Lideri i opozitës, Sali Berisha ka ftuar emigrantët që të kthehen dhe të kontribuojnë për ringritjen e Shqipërisë, nisur nga situata e rëndë ku e ka futur vendin regjimi 12 vjeçar i Edi Ramës.
Gjatë fjalës së tij në takimin madhështor me diasporën në Romë, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka bërë të ditur se, kushdo që kthehet në Shqipëri dhe ngre një biznes, do të ketë zero taksa për 5 vitet e para të punës.
Berisha: Mrekullia e dytë e madhe që ndodhi ishte vota juaj, votimi i diasporës.
Edhe kjo ishte një mrekulli se nuk mblidhen të gjitha.
Po, se votën tuaj Edi Rama nuk e kontrollon dot me bandat, me Bajrët, me Çelët, me të gjithë me radhë mos t’ua mërzis veshët ju me emrat e vrasësve.
Mund të tentojë të blejë 10-15 po nuk u blen dot ju, njerëz të lirë.
Ndaj dhe udhëtimi tek ju është udhëtim drejt fitores.
Ka tmerr, është penduar.
Shikoni ku arrin, nuk ka skrupull. Nuk njoh pasaportat biometrike italiane, gjermane, franceze, etj.
Ju pasaportat biometrike italiane mund t’i përdorni në Shqipëri për çdo gjë, përveç të drejtës kushtetuese të votës, e cila nuk ka asnjë lloj pengese veç frikës së tmerrshme të Edi Ramës nga ju.
Ndaj miqtë e mi, këto zgjedhje janë për ekzistencën e Shqipërisë.
Këto zgjedhje janë për të ardhmen e saj.
Unë u jap vetëm një të dhënë: në vitin 2009-13, 118 mijë emigrantë u kthyen në Shqipëri.
Unë u jap fjalën e nderit që ju kursimet tuaja, të ardhmen tuaj të vini ta ndërtoni në Shqipëri.
Nuk ka vend si Shqipëria në botë.
Shqipëria është e bukura e dheut. Është vendi më i bukur, më i pasur se në çdo vend tjetër.
5 vite pa asnjë taksë në Shqipëri.
I keni paguar ju taksat prej 20-30 vitesh me remitancat që keni dërguar në Shqipëri.
Nuk ka taksa. Të ktheheni dhe të ndërtoni suksesin në Shqipëri siç e keni ndërtuar në Itali.
Unë e di se ju të gjithë ndani kursimet tuaja mne familjet në Tiranë sepse pensionet e tyre janë qesharake. Një pensionist e ka pensionin sa e ka qeni i shtëpisë në Gjermani. Po, po. Paguan 130 euro për qenin. 100 euro për macen.
Dhe rrin e u thotë, përmbyset Shqipëria nëse rrisim pensionet. Si u përmbytka Shqipëria? Pyesni pak prindërit tuaj, a u dyfishuan pensionet në vitet 2005-2013? Si u bë ajo?
Po sigurisht, ata janë aksionerë në pasurinë kombëtare. Ata kanë shkrirë djersën, mundin në pasurinë kombëtare dhe buxheti duhet t’u japë atyre.
Dhe unë u garantoj se 3 muajt e parë do përmbyset shpërndarja e të ardhurave dhe buxhetit. Do vendoset minimumi jetik. Nuk do ketë pension nën 200 euro për të ecur në nivelet më të larta të pensioneve në rajon. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro. Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro.
Ky është lehtësim edhe për ju se ju përballoni kafshatën e njerëzve tuaj, ilaçet e njerëzve tuaj. Ata duhet të kenë mundësi t’i blejnë vëtë.
Pra, do e transformojmë Shqipërinë.
Shqipëria ka nevojë për një transformim të thellë.
Dhe unë u garantoj se programi ynë do e transformojë Shqipërinë dhe ju do të jeni aksionerë të rëndësishëm, kryesorë të këtij transformimi.
Zoti u bekoftë ju, Zoti e bekoftë Shqipërinë.
Rroftë Shqipëria, rroftë Italia!