Pasojat e komunizmit/ Komani: Fëmijët e të përndjekurve politikë janë me trauma!

Në prezantimin e Programit të Qeverisjes 2025-2029 për të Përndjekurit Politikë në PD, ekspertja psikologe Lindita Komani foli rreth pasojave që ka lënë pas koha e komunizmit që kaluar shqiptarët.

Në një studim të kryer prej saj, një numër i konsiderueshëm i fëmijëve të viktimave të komunizmit, vuajnë nga ankthi klinik, ndërsa për ta nuk është bërë asnjë trajtim përkatës.

“Unë do të ndalem në atë pjesë të programit e cila deri më sot, nuk ka gjetur vëmendjen në shoqërinë shqiptare, që është aspekti psikologjik i traumës së komunizmit, mbi viktimat e komunizmit, familjarët e tyre, fëmijët e tyre. Çfarë do paraqes unë, bazohet në një studim që e kreva vjet në kuadër të studimeve master për psikologjinë në SHBA dhe rezultatet janë prezantuar edhe në kuadër të një prezantimi që u mbajt në fondacionin në përkujtimin e viktimave të komunizmit që u mbajt në Uashington DC, para 3 javësh.

Traumat e komunizmit preku viktimat jo vetëm me humbjen e jetës, burgosje afatgjata, futjen në kampet e përqendrimit në internim, apo humbje të çdo gjëje, të pronës, të drejtës për shkollim apo të drejtën për tu martuar me njerëzit që donin. Por pati pasoja të forta psikologjike të matura në nivel ndërkombëtar, si ankth, depresion, paranojë, sjellje anti-sociale, pasivitet, dëshpërim, tërheqje nga shoqëria. Këto janë gjëra që janë matur për viktimat direkt. Për fëmijët nuk është matur asgjë.

Tema ime ishte pikërisht për fëmijët e viktimave të komunizmit, të cilët janë rritur me këta njerëz në shtëpi, të cilët kanë qenë krejtësisht të traumatizuar. Pra, fëmijët janë ata që mund të jenë sot ende 18-19 vjeç, deri mosha e shumë prej jush që jeni këtu. Unë bëra një studim që përfshiu 233 persona, nga këta 148 ishin fëmijë të viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe 84 ishin fëmijë të viktimave të komunizmit që kishin emigruar në SHBA. Mata ankthin, mata lidhjen e tyre me prindërit, mata shpresën që ata kishin, besimin fetar, dhe gjetjet ishin që ata kishin si për mua, si për pedagogët që arritën t’i dëgjonin, ekspertë të viktimave të komunizmit në Uashington.

Nëse në shoqërinë shqiptare, sipas OBSH, prania e ankthit është 3.8 %, bëhet fjalë për ankth në nivel klinik, që duhet trajtuar me psikolog dhe psikiatër. Në shtresën e fëmijëve të viktimave të komunizmit, në Shqipëri është 22%, sipas kampionit tim. Ndërkohë, po sipas kampionit në SHBA, sipas OBSH, në Amerikë 6.8% e popullsisë ka normalisht ankth në nivel klinik.

Në shtresën e emigrantëve shqiptarë, janë 40%. Dhe flasim për fëmijët, jo për viktimat direkt. Mendoni se çfarë traume ka shkaktuar komunizmi dhe përndjekja politike. Kjo temë nuk është trajtuar, nuk ka marrë asnjëherë vëmendjen e duhur. Kjo dhe për faj të faktit se, në Shqipëri pas rënies së komunizmit asnjëri nuk dinte asgjë për psikologjinë. Ishte vetëm trauma e shkatërrimit, por jo si të rindërtohej”, u shpreh Komani.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *