Berisha: Do krijojmë me urgjencë bordin e fiksimit të euros! Do ulim taksat dhe çmimin e energjisë!

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë një konference shtypi, tha se, nuk mundet që narkoeuro të shkatërrojë në këtë mënyrë ekonominë shqiptare. Berisha tha se, do krijojmë me urgjencë bordin e fiksimit të euros, do ulim taksat dhe çmimin e energjisë.

“Është e domosdoshme një ndërhyrje urgjente për shpëtimin e eksporteve dhe nxitjen e tyre.

Së pari, qeveria do krijojë bordin e fiksimit të euros.

Nuk mundet që narkoeuro të shkatërrojë në këtë mënyrë ekonominë shqiptare.

Qeveria do kompensojë eksportuesit për të gjithë humbjen që kanë nga rënia e euro dhe kompensimi do jetë nga niveli i euros në treg me nivelin e fiksuar nga qeveria.

Pra, në qoftë se themi një euro me 138 lekë dhe në treg shkëmbehet me 100 lekë, çdo euro do i kompensohet eksportuesit me 38 lekë.

Në këtë mënyrë ne do zerojmë efektin toksik të narkoeurove në ekonominë shqiptare. Të paktën në eksportet.

Krijimi i bordit do të jetë një nga aktet e para pas inaugurimit të qeverisë së PD-së.

Së dyti, qeveria do të ulë taksat në mënyrë drastike në të gjitha sipërmarrjet e eksportit.

Do të heqë TVSH-në për energjinë.

Do të lidhim direkt marrëveshje me sipërmarrjen energjetike për të blerë energji pa TVSH, për të blerë naftë pa TVSH, pa akcizë.

Përndryshe ekonomia eksportuese po vdes, nuk do kemi më eksporte, do jemi një shtet që vetëm importon dhe qarkullon eurot e baronëve të drogës.

Do t’u jepet mundësi që teprica kreditore, që nuk e marrin ndonjëherë, të përdoret lirisht për të paguar tatimin mbi të ardhurat personale, kontributin e sigurimeve shoqërore dhe çdo detyrim tjetër korrent fiskal.

Thashë, përveçse do i sjellë pa TVSH të gjitha investimet kapitale, energjia elektrike do jetë pa TVSH.

Çmimi për energjinë elektrike për eksportet do jetë njëshifror, jo dyshifror.

Ulje e madhe e kontributit të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit. Po të kemi parasysh se ne tani shpallim rrogën minimale 500 euro, atëherë është e nevojshme disa lehtësira për punëdhënësin. Dhe kjo është një nga lehtësirat që bëhen për të.

Dogana do ndërrojë tërësisht qëndrimin ndaj eksportuesve. Çdo shpenzim i tyre në dogana do mbulohet nga shteti, jo nga eksportuesi.

Do krijohet zyra e mbrojtjes së eksporteve, e cila ka për qëllim t’i mbrojë ato nga çdo lloj arbitrariteti burokratik dhe mafioz, presionet e ndryshme dhe do bëjë çdo gjë për konkurrencë të lirë dhe të ndershme.

Ne kemi besim se me këto masa të shpejta, ne do rikthejmë interesin e sipërmarrësve të huaj dhe shqiptarë për të prodhuar dhe eksportuar në Shqipëri.

Shqipëria mund të jetë një eksportues shumë i rëndësishëm, por këto eksporte kanë njohur një rënie shumë të dhimbshme.

A mund të imagjinoni një shtet oruellian ku flitet nga mëngjesi gjer në darkë për turizmin dhe nuk flitet në një emision për eksportet që punësojnë mbi 100 e sa mijë të punësuar. Është sektori kryesor i punësimit në industri”, u shpreh Berisha.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko