo qeveri kreu krimin më të shëmtuar, i ngriu rrogat dhe pensionet dhe i futi shqiptarët në gropën e varfërisë dhe mjerimit. Në vitin 2013, rroga minimale në Rumani ishte rreth 30 euro më e ulët se në Shqipëri, ishte gjithsej 160 euro. Sot pas 12 vitesh, rroga minimale e rumunëve është 3300 euro.
Po pse ky ndryshim kaq i madh? Sepse çdo qeveri që ka minimumin e përgjegjësisë përpara qytetarëve të vet është e detyruar që të ardhurat që mbledh, t’i shpërndajë për qytetarët.Është e detyruar që të ardhurat që mbledh, të ndajë një pjesë të madhe për rroga dhe pensione dhe pastaj të ndërtojë objekte, rrugë, shkolla, etj. Çfarë ndodh me ne miq? Ku shkojnë?
Këtë vit, buxheti ishte 8.2 miliardë euro. Nuk kishte gjë më cinike, qesharake dhe të ulët se sa nga 8.2 miliardë euro, të caktosh për 780 mijë pensionistë 16 milionë euro. A ka tallje më të madhe? Dje, Kosova, jo për pensionistët në Kosovë, por për qytetarët e Kosovës në pension jashtë Kosovë, në Gjermani, Zvicër etj, ndau 50 milionë euro. Zotëria e tij, për 780 mijë pensionistë, për atë nuk ekzistojnë, la 16 milionë euro. A mund të ketë qëndrim më mohues, më neglizhues? Ndaj dhe ne hapim një dialog me çdo qytetar të këtij vendi, të Kamzës dhe mbarë Shqipërisë, me zotimin solemn se ne kësaj situatë, do i japim përgjigjen më të fortë, më të fuqishme jo në 3 vitet e para të pushtetit tonë, por në 3 muajt e parë të pushtetit tonë.