Publicisti Fatos Lubonja thotë se arrestimi i Erjon Veliajt nuk ia ka ndryshuar mendimin që kishte për SPAK si një strukturë që vepron nën tutelën e Edi Ramës.
Lubonja argumenton se SPAK është një strukturë kryesisht nën kontrollin e Ramës, megjithëse aty mund të ketë prokurorë që nuk veprojnë nën regjinë e tij.
Për të qenë më i qartë ai vë në dukje faktin se si Rama, ashtu edhe Veliaj lëshuan sulme të tmerrshme ndaj prokurorit Olsi Dado dhe gjykatësit Erjon Bani, por asnjëri prej tyre nuk e përmendi Altin Dumanin, megjithëse ky ka sigluar dosjen e Veliajt.
“Ajo që kam thënë që “SPAK është i kontrolluar nga Rama dhe ka lindur si organizëm që Rama e ka kontrolluar në dy forma, e para për të goditur kundërshtarët politikë, por njëkohësisht dhe paradoksalisht për t’u mburrur para ndërkombëtarëve, se “Po bëjmë drejtësi të pavarur”, unë vazhdoj të jem i këtij mendimi.
Çështja është te shkalla e kontrollit mbi SPAK. Të gjithë thonë që u sulmua SPAK, nga Rama, por Rama sulmoi vetëm prokurorin dhe gjyqtarin dhe përdori një gjuhë të tmerrshme, intimiduese dhe penguese të drejtësisë nga pikëpamja ligjore dhe premtoi se do të bëjë një drejtësi vërtet me standarte pas zgjedhjeve.
Më thoni ju mua që kjo është gjuha e një njeriu që do të bëjë drejtësi të pavarur?
Problem pra është shkalla e kontrollit mbi SPAK. E kontrollon, por nuk i kontrollon të gjithë prokurorët.
Ne nuk kemi informacion të plotë, por të dhënat që këmi parë për shembull: është sulmuar një prokuror, nga Veliaj, por Altin Dumani nuk është sulmuar, por ai bën thirrje që të sulmohen këta të PD.
Pra kjo tregon se kush del kundër meje do të sulmohet. Pra pakti është ky “Ne do t’ju shesim si të pavarur, ju do të godisni dikë, Berishën e këto, por nuk do të vini deri te unë. Si tha ai “mos guxoni të vini të më merrni telefonin”. Kjo është krim, kjo që tha Rama.
Pra nuk jam para entuziasmit që SPAK arrestoi Veliajn, po ngjarja është që ca njerëz që janë pak me dinjitet, po sulmohen për ta vënë në kontroll të plotë SPAK-un” u shpreh Lubonja. VIDEO KETU
Analisti duket se ka dyshimet e tij për sinqeritetin e Ramës në shqetësimin që ka për arrestimin e Veliajt.
“Ishte gjysëm i lëshuar Veliaj,-kujtoi Lubonja,- në mos të them ishte i lëshuar fare, pastaj Rama ndryshoi mendje”.